Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja shkak për shpëtimin e këtij Umeti

Imam Salih bin Feuzan el-Feuzan
Përgatiti: www.perlatmuslimane.com

Shumë prej njerëzve e hedhin përgjegjësinë e urdhërimit për të mirë tek të tjerët, duke thënë se kjo (ndryshimi i të keqes) është obligim mbi këtë e atë njeri, është mbi ”Komisionin e Urdhërimit për të Mirë dhe Ndalimit nga e Keqja”… etj. Po, është obligim i madh për këtë komision, dhe kjo është puna e vetme e tyre. Mirëpo, edhe mbi ty ka përgjegjësi. Kjo është përgjegjësi e çdo myslimani. Profeti salAllahu alejhi ue selem thotë:

من رأى منكم منكرا فليغيره بيده فإن لم يستطع فبلسانه فإن لم يستطع فبقلبه و ذلك أضعف الإيمان

“Kushdo prej jush që sheh ndonjë të keqe, atëherë le ta ndryshoj me dorën e tij. Nëse nuk mundet, atëherë le ta ndryshoj me gjuhën e tij, por nëse përsëri nuk mundet, atëherë le ta ndryshoj atë me zemrën e tij. Porse ky është besimi më i dobët.”

Por që të të thuash se ky obligim nuk më takon mua, e qëndron anash me të tjerët duke mos refuzuar të keqen, duke mos ndaluar të tjerët nga ajo, e nuk i këshillon ata, as nuk thërret për tek Allahu, nuk ua përkujton njerëzve atë që duhet; atëherë ky është shkatërrim, ky është shkatërrim! (Në hadithin e mësipërm, thuhej:) “… Nëse nuk mundet (ta ndryshoj të keqen me dorën e tij), atëherë le ta ndryshoj me gjuhën e tij, por nëse përsëri nuk mundet, atëherë le ta ndryshoj atë me zemrën e tij. Porse ky është besimi më i dobët.” Kjo gjë është obligim edhe për ty, ngase ti ke anëtarët e familjes sate. Allahu thotë:

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا قُوا أَنفُسَكُمْ وَأَهْلِيكُمْ نَارًا وَقُودُهَا النَّاسُ وَالْحِجَارَةُ

“O ju, që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët..” 66:6

Ky komision nuk e njeh gjendjen e shtëpisë sate. Personi kompetentë nuk e njeh shtëpinë tënde. Ti je përgjegjës për ata që ke në shtëpi, për gruan, fëmijët dhe mysafirët; ti je përgjegjës përderisa njerëzit kompetentë nuk njohin gjendjen e njerëzve në shtëpinë tënde, prandaj ti je përgjegjësi. Profeti salAllahu alejhi ue selem ka thënë:

كلكم راع و كلكم مسؤول عن رعيته الأمير راع و مسؤول عن رعيته و الرجل راع و مسؤول عن رعيته و المرأة راعية في بيت زوجها و مسؤولة عن رعيتها و الخادم راع في مال سيده و مسؤول عن رعيته فكلكم راع و كلكم ميؤول عن رعيته 

“Secili prej jush është bari (kujdestar) dhe secili prej jush është përgjegjës për tufën e tij. Udhëheqësi është kujdestar dhe përgjegjës për bashkësinë e tij. Burri është kujdestar dhe përgjegjës i familjes së tij. Gruaja është kujdestare në shtëpinë e burrit të saj dhe është përgjegjëse për familjen e saj. Shërbëtori është kujdestar i pasurisë së zotërisë të tij dhe është përgjegjës për tufën e tij. Pra, secili prej jush është bari (kujdestarë) dhe secili prej jush është përgjegjës për tufën e tij.”

Prandaj urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja është detyrë kolektive/e përbashkët dhe myslimani nuk përjashtohet prej kësaj detyre, mirëpo kjo (detyra nga një njeri tek tjetri dallon) varësisht nga shkalla e mundësisë.

Profeti salAllahu alejhi ue selem thotë:

“Kushdo prej jush që sheh ndonjë të keqe, atëherë le ta ndryshoj me dorën e tij.”

I zoti i shtëpisë e ndryshon të keqen e banorëve të shtëpisë së tij me dorën e tij, sepse Ai i ka dhënë autoritet mbi ta, prandaj ndryshoje të keqen me dorën tënde. Largoje të keqen nga shtëpia jote, disiplinojë dhe goditi (ata të cilët janë të padëgjueshëm) në shtëpinë tënde, dhe askush nuk mund të të kundërshtojë në këtë sepse ti je kujdestari i banorëve të shtëpisë sate. Por të thuash se kjo është përgjegjësi e organeve kompetente, nuk është e drejtë. A dëshiron që ta lësh shtëpinë tënde të prishet dhe të thuash, se kjo është përgjegjësi e këtij komisioni! Ky është gabim shumë i madh.

Është obligim i çdo myslimani që ta drejtojë atë të cilën Allahu i ka lënë atij në përgjegjësi. I zoti i shtëpisë është përgjegjës për banorët e shtëpisë së tij, drejtori i shkollës është përgjegjës për shkollën, për mësimdhënësit dhe nxënësit e saj, udhëheqësi i zyrës është përgjegjës për punëtorët të cilët i udhëheq ajo zyre, e kështu me radhë.

Secili ka përgjegjësitë që i takojnë. Prandaj, brenda këtyre kornizave secili urdhëron për të mirë e ndalon nga e keqja dhe thërret për tek Allahu me urtësi e këshillë të mirë. Por, askush nuk duhet të qëndrojë i heshtur, të injorojë të keqën dhe të thotë se, kjo i takon dikujt tjetër! Jo vëllai im. Po, personi i veçantë ka përgjegjësi, por edhe ti gjithashtu ke përgjegjësi. Nuk ka asnjë dyshim se, urdhërimi për të mirë dhe ndalimi nga e keqja është shkak për shpëtimin e Umetit.

Është detyrë e çdo myslimani sipas mundësive që ata kanë, për të urdhëruar për të mirë dhe për të ndaluar nga e keqja. Kjo gjë nuk duhet anashkaluar në asnjë moment përderisa ka mundësi, madje edhe nëse kjo bëhet vetëm me zemër. Nuk ka asnjë njeri i cili nuk ka mundësi që të keqen së paku ta urrej me zemrën e tij, të largohet nga e keqja dhe ta mbrojë familjen e tij nga ajo. Nuk ka asnjë njeri që nuk mund ta bëj këtë. Po, ka mundësi që njeriu të mos ketë mundësi që të keqen ta pengoj me dorë dhe me gjuhë. Por me zemër, nuk gjen njeri që nuk mund ta bëj këtë. Dhe për shkak të kësaj Profeti salAllahu alejhi ue selem ka thënë:

و ليس وراء ذلك من الإمان حبة خردل

“Nuk ka besim përtej kësaj, madje as sa pesha e farës mustardës.”

Ai i cili nuk e refuzon të keqen së paku me zemrën e tij, nuk ka në zemrën e tij besim as sa pesha e farës mustardës. Nëse ai pajtohet me të keqen dhe nuk ndalon nga ajo dhe nuk e urren atë me zemrën e tij, nuk ka iman as sa fara e mustardës.

Ky është një prej shkaqeve të shpëtimit të këtij Umeti.

Shpërndaje: