Imam Shems-ud-Din bin Kajim-il-Xheuzijeh (v. 751)
Burimi: et-Tibjan fi Aksam-il-Kuran, fq. 143
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Allahu (azze ue xhel) ka thënë:
لَّا يَمَسُّهُ إِلَّا الْمُطَهَّرُونَ
”Atë (Kuranin) e prekin vetëm të pastërtit.”1
Kam dëgjuar Shejkh-ul-Islam Ibnu Tejmijen duke argumentuar nga një aspekt tjetër me këtë ajet, se të papastërtit nuk i lejohet të prekë Mus´hafin, sepse ky ajet jep shenjë se meqë librat që janë në qiell preken vetëm nga të pastërtit, atëherë edhe Libri në duart tona duhet të preket vetëm nga të pastërtit. Hadithi buron nga ky ajet. Profeti (salAllahu alejhi ue selem) ka thënë:
”Askush, pos të pastërtit nuk duhet ta prekë Kuranin.”
Autorët e librave të Suneneve transmetuan nga ez-Zuhri, nga Bekr bin Muhamed bin Amr bin Hazm nga babai i tij, nga gjyshi i tij i cili i tha atij se profeti (salAllahu alejhi ue selem) i dërgoi një letër jemenasve në të cilën ai shkruajti rreth suneteve, obligimeve, dëmshpërblimeve të gjakut dhe se:
”Askush, pos të pastërtit nuk duhet ta prekë Kuranin.”
Imam Ahmedi ka thënë:
”Unë shpresoj që ky hadith të jetë autentik.”
Ai gjithashtu ka thënë:
”Nuk ka asnjë dyshim se i dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue selem) e ka shkruar atë.”
Ebu Umar bin Abdil-Berr ka thënë:
”Letra është e njohur tek historianët, e njohur përgjithësisht tek dijetarët. Ajo është aq e njohur saqë nuk ka nevojë për një zinxhir transmetimi. Ajo është pothuajse transmetuar nga shumë njerëz pasiqë njerëzit e kanë pranuar atë me miratim dhe dije.”
Pastaj ai tha:
”Letra është e njohur tek gjithë dijetarët. Pothuajse çdo gjë që ekziston në të, për të ekziston një konsensus.”
Është transmetuar nga Ibn Hibani në Sahihun e tij dhe nga Maliku në Muatan e tij.
1 El-Vakia 56:79