Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

1.Pas vdekjes së personit

Imam Salih bin Feuzan el-Feuzan
El-Mulakhas el-Fikhi
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Është e rekomanduar që t’i mbyllen sytë të vdekurit sepse profeti ﷺ ia mbylli sytë Ebu Selemes -radijAllahu anhu- kur ai vdiq, dhe tha:

“Kur shpirti nxirret nga trupi, shikimi e ndjek atë, prandaj thoni vetëm fjalë të mira sepse engjëjt thonë amin për atë që thoni.”

Transmeton Muslimi, Ebu Daudi (3115) dhe të tjerë.

Është sunnet që të mbulohet i vdekuri me një rrobë. Aishah -radijAllahu anha- transmeton:

”Kur profeti ﷺ vdiq, e mbuluan me një rrobë të sipërme.”

Transmeton Bukhari dhe Muslimi.

Pasi të jetë siguruar se personi ka vdekur, duhet nxituar për ta përgatitur për varrim sipas thënies së profetit ﷺ:

”Kufoma e muslimanit nuk duhet të qëndrojë gjatë tek familja e tij.”1

Transmeton Ebu Daudi (3159).

Kështu mbrohet i vdekuri nga ndryshimi.

Imam Ahmedi -rahimehullah- ka thënë:

”Respekti i të vdekurit është nxitimi për ta varrosur atë.”

Megjithatë, është në rregull për të pritur kujdestarin e personit apo dikë tjetër në qoftë se ai është afër dhe nuk kihet frikë se trupi i të vdekurit do të ndryshojë.

Është e lejuar që të shpallet vdekja e muslimanit në mënyrë që të filloj përgatitja dhe në mënyrë që njerëzit të mund të marrin pjesë në varrimin dhe t’ia falin namazin e xhenazes, dhe të luten për të. Por që të shpallet vdekja e personit me anë të pikëllimit të tepërt dhe vajtimit kjo i përket veprimeve injorante, dhe pjesë e kësaj janë edhe tubimet për ngushëllime.

Jemi urdhëruar që të përshpejtojmë për të përmbushur testamentin pasi që kjo përshpejton shpërblimin e Allahut -te ala- sepse Allahu e ka përmendur testamentin para borxhit për shkak të peshës së tij të madhe dhe nxitimit për ta realizuar atë.

Duhet nxituar për të paguar borxhin e të vdekurit pavarësisht nëse i ka borxh Allahut -te ala- si zekat apo haxh, ose nëse ato janë zotime për ibadete apo dëmshpërblime, ose i ka borxh një personi, duhet kthyer huazimet, ato që janë marrë me dhunë ose vullnetarisht, pavarësisht nëse kjo është testamentar apo jo, duke u bazuar në fjalët e profetit ﷺ:

”Shpirti i besimtarit është i varur me borxhin e tij derisa të paguhen borxhi.”

Transmeton Ahmedi dhe Tirmidhi me një zinxhirë hasen.

Do të thotë se borxhet kërkohen prej tij, dhe kjo është thirrje që të nxitohemi për të paguar borxhet e të vdekurit. Kjo vlen për ata që kanë para për të paguar borxhet e tyre. Kurse në lidhje me ata që nuk kanë para dhe vdesin, por ishin të vendosur për ta kthyer borxhin, është transmetuar në hadithe ajo që nënkupton se Allahu do të paguajë për ta.


1 Hadithi është i dobët sipas imam Albanit në “El-Mishkat 1625”.

Shpërndaje: