Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

Vizita e varrezave dhe vizita mes te gjallëve në ditën e Bajramit

Imam Muhammed Nasirudin el-Albani (v. 1420)

Burimi: http://alalbany.net/fatawa_view.php?id=4597

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

E kemi thënë disa herë, andaj nuk ka nevojë për ndonjë sqarim më të madh, mirëpo mund të përsërisim shkurtimisht atë që kemi thënë më herët: Vizita e të vdekurve në ditën e Bajramit është prej gjërave të shpikura në fe. Kjo do të thotë të kufizosh atë që Allahu e ka lënë të hapur. Në një hadith autentik thuhet:

”Ju pata ndaluar që të vizitoni varrezat; shkoni dhe vizitoni ato sepse ato ua kujtojnë ahiretin.”

Fjalët e tij: ”Shkoni dhe vizitoni ato”, janë një urdhër i përgjithshëm. Kji nuk mund të kufizohet për një kohë apo vend të caktuar. Nuk i përket njeriut që t’i japë kuptim të kufizuar apo të zgjeruar teksteve të Kuranit dhe sunnetit. Kjo i takon vetëm Zotit të çdo gjëje, i Cili e obligoi të dërguarin e Tij fisnik ﷺ dhe i tha atij:

”Ndërsa ty (o Muhammed) të zbritëm Kuranin, që t’u shpjegosh njerëzve atë që u është shpallur me shpresë se ata do të mendojnë.” 16:44

Po të ishte ndonjë gjë nga shpallja me shprehje gjithëpërfshirëse e që realisht ka kuptim të kufizuar, ai ﷺ do ta sqaronte një gjë të tillë. Apo në qoftë se në ndonjë tekst do të shprehej në formë të përgjithshme, e që kishte për qëllim të specifikonte ndonjë gjë të veçantë, përsëri ai ﷺ do ta sqaronte atë. Kjo është e tëra rreth sqarimeve të shpalljes.

Dhe kur ai ﷺ tha: ”Shkoni dhe vizitoni ato!”

Shprehja është gjithëpërfshirëse, që do të thotë gjatë tërë vitit. Kjo nuk specifikon ndonjë ditë të caktuar, e as ndonjë kohë të veçantë brenda ditës. Qoftë ajo kohë në mëngjes, në mbrëmje, në mesditë etj., ashtu siç konsiderohet vizita e varrezave në ditën e Bajramit të mos jetë e veçantë për atë ditë, ashtu konsiderohet edhe vizita mes të gjallëve të mos jetë e veçantë.

Vizita sipas sheriatit në ditën e Bajramit është lënë pas dore me gjithë keqardhje sepse njerëzit falin namazin e Bajramit në xhamia të ndryshme. Kurse obligimi i të gjithëve është që të mblidhen në vendin e faljes jashtë qytetit. Ku do të ketë vend për tërë banorët e qytetit. Aty ata falin namazin e Bajramit, do të njihen mes vete e do të flasin me njëri-tjetrin. Kjo formë e sunnetit është humbur, ndërsa profeti ﷺ ishte i përpiktë në praktikimin e kësaj forme gjatë tërë jetës së tij. Të dyja vizitat janë në kundërshtim me sunnetin. Vizita e përcaktuar bëhet në ditën e Bajramit, në vendin e faljes së Bajramit. Pra nuk është sunnet të vizituarit e varrezave posaçërisht për Bajram. Në fakt, kjo është një risi. E njëjta gjë vlen edhe që të gjallët të vizitojnë njëri-tjetrin.

Shpërndaje: