Alameh Rabi bin Hadi el-Medkhali
Burimi: Sherh Akidat-is-Salaf ue As’hab-il-Hadith, fq. 299-300
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Imam Sabuni – Allahu e mëshiroftë – ka thënë:
“Ehlus-Sunneti pasojnë selefët prej imamëve të fesë dhe dijetarëve të muslimanëve. Ata kapen për atë që ata ishin të kapur prej fesë së vërtetë e të qartë.”
Do të thotë ata pasojnë imamët e devotshëm të fesë sikurse pasardhësit e sahabëve si p.sh., Seid bin el-Musejjib, el-Kasim bin Muhammed bin Ebi Bekr, Urueh bin ez-Zubejr dhe bashkëkohësit e tyre. E njëjta vlen edhe me ez-Zuhrin apo me tebiinët e tjerë të mëdhenj apo të vegjël.
E njëjta gjë vlen edhe për pasuesit e tebiinëve duke përfshirë Malikun, el-Euzain, eth-Theurin, el-Lejth bin Sadin, Ibn Ujejneh, Hamad bin Zejdin, Hamad bin Selemen dhe shokët e tyre.
E njëjta gjë vlen edhe me pasardhësit e tyre duke përfshirë Jahja bin Seid el-Katan, Abdurr-Rrahman bin Mehdin, Imam Ahmedin dhe imamët e tjerë të njohur për dijen e tyre dhe qëndrimin e tyre të palëkundur në Islam dhe në fenë e Allahut (tebarek ue te ala) dhe për paralajmërimet e tyre ndaj pasuesve të bidateve dhe të devijimeve, Allahu i mëshiroftë ata.
Ehlus-Sunneti pasojnë të vërtetën që këta njerëz e pasuan. Ata veprojnë kështu në përputhje me fjalët e profetit ﷺ:
“Njerëzit më të mirë janë brezi im. Pastaj brezi që vjen pas tyre. Pastaj brezi që vjen pas tyre.” 1
D.m.th. sahabët, pasardhësit e tyre (tebiinët) dhe pasardhësit e tebiinëve (etbai-tebiin). Këta janë njerëzit më të mirë. Në kohën e tyre Islami ishte i fuqishëm. Muslimanët ishin të kapur fort në fenë e tyre. Ai që sillte një risi (bidat) poshtërohej dhe nënçmohej ashpër.
Dhe kushdo që vjen pas tyre nga pasardhësit e Ehlul-Hak ue Ehlus-Sunneh ose nga ata për të cilët thuhet dhe që janë in sha’a Allah, Grupi i Ndihmuar, ecin pas gjurmëve të tyre dhe janë të kapur pas Kuranit dhe sunnetit. Ata pasojnë të dërguarin e Allahut ﷺ dhe shokët e tij sahabët, dhe pasojnë imamët e udhëzimit prej tebiinëve dhe etbai tebiinëve që u përkasin 3 brezave të shkëlqyer, Allahu qoftë i kënaqur me ta!
Pas këtyre tre brezave të shkëlqyer erdhën shumë dijetarë të mrekullueshëm dhe imamë të mëdhenj, si p.sh Bukhari, Muslimi, Ebu Zur’ah dhe Ebi Hatim er-Rrazi. Pas tyre erdhën dijetarë sikurse Darakutni dhe më pas dijetarë si el-Khatib el-Baghdadi dhe pas tyre el-Makadisah në kohën e tyre, Ibnu Tejmijeh dhe në këtë mënyrë, selefizmi me mirësinë e tij ka udhëtuar nëpër breza. Gjithmonë në çdo kohë do të gjendet dikush që do ta ndihmojë të vërtetën dhe që do të jetë i qëndrueshëm në të dhe që i përket Grupit të Ndihmuar dhe kështu ka vazhduar deri në ditët e sotme in sha’a Allah.
1 Bukhari (3651) dhe Muslimi (2533).