Imam Salih bin Feuzan el-Feuzan
Burimi: www.alfawzan.af.org.sa
Përktheu: Valdet Gashi www.perlatmuslimane.com
Pyetje: Cili është gjykimi që njeriu të ketë zili? Dhe cili është dallimi në mes të zilisë dhe el-gibtah (lakmisë)?
Përgjigje: Zilia është cilësi e fëlliqur, e ulët.
Profeti ﷺ ka thënë:
“Mos keni zili njëri-tjetrin.’’
Zilia është: të shpresosh që vëllai yt të mos e ketë ndonjë të mirë që e ka. Nëse njeriu e sheh se në veten e tij ka zili ndaj vëllait të vet, le të kërkoj mbrojte nga Allahu ndaj zilisë, e të lutet që Allahu t’i jap bereqet vëllait të atij. E -nëse Allahu dëshiron- edhe atij do t’i jap atë që i ka dhënë vëllait të tij.
Thotë Allahu në Kuran:
“Mos i lakmoni ato gjëra, me anë të të cilave Allahu i ka bërë disa nga ju të dallohen mbi të tjerët: meshkujt do të kenë pjesë prej asaj që kanë punuar e po ashtu edhe femrat do të kenë pjesë prej asaj që kanë punuar. Kërkoni prej Allahut nga mirësitë e Tij. Vërtet, Allahu është i Dijshëm për çdo gjë.’’ En-Nisa, 4:32
Siç thamë edhe më herët se zilia është cilësi e fëlliqur dhe e ulët. Ziliqari nuk e dëmton përveçse vetveten. Zilia e mbyt vetëm poseduesin e saj. Prandaj ai që sheh se vetja e tij është prekur nga kjo cilësi, të kërkoj mbrojtjen e Allahut ndaj saj dhe të këqijave të saj, të lutet që Allahu ta furnizojë me të mirat e Tij, vëllain e atij dhe atë po ashtu.
Kurse el-gibtah (lakmia) nuk përmban asgjë nga veçoritë e zilisë sepse lakmi është që njeriu të shpresoj të jetë sikur tjetri të cilit Allahu i ka dhënë të mira: të ketë lakmi ndaj tjetrit për ibadetin, diturinë apo dorëshlirësinë e tij. Andaj e lut Allahun apo shpreson të jetë sikur ai njeri të cilit Allahu i ka dhënë të mira. Kjo cilësi është e mirë dhe personi që e posedon është i lavdëruar. Kurse cilësi e keqe është të shpresosh që vëllai yt të mos e ketë një të mirë pre asaj që u përmend. Ndërsa të shpresoj që Allahu t’ia jap atë që i ka dhënë vëllait të atij dhe e lut Allahun për një gjë të tillë, kjo është e lavdëruar.
Kjo në të vërtetë është el-gibtah (lakmia).
Ka thënë i dërguari i Allahut ﷺ:
“Nuk lejohet zilia (lakmia) përveçse në dy raste: T’ia kesh zili një njeriu të cilit Allahu ia ka mësuar Kuranin, atë e lexon gjatë natës dhe ditës, dhe t’ia kesh zili një njeriu që Allahu i ka dhënë pasuri dhe atë e shpenzon (për hir të Allahut) gjatë natës dhe ditës.” Bukhari (73) dhe Muslimi (816).
Kush shpreson që të jetë sikurse këta të përmendur në hadith, kjo është el-gibtah, kjo është lakmi e pëlqyer, e kurrsesi nuk është prej zilisë.”
Ka thënë i dërguari i Allahut ﷺ:
“Nuk lejohet zilia (lakmia) përveçse në dy raste: T’ia kesh zili një njeriu të cilit Allahu i ka dhënë pasuri dhe ai e shpenzon atë në rrugë të drejtë, dhe ndaj atij të cilit Allahu i ka dhënë urtësi (dituri fetare) dhe ai gjykon me të dhe ua mëson atë të tjerëve.” Bukhari (1/153) dhe Muslimi (816).