Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

10.Therja e kurbanit për dikë tjetër përveç Allahut

Autor: Imam Muhamed bin Abdil-Uehab  (v. 1206)

Shpjegues i librit: Imam Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz (v. 1420)

Sherh Kitab-it-Teuhid, fq. 46-48

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Shejkh-ul-Islam Muhamed bin Abdul-Uehab -rahimehullah- ka thënë:

1 – Allahu -te ala- ka thënë:

قُلْ إِنَّ صَلاَتِي وَنُسُكِي وَمَحْيَايَ وَمَمَاتِي لِلّهِ رَبِّ الْعَالَمِينَ لاَ شَرِيكَ لَهُ وَبِذَلِكَ أُمِرْتُ وَأَنَاْ أَوَّلُ الْمُسْلِمِينَ

”Thuaj: “Në të vërtetë, namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime, i përkasin vetëm Allahut, Zotit të botëve. Ai nuk ka asnjë ortak. Me këtë jam urdhëruar dhe unë jam i pari që i nënshtrohem Atij.” En-Am, 6:162-163

2 –

فَصَلِّ لِرَبِّكَ وَانْحَرْ

”Andaj, falu vetëm për Zotin tënd dhe ther kurban!” El-Keuther, 108:2

3 – Aliu -radijAllahu anhu- ka thënë:

”I dërguari i Allahut ﷺ më informoi në lidhje me katër gjykime;

  • Mallkimi i Allahut është mbi atë që ther për dikë tjetër përveç Allahut.
  • Mallkimi i Allahut është mbi atë që mallkon prindërit e tij.
  • Mallkimi i Allahut është mbi atë që strehon bidatçiun.
  • Mallkimi i Allahut është mbi atë që ndryshon kufijtë e tokës.” Muslimi (1978).

4 – Tarik bin Shihab tregoi se i dërguari i Allahut ka thënë:

”Një burrë hyri në xhenet për një mizë, kurse një burrë tjetër hyri në zjarr për një mizë.” Sahabët pyetën: ”O i dërguari i Allahut! Si është e mundur kjo?” Ai tha: “Dy burra kaluan pranë disa njerëzve që kishin një statujë të cilin e adhuronin dhe nuk lejonin askënd të kalonte pa ther diçka për të (për statujën).” Ata e urdhëruan njërin që të therte diçka. Ai tha: ”Nuk kam asgjë për të therë.” Ata i thanë: ”Ther çfarë të duash, qoftë edhe një mizë.” Kështu ai theri një mizë, dhe ata e lejuan që të kalojë, prandaj ai hyri në zjarr. Ata i thanë tjetrit: ”Ther diçka!” Ai tha: ”Kurrë nuk do të theri për dikë tjetër përveç Allahut azze ue xhel.” Ata ia prenë fytin e tij, prandaj ai hyri në xhenet.

Transmeton Ibn Ebi Shejbeh (33037) nga Selmani, Bejhaki në ”Shu’b-ul-Iman (7343)” dhe Ahmedi në ”Ez-Zuhd (1715)”.

Shpjegimi

Kjo tregon se sa i rrezikshëm është ky veprim dhe se ky veprim i përket shirkut të madh siç tregojnë argumentet.

1 – Allahu -te ala- ka thënë:

قُلْ إِنَّ صَلاَتِي وَنُسُكِي وَمَحْيَايَ وَمَمَاتِي لِلّهِ رَبِّ الْعَالَمِينَ لاَ شَرِيكَ لَهُ وَبِذَلِكَ أُمِرْتُ وَأَنَاْ أَوَّلُ الْمُسْلِمِينَ

”Thuaj: “Në të vërtetë, namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime, i përkasin vetëm Allahut, Zotit të botëve. Ai nuk ka asnjë ortak. Me këtë jam urdhëruar dhe unë jam i pari që i nënshtrohem Atij.” En-Am, 6:162-163

قُلْ

”Thuaj!”

Do të thotë ti, Muhamed.

نُسُكِي

”… kurbani im…”

Do të thotë kurbani im, është thënë gjithashtu se do të thotë gjithë adhurimi im duke përfshirë edhe therjen.

