Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Vërtet Allahu ka një xhenet në këtë botë…

Imam Salih bin Feuzan el-Feuzan
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Imam Ibn Kajimi -Allahu e mëshiroftë- ka thënë: ”Se njëherë ai shkoi te shejkhu i tij, te Shejkul-Islam Ibn Tejmijeh, sepse dëshironte të fliste me të apo të mësonte diçka nga ai. Ai e gjeti shejkhun ulur duke bërë dhikër (përkujtuar Allahun). Ai nuk deshi ta ndërpriste atë derisa ai të përfundonte dhikrin.

Pasi Ibnu Tejmijeh mbaroi dhikrin e përshëndeti atë dhe i tha:

Që sa kohë je këtu?

Ibn Kajimi tha: Që kaq kohë jam duke pritur.

Shejkh Ibn Tejmijeh -Allahu e mëshiroftë- i tha:

”Ky (dhikri) është ushqimi im. Nëse unë nuk e ha ushqimin tim nuk do të kem fuqi për të punuar këtë ditë.”

Pra, dhikri ishte ushqimi i tij -Allahu e mëshiroftë-, i cili i jepte atij fuqinë për t’i kryer punët e asaj dite.

I tillë është muslimani.

Prandaj Ibnu Tejmijeh thoshte:

”Vërtet Allahu ka një xhenet në këtë botë, kushdo që nuk hyn në të nuk do të hyjë në xhenetin e botës tjetër.”

Me këtë kishte për qëllim përmendjen (dhikrin) e Allahut. Dhikri është xheneti i kësaj bote sepse e relakson dhe e qetëson muslimanin, ia zgjeron gjoksin, ia largon hallet dhe ia largon shejtanët. Pra ky është xhenet dhe besimtari e shijon atë më shumë sesa shijon ushqimin dhe pijet dhe epshet e tij.

Prandaj kur të shohësh atë të cilin nuk ka bërë dhikrin e mëngjesit apo të mbrëmjes, e gjen të dekurajuar e të mërzitur e të dëshpëruar. Por nëse është i rregullt në dhikr të mëngjesit e të mbrëmjes, do ta shohësh atë të qetë me gjoks të zgjeruar.

Prandaj përmendja e Allahut (dhikri) është obligim për muslimanin çdoherë dhe gjithmonë, në mëngjes, në mbrëmje, kur bie në gjumë, kur zgjohet natën apo gjatë fjetjes, dhe kur zgjohet. Përmendja e Allahut gjithmonë është në zemrën dhe gjuhën e muslimanit. Ai asnjëherë nuk heq dorë nga dhikri.

E kundërta është me hipokritin, kafirin, idhujtarin dhe njeriun e prishur. Kënaqësia e tyre është në muzikë, instrumente, teatër, shaka dhe komedi. Ata nuk janë të preokupuar me përkujtimin e Allahut -subhanehu ue te ala-. Prandaj Allahu -subhanehu ue te ala- thotë në lidhje me hipokritët:

”Dhe nuk e kujtojnë Allahun veçse fare pak.” An-Nisa, 4:142

Të tillët nuk qetësohen me përmendjen e Allahut por me përmendjen e shejtanit. Allahut i kërkojmë ndihmë!

Përmendja e Allahut e lidh një njeriun me Zotin e tij siç përmendet në një hadhith Kudsi. Allahu -subhaneh- thotë:

”Unë jam me robin Tim. Nëse ai më përmend Mua në veten e tij e përmendi atë në veten Time. Nëse me përmend Mua në tubime, Unë e përmendi atë në tubime që janë edhe më të mira.”

D.m.th. para engjëjve.

Allahu -xhela ue ala- thotë:

”Pra më kujtoni Mua (me adhurime), Unë ju kujtoj juve (me shpërblim dhe mëshirë). Më falënderomëni Mua (duke m’u bindur) e mos i mohoni dhuntitë e Mia (me mosbindje)!” El-Bekare, 2:152

Si mundet që besimtari të heq dorë nga përmendja e Allahut, i cili e afron atë më afër Allahut dhe i jep atij nder që të përmendet nga Allahu, e ta lavdërojë atë në tubimet më të mira?! Këto janë dobi madhështore që përfitohen nga përmendja e Allahu -azze ue xhel-.

Profeti ﷺ e krahasoi robin dhe përmendjen e Allahut, me një person, armiqtë e të cilit e ndjekin me shpejtësi të madhe me qëllim për ta mbytur. Kështu, ai u fut brenda në një fortesë dhe shpëtoi prej tyre.

Profeti ﷺ tha: ”Po ashtu përkujtimi i Allahut është fortesë për muslimanin.”

Ai e mbron atë prej armiqve të tij prej njerëzve dhe xhinëve. Pra, është e nevojshme për muslimanin të jetë i rregullt në përmendjen e Allahut me gjuhë, zemër dhe vepra.


Shpërndaje: