Imam Salih bin Feuzan el-Feuzan
Përgatiti: www.perlatmuslimane.com
Pyetje: “Disa thonë se thirrja në Teuhid po i përçan radhët e myslimanëve, e ndërsa ata (myslimanët) kanë nevojë të dinë për rrezikun që u kanoset nga Jahuditë dhe të Krishterët. Kërkojmë nga ju që ta sqaroni këtë gjë! Allahu ju dhëntë sukses dhe iu begatoftë!”
Përgjigje: “Unë nuk mendoj se myslimanët janë të ndarë për shkak të Teuhidit, përkundrazi, ata gëzohen për Teuhidin dhe e mësojnë atë. Nuk ikën nga Teuhidi përveç atij i cili është bidatçi ose mushrik- për të cilët nuk po flasim (mushrikët). Myslimanët gëzohen për shkak të Teuhidit që e kanë, e mësojnë atë, e mirëpresin dhe bashkohen zemrat e tyre për shkak të tij. Ndërsa, ai i cili ka hipokrizi apo dyshim në zemrën e tij, është pasues i bidatit apo i shirkiateve, atëherë ikën nga Teuhidi dhe nuk e do atë; kjo gjë nuk merret në konsideratë dhe nuk ka aspak vlerë. Ne nuk mund t’i bashkojmë njerëzit në bidate, shirk dhe në gjëra negative, ne i bashkojmë njerëzit përreth fesë, Teuhidit dhe sinqeritetit ndaj Allahut të Lartësuar.
Kjo është ajo të cilën e dëshirojmë dhe vetëm kjo i bashkon njerëzit. Nuk i ka bashkuar njerëzit asgjë tjetër përveç Teuhidi, ashtu siç thotë Allahu i Madhëruar:
هُوَ الَّذِيَ أَيَّدَكَ بِنَصْرِهِ وَبِالْمُؤْمِنِينَ وَأَلَّفَ بَيْنَ قُلُوبِهِمْ لَوْ أَنفَقْتَ مَا فِي الأَرْضِ جَمِيعاً مَّا أَلَّفَتْ بَيْنَ قُلُوبِهِمْ
“Ai është që të mbështeti ty me ndihmën e Vet dhe me besimtarët. Dhe Ai i bashkoi zemrat e tyre. Edhe sikur të kishe shpenzuar gjithë atë që është në tokë, nuk do të mund t’i bashkoje zemrat e tyre.” (8:62-63)
Me çka Allahu i ka bashkuar zemrat e besimtarëve përveçse me Teuhid? Kur besimtarët thanë: “Nuk ka Zot tjetër me mëritë pos Allahut”, e bënë adhurimin për Allahun dhe e lan shirkun, atëherë u bashkuan zemrat e tyre. Përndryshe, më parë ishin të përçarë, në luftë dhe kacafytje mes vete. Kur i Dërguari i Allahut i thirri me butësi e mirësjellje dhe ata thanë se “Nuk ka Zot tjetër me meritë pos Allahut”, krijuan bindjen dhe vepruan sipas porosive të saj, atëherë Allahu ua bashkoi zemrat e tyre rreth Teuhidit. Imam Maliku (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: “Nuk ka për t’u përmirësuar gjendja e këtij ummeti, përveç me atë që u përmirësua gjendja e të parëve.”