وَمَحْيَايَ وَمَمَاتِي

”… jeta ime dhe vdekja ime…”

Unë jetoj dhe vdes, i dedikohem vetëm Allahut, d.m.th. veprat për të cilat dëshmon ajeti u dedikohen vetëm Allahut. Pra ajeti dëshmon se therja e kurbanit është adhurim dhe se i dedikohet vetëm Allahut, pra edhe namazi edhe therja e kurbanit i takojnë adhurimit sepse Allahu i përmendi ato së bashku dhe tha:

وَبِذَلِكَ أُمِرْتُ

”… Me këtë jam i urdhëruar…”

Allahu pra e urdhëroi të dërguarin me këtë veprim.

2 –

فَصَلِّ لِرَبِّكَ وَانْحَرْ

”Andaj, falu vetëm për Zotin tënd dhe ther kurban! El-Keuther, 108:2.

Do të thotë t’i bësh namaz Allahut, dhe të therësh kurban për Të si falënderim për dhuratën e madhe të lumit Keuther. Kjo dëshmon se therja dhe namazi janë adhurim sepse Allahu i ka urdhëruar ato të dyja. Ai që ther kurban për dikë tjetër përveç Allahut, ka bërë shirk sikurse t’i bënte namaz dikujt tjetër pos Allahut. Ai që ther për statujat, xhinët apo për dikë tjetër ai ka bërë shirk.

3 – Aliu -radijAllahu anhu- ka thënë:

”I dërguari i Allahut ﷺ më informoi në lidhje me katër gjykime;

-Mallkimi i Allahut është mbi atë që ther për dikë tjetër përveç Allahut.

– Mallkimi i Allahut është mbi atë që mallkon prindërit e tij.

– Mallkimi i Allahut është mbi atë që strehon bidatçiun.

– Mallkimi i Allahut është mbi atë që ndryshon kufijtë e tokës.Muslimi (1978).

Profeti filloi me ”Mallkimi i Allahut është mbi atë që ther për dikë tjetër përveç Allahut”, sepse idhujtaria është mëkati më i keq. Mallkimi do të thotë përjashtim (nga mëshira e Allahut). Kjo dëshmon se ky veprim i takon mëkateve të mëdha dhe pagane.

Profeti ka thënë:

”Mëkati më i madh prej mëkateve të mëdha është shirku.” Bukhari (2654) dhe Muslimi (87).

Është gjithashtu mëkat i madh të mallkosh prindërit. Kjo vlen edhe nëse mallkon prindërit e dikujt tjetër në mënyrë që ai të mallkon prindërit e tu.

Abdullah ibn Amr tregoi se profeti ka thënë:

”Në të vërtetë, prej mëkateve më të mëdha është që njeriu të mallkojë prindërit e tij.” Ata thanë: ”O i dërguari i Allahut! Si i mallkon njeriu prindërit e tij?” Ai u përgjigj: ”Kur një  njeri ia fyen babanë një personit dhe ky i dyti ia fyen babanë dhe nënën atij (të parit).Bukhari (5973) dhe Muslimi (90).

Fyerja e njerëzve është një nga mëkatet e mëdha.

Profeti ka thënë:

”Fyerja e muslimanit është mëkat kurse vrasja e tij është kufër.” Bukhari (48) dhe Muslimi (64).

Bukhari transmeton fjalët e të dërguarit të Allahut nga Thabit bin edh-Dhahhak:

”Të mallkosh besimtarin është sikurse ta vrasësh atë.” Bukhari (6105) dhe Muslimi (110).

Profeti ka thënë:

”Njerëzit që mallkojnë nuk do të jenë as dëshmitarë e as ndërmjetësues në ditën e gjykimit.” Muslimi (2598). 

Profeti ka thënë: ”Mallkimi i Allahut është mbi atë që e strehon bidatçiun”, kjo do të thotë ai që i mbron pasuesit e bidateve dhe mëkatarët dhe i mbështet ata, është i mallkuar.

Profeti ka thënë: ”Mallkimi i Allahut është mbi atë që ndryshon kufijtë e tokës”, to shenja janë për të dalluar kufijtë e tokave. Ai që i ndryshon ato është i mallkuar sepse kjo mund të shpie në probleme, aksidente dhe grindje. Nën këtë hyjnë edhe shenjat rrugore. Kushdo që i ndryshon ato është i mallkuar gjithashtu.

