Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Vazhdo të thuash këtë lutje

Abdurr-Rrazak bin Abdul-Muhsin el-Abbad el-Bedr
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Aishah (radijAllahu anha) ka thënë: “O i dërguari i Allahut! Nëse e gjej natën e Kadrit, çfarë duhet të them: “Ai  u përgjigj:

اللَّهُمَّ إِنَّكَ عَفُوٌّ تُحِبُّ الْعَفْوَ ؛ فَاعْفُ عَنِّي

“Thuaj: “O Allah! Vërtet, Ti je Falës i madh, Ti e do faljen, prandaj më fal mua.”

“Allahumme inneke Afuun tuhibul-afue, fa’fu anni.”

Transmeton Tirmidhi dhe Ibn Maxheh, hadithi është sahi.

Më kujtohet një ngjarje. Unë do ta rrëfej atë vetëm për shkak të dobisë që është në të, jo për ndonjë arsye tjetër, vetëm për shkak të dobisë që është në të. Disa vite më parë në natën e 27 (të Ramazanit), unë kam qenë me babain tim dhe gjyshin tim (Allahu e mëshiroftë) rrugës për në harem (xhaminë e profetit) për të falur teravitë. Ishte një makinë larg shtëpisë e cila kishte lëshuar muzikën me zë të lartë në natën e 27, natën kur kërkohet nata e Kadrit më së shumti. Kështu që unë shkova tek grupi i të rinjve.

U thashë “O të rinj, në qoftë se ju nuk mund të faleni me njerëzit dhe t’i luteni Allahut (azze ue xhel) gjatë kësaj nate të begatë, më e pakta që mund të bëni është të fikni këtë muzikë e cila është me zë të lartë.”

Ata e fikën.

Pastaj unë u thashë atyre këtë hadith, hadithin e Aishes (radijAllahu anha).

Pastaj unë i thashë atij që ishte afër meje: “A e ke mësuar përmendësh këtë lutje?”

Ai tha: “Po.”

I thashë: “Përsërite atë!” Unë dëshiroja që ai ta përsëriste atë, por ai u mundua por nuk mundi.

Kështu që unë i thashë atij përsëri. “Përsërite atë.”

Pastaj ai e përsëriti atë.

I thashë: “Thuaje këtë lutje vazhdimisht.”

Pas afërsisht pesë apo gjashtë viteve, ndërkohë që unë e kisha harruar këtë ngjarje, shkova në një departament fetar në një nga qytetet dhe u takova me njerëzit që punonin aty. Kur takimi mbaroi, pranë meje erdhi një i ri i cili kishte mjekër dhe kishte shenja të mira.

Ai më tha: “A të kujtohet grupi i të rinjve dhe ngjarja e tyre ishte kështu dhe kështu?”

Ai ma kujtoi ngjarjen dhe tha: “Unë kam qenë një prej tyre. Allahu (azze ue xhel) më udhëzoi që nga ajo natë.”

Ai tha: “Nga ajo natë e kam bërë vazhdimisht këtë lutje dhe vazhdimisht e kam përsëritur atë derisa Allahu ma zgjeroi kraharorin tim dhe hoqi nga zemra ime dashurinë që kisha për gjërat e kota dhe të ndaluara.

Për shkak të kësaj unë them ne kemi nevojë për të ndihmuar njëri-tjetrin në lidhje me këto çështje. Sidomos tani me mediat sociale. Nëse ti njeh një të afërm i cili ka mëkate, ka gjynahe, dërgoja atij këtë lutje.

Thuaj atij, unë të këshilloj për hir të fytyrës së Allahut, përsërite këtë lutje.

اللَّهُمَّ إِنَّكَ عَفُوٌّ تُحِبُّ الْعَفْوَ ؛ فَاعْفُ عَنِّي

“Thuaj: “O Allah! Vërtet, Ti je Falës i madh, Ti e do faljen, prandaj më fal mua.”

“Allahumme inneke Afuun tuhibul-afue, fa’fu anni.”

Përsërite shumë herë këtë lutje në dhjetë netët e fundit dhe in sha’a Allah do të shohësh mirësi prej saj.

Shpërndaje: