Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)
Fataua Islamijjeh 32/1
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Pyetje: Disa gra e kanë zakon që të flasin me mikeshat në lidhje me atë që bisedojnë me burrat e tyre apo në lidhje me atë që ato bëjnë gjatë marrëdhënieve intime. Disa nga ato gjëra ndonjëherë janë sekrete dhe burri nuk dëshiron që dikush tjetër t’i dijë ato. Çfarë është gjykimi mbi zbulimin e sekreteve të tilla që ato ua tregojnë mikeshave apo dikujt prej familjarëve të tyre?
Përgjigje: Këtë vepër të cilën e bëjnë disa gra, pra fjala është për të treguarit se çfarë është thënë në shtëpi, dhe që t’u tregojnë të afërmve dhe shoqeve të tyre në detaje rreth marrëdhënieve intime, kjo është gjë e ndaluar. Nuk është e lejueshme që gruaja t’i zbulojë dikujt sekretet nga shtëpia e saj ose nga punët e saj me burrin e vet.
Allahu -te ala- thotë:
“Gra të mira janë ato të dëgjueshmet, që ruajnë fshehtësitë që ka urdhëruar Allahu.” En-Nisa, 4:34
Profeti ﷺ në një hadith të vërtetë na ka treguar se:
“Me të vërtetë njerëzit me pozitën më të keqe tek Allahu në ditën e kijametit janë burri dhe gruaja që kanë marrëdhënie intime dhe pastaj tregojnë sekretet e tyre.”
Transmeton Muslimi (1437).1
1 Imam Albani thotë: Edhe pse hadithi është transmetuar nga Muslimi e ka një zinxhir të dobët të transmetimit sepse në të është Amar bin Hamzah el-Umer dhe ai është i dobët, tha Ibn Haxheri në “et-Takrib”.
Edh-Dhehebi ka thënë në “Mizan-ul-I’tidal”: “I dobët sipas Jahja bin Main dhe Nesait. Ahmedi tha se hadithet e tij janë të dobëta dhe kontradiktore.”
Pastaj Dhehebi e citoi hadithin aktual dhe tha: “Ky i përket haditheve të dobëta dhe kontradiktor të Umerit.”
Bazuar në thëniet e këtyre imamëve, hadithi është i dobët dhe jo i saktë.
Ibnul-Katani mori një rrugë të mesme dhe tha: “Umeri është i dobët sipas Ibn Mainit, dhe sipas Ahmedit ai tregonte hadithe të dobëta dhe kontradiktore. Prandaj hadithi është i mirë dhe jo i saktë.”
Unë nuk e kuptoj sesi arriti në këtë përfundim, ndoshta sepse hadithi ekziston tek Muslimi. Deri në kohën e shkrimit nuk kam arritur të gjej ndonjë gjë që e forcon këtë hadith, dhe Allahu e di më mirë. (Edeb-uz-Zifaf).