4 – Tarik bin Shihab tregoi se i dërguari i Allahut ka thënë:

”Një burrë hyri në xhenet për një mizë, kurse një burrë tjetër hyri në zjarr për një mizë.” Sahabët pyetën: ”O i dërguarin i Allahut! Si është e mundur kjo?” Ai tha: “Dy burra kaluan pranë disa njerëzve që kishin një statujë të cilin e adhuronin dhe nuk lejonin askënd të kalonte pa ther diçka për të (për statujën).” Ata e urdhëruan njërin që të therte diçka. Ai tha: ”Nuk kam asgjë për të therë.” Ata i thanë: ”Ther çfarë të duash, qoftë edhe një mizë.” Kështu ai theri një mizë, dhe ata e lejuan që të kalojë, prandaj ai hyri në zjarr. Ata i thanë tjetrit: ”Ther diçka!” Ai tha: ”Kurrë nuk do të theri për dikë tjetër përveç Allahut azze ue xhel.” Ata ia prenë fytin e tij, prandaj ai hyri në xhenet.”

Ibn Ebi Shejbeh (33037) nga Selmani, Bejhaki në ”Shu’b-ul-Iman (7343)” dhe Ahmedi në ”Ez-Zuhd (1715)”. Ibn-ul-Kajimi e ka përmendur atë me një zinxhir të mirë transmetimi.

Tariku i përkiste sahabëve më të rinj. Shpesh ai transmeton nga Ebu Musa el-Esh’ari. Transmetimi pra është përmes një sahabiu i cili nuk është përmendur. Kur një sahabi transmeton nga një sahabi tjetër pa e përmendur atë, transmetimi është autentik.

Profeti tha: ”për një mizë”, do të thotë për shkak të një mize.

Profeti tha: ”statujë”, statujë është një skulpturë e gdhendur. Asaj që i mungon skulptura quhet “idhull”. Edhe statujat mund të quhen “idhuj”.

Profeti tha: ”nuk lejonin askënd të kalonte”, kjo do të thotë se ata nuk lejonin askënd që ta kaloj pranë saj.

”Nuk kam asgjë për të therur”, d.m.th. u arsyetua se nuk ka por nuk e mohoi atë. Ata i dhanë kurajo në atë dhe e urdhëruan të ther një mizë, dhe ai hyri në zjarr. Kjo tregon se therja për idhujt qoftë për një gjë të pavlerë konsiderohet shirk sepse therja nuk lejohet për dikë tjetër pos Allahut.

”Kurrë nuk do të theri për dikë tjetër përveç Allahut azze ue xhel”, profeti tregoi se personi i dytë e refuzoi atë dhe sqaroi se kjo nuk është e lejuar, dhe hyri në xhenet. Kjo mund të përmbajë dy kuptime:

1 – Në sheriatin e tyre nuk kishte arsyetim edhe nëse personi detyrohej me dhunë dhe prandaj ai nuk përdori ndonjë lehtësim për t’i shpëtuar të keqes së tyre. Mund të jetë që ai nuk e mori lehtësimin për shkak të fuqisë së besimit të tij, dhe e mbytën

2 – Nuk u dorëzua për shkak të besimit dhe bindjes së tij të fortë, dhe prandaj e mbytën.

Ndërsa në sheriatin tonë nëse dikush detyrohet me dhunë të bëjë shirk, atij i lejohet ta bëjë këtë për t’i shpëtuar të keqes së tyre, ndërsa zemra e tij është e mbushur me besim.

Allahu -te ala- ka thënë:

مَن كَفَرَ بِاللّهِ مِن بَعْدِ إيمَانِهِ إِلاَّ مَنْ أُكْرِهَ وَقَلْبُهُ مُطْمَئِنٌّ بِالإِيمَانِ وَلَكِن مَّن شَرَحَ بِالْكُفْرِ صَدْرًا فَعَلَيْهِمْ غَضَبٌ مِّنَ اللّهِ وَلَهُمْ عَذَابٌ عَظِيمٌ

“Kushdo që mohon Allahun pas pranimit të besimit (do të dënohet ashpër), përveç atij që është i detyruar me forcë ndërkohë që zemra e tij është plot besim. Ndërsa ata që ia hapin zemrën mosbesimit do të kenë mbi vete zemërimin e Allahut dhe një dënim të madh.” En-Nahl, 16:106

Në këtë rast kur detyrohet me dhunë, atij i lejohet që të dorëzohet edhe në qoftë se ai duhet të shpreh mosbesimin.

Shpërndaje: