Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

10.Të gjitha cilësitë e Allahut duhet të besohen pa shtuar gjë dhe pa mangësuar

Autor: Shejkhul Islam Ibnu Tejmijeh (v. 728)

Shpjegues i librit: Imam Abdul-Aziz bin Abdil-lah bin Baz (v. 1420)

Burimi: Sherh el-Akidah el-Uasitijeh, fq. 17-19

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Shtrembërim (tahrif) do të thotë ndryshim i fjalëve duke shtuar ose mangësuar.

Mohim (tatil) do të thotë që cilësitë e Allahut të mohohen apo të keqinterpretohen, apo që kuptimi i tyre të keqinterpretohet.

Pa hyrë në mënyrën (tekjif) do të thotë kur thuhet se ngritja e Allahut mbi arsh është në këtë mënyrë, apo zbritja e Tij është në këtë mënyrë, zemërimi i Tij në këtë mënyrë. Jo. Ehl-us-Sunneti nuk hyjnë në mënyrën e cilësive të Tij.

Krahasim (temthil) do të thotë që për shembull të krahasohet zemërimi i Allahut, ngritja, dëgjimi dhe shikimi me diçka tjetër.

Ehl-us-Sunneti konfirmojnë cilësitë dhe emrat e Allahut në një mënyrë që i përket Atij. Ata nuk ndryshojnë, ata nuk shtrembërojnë, ata nuk krahasojnë, ata nuk mohojnë, nuk imagjinojnë. Parimi i tyre është:

لَيْسَ كَمِثْلِهِ شَيْءٌ ۖ وَهُوَ السَّمِيعُ الْبَصِيرُ

“Asgjë nuk i përngjason Atij dhe Ai është Gjithëdëgjuesi, Gjithëshikuesi.” 1

Kur Imam Maliku (rahimehullah) dhe të tjerët nga selefët u pyetën në lidhje me këtë ai tha:

“Ngritja është e njohur. Mënyra se si është e panjohur. Është e detyrueshme që të besohet në të. Është bidat të pyesësh në lidhje me të.”

Ai (subhanehu ue te ala) është përshkruar me cilësitë e Tij, sikurse Ai i ka përmendur ato pa shtuar ose mangësuar. Ato cilësi janë reale. Ngritja është e vërtetë. Dëgjimi është i vërtetë. Kënaqësia është e vërtetë. Zemërimi është i vërtetë. Ato nuk janë metaforike. Ato janë reale dhe i përshtaten vetëm Allahut.

Ne nuk imagjinojmë, ne nuk krahasojmë, ne nuk ngjasojmë, ne nuk shtrembërojmë. Ne e kuptojmë çdo gjë që është përmendur në Kuran dhe sunnet fjalë për fjalë.

Selefët thanë:

“Kumtojini ato (cilësitë) siç kanë ardhur.”

Do të thotë pa shtrembërim, pa mohim apo pa keqinterpretim. Ne i kumtojmë ato dhe besojmë se ato janë të vërteta, se ato janë cilësitë e konfirmuara të Allahut dhe se Allahu është përshkruar me të vërtetë me to, pa përngjasim, pa krahasimin, pa imagjinim ose mohim. Kështu thonë Ehl-us-Sunneti dhe Xhemati.


1 Esh-Shura 42:11

Shpërndaje: