Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Vepra e parë për të cilën do të pyetet muslimani në Ditën e Gjykimit

Muhammed Ibn Abdul-Vehhab El-Uasabij 

Burimi: Khasaisus Salati fil Islam, faqe. 7-8

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Një nga pikat dalluese të namazit është se ai (namazi) është gjëja e parë për të cilin muslimani do të pyetet në Ditën e Gjykimit. Nëse personi vdes si musliman, ai fillimisht pyetët për namazin dhe se së pari do të gjykohet në lidhje me namazin.

Ndërsa jobesimtari do të hyjë në Xhehenem sido që të jetë.

Allahu i Lartësuar ka thënë:

أُولَئِكَ الَّذِينَ كَفَرُوا بِآيَاتِ رَبِّهِمْ وَلِقَائِهِ فَحَبِطَتْ أَعْمَالُهُمْ فَلَا نُقِيمُ لَهُمْ يَوْمَ الْقِيَامَةِ وَزْنًا

”Të tillët janë ata që nuk besuan argumentet e Zoit të tyre as takimin (ringjalljen) e Tij, andaj veprat e tyre shkuan huq dhe në ditën e gjykimit atyre nuk do t’u japim kurrfarë vlere.” 1

Ata (jobesimtarët) do të futen në Xhehenem.

Vepra e parë për të cilën muslimani do të pyetet dhe do të gjykohet është namazi. Ai do të pyetet për të, para se të pyetet për sadakan, zekatin, agjërimin dhe haxhin.

Nga këto katër shtylla, namazi është më i madhi. Pas shehadetit, namazi është shtylla më e rëndësishme e Islamit. Vepra e parë për të cilën muslimani do të pyetet në Ditën e Gjykimit është namazi. Nëse namazi është në rregull, të gjitha veprat e tjera janë të shëndetshme. Nëse ai nuk është i shëndoshë, të gjitha veprat e tjera janë jo të shëndosha, e gjitha kjo, sepse namazi është adhurim i përditshëm, i cili falet çdo ditë nga pesë herë në ditë.


1 El-Kehf 18:105

Shpërndaje: