Imam Ibn Kajim el-Xheuzijeh (v. 751)
Burimi: Ahkam Ahl-idh-Dhimmeh (1/441)
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Nëse të pafetë do të martohen, kanë fëmijë, apo e gjejnë personin e zhdukur, t’i shpëtojnë ndonjë rreziku etj., janë transmetuar disa mendime nga Ahmedi nëse është e lejueshme për t’i uruar ata në këto gjendje apo jo. Në një transmetim, thuhet se ai e lejon një gjë të tillë, ndërsa në një mendim tjetër thuhet se e ndalon atë. Gjykimi i kësaj është i njëjtë sikurse gjykimi i ngushëllimeve (për jobesimtarin) dhe të vizituarit e njeriut të sëmurë (jobesimtar). Nuk ka asnjë ndryshim mes këtyre.
Megjithatë, duhet pasur kujdes në të shprehur, e të mos bëjmë sikurse disa injorantë, mund të nënkuptohet se ti po kënaqesh me fenë e tyre. Një shembull i kësaj është të thuash: “Allahu e bëftë që ta gëzosh fenë tuaj”, “Allahu të forcoftë në fenë tënde” apo “Allahu të nderoftë”.
E në vend të kësaj, duhet të thuash:
“Allahu të forcoftë me Islam”, “Allahu të nderoftë me Islamin”, e urime të ngjashme.
Megjithatë, ka një konsensus se është e ndaluar që t’ua urosh atyre festat dhe ceremonitë që kanë të bëjnë me fenë e tyre, duke i uruar: “Gëzuar Festën”.
Nëse kjo thënie nuk është mosbesim, të paktën është një mëkat i rëndë. Ky mëkat është aq serioz, sa t’i përgëzosh ata kur i bien në sexhde kryqit.
Fakti është se, kjo konsiderohet më keq se të përgëzosh dikë për konsumimin e alkoolit, për vrasjen e një njeriu, për bërjen zina, etj..
Shumë njerëz të cilët nuk e dinë vlerën e fesë, bëjnë këso gabime. Ata nuk e dinë se sa i rëndë është mëkati të cilin ata e bëjnë. Kushdo që uron dikë për një mëkat, një risi apo mosbesim, ka rrezikuar veten e tij që ta kaplojë hidhërimi dhe zemërimi i Allahut.