Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

11.Çka është shirku dhe cilat janë llojet e tij?

Autor: Imam Abdurr-Rrahman es-Sa’di (v. 1376)
Shpjegues i librit: Alameh Ahmed bin Jahja en Nexhmi (v. 1429)
Burimi: Fet’h Rabb-il-Barijjat ala Kitab Ahamm-il-Muhimmat, fq. 46-51 Përktheu: Valdet Gashi 
www.perlatmuslimane.com

Imam Abdurr-Rrahman es-Sa’di ka thënë:

Pyetja e njëmbëdhjetë: Çka është shirku (idhujtaria) dhe cilat janë llojet e tij?

Përgjigje: Ka dy lloje të shirkut:

1 – Shirku në sundimin e Allahut. Kjo do të thotë që të besosh se ka dikush tjetër përveç Allahut që krijon krijesa dhe mban rendin e tyre.

2 – Shirku në adhurim. Ky shirk përbëhet nga shirku i madh dhe shirku i vogël.

Shirku i madh do të thotë të adhurosh dikë tjetër përveç Allahut pavarësisht se për çfarë lloji i adhurimit është ai. Shembull për këtë është që t’i lutesh dikujt tjetër, të shpresosh në dikë tjetër apo t’i frikësohesh dikujt tjetër përveç Allahut. Kjo e nxjerr personin nga feja dhe është shkak që personi të qëndrojë në xhehnem për gjithmonë.

Ndërsa shirku i vogël janë shkaqet dhe mjetet që shpien në shirkun e madh dhe të cilat nuk nuk janë adhurime. Shembull i kësaj është të betohesh në emër të dikujt tjetër pos Allahut, syefaqësia dhe të ngjashme.”

Shpjegimi

1 – Shirku në besimin se vetëm Allahu është Zot është e rrallë në krahasim me shirkun në adhurim. Ata që mohojnë Allahun dhe pretendojnë se ata janë krijuar nga natyra quhen “ateistë”. Këtë besim e kishte për shembull Bashkimi Sovjetik dhe vendet e tjera që i pasuan ata në këtë.

Edhe disa Sufista bien në këtë shirk. Ata mendojnë se ka njerëz të devotshëm dhe besimtarë që organizojnë krijimin dhe e kanë në disponim atë. I pa të meta është Allahu, i Plotfuqishmi! Shirku i këtyre njerëzve ka të bëjë se krahas Allahut ka edhe zota të tjerë. Ky shirk mezi që ekzistonte në të kaluarën. Shumica e atyre që e mohojnë ekzistencën e Allahut, besojnë në Të në brendësinë e tyre. Allahu (te ala) tha në lidhje me Faraonin dhe popullin e tij:

وَجَحَدُوا بِهَا وَاسْتَيْقَنَتْهَا أَنفُسُهُمْ ظُلْمًا وَعُلُوًّا فَانظُرْ كَيْفَ كَانَ عَاقِبَةُ الْمُفْسِدِينَ

“Dhe ata i përgënjeshtruan ajetet Tona padrejtësisht dhe me mospërfillje edhe pse vetë në veten e tyre ishin të bindur për to. Shih pra se cili ishte fundi i shkatërrimtarëve.” 1

Nga shirku në besimin se vetëm Allahu është Zot është idhujtaria në lidhje me emrat dhe cilësitë e Allahut. Ata që mohojnë emrat dhe cilësitë e Allahut që i përkasin përsosmërisë së Tij (subhanehu ue te ala), janë Xhehmitë, Mutezilitë dhe të tillët. Prej tyre janë edhe ata që i shtrembërojnë emrat dhe cilësitë e Allahut (azze ue xhel) edhe pse dëmi i tyre është më pak se sa i të parëve që u përmendën. Esharitë bësojn vetëm shtatë cilësi të Allahut. Të gjitha cilësitë e tjera i shtrembërojnë. Nga ky aspekt ata i përkasin Xhehmive sepse ata mohojnë të gjitha kuptimet e cilësive të tjera.

2 – Shirku në adhurimin.

Autori (rahimehullah) ka thënë:

“Shirku në adhurim. Ky shirk përbëhet nga shirku i madh dhe shirku i vogël.”

Shirk i madh është që robi t’i kushtojë ndonjë formë të adhurimit dikujt tjetër pos Allahut. Shembull për këtë është ai që adhuron dikë tjetër pos Allahut, shpreson në dikë tjetër pos Allahut, ose i frikësohet në formën e adhurimit dikujt tjetër pos Allahut.

E njëjta gjë vlen edhe për ata që adhurojnë një krijesë me besimin se ai është i devotshëm dhe besimtarë dhe është në gjendje t’i sjell dobi dhe t’i shmang dëmet nga robërit. Si pasojë ata therin kurban për të karshi Allahut, bëjnë tavaf rreth eshtrave apo varrit të tij ose kërkojnë prej tij diçka që vetëm Allahu mund të jep.

Si përmbledhje, ai që i ka kushtuar ndonjë formë të adhurimit dikujt tjetër pos Allahut, ka bërë shirk karshi Allahut (subhanehu ue te ala) dhe i ka dedikuar dikujt tjetër diçka që nuk i përket atij. Prandaj, ai meriton të përjashtohet nga Islami. Ai që vdes në këtë gjendje do të mbetet në xhehenem përgjithmonë.

Frika ndahet në dy lloje:

1 – Frika e natyrshme.

2 – Frika në formën e adhurimit.

Ai që beson se një person i devotshëm dhe besimtarë e di se kush është duke folur për të dhe hakmerret mbi të, pas së cilës ai frikësohet prej tij, atëherë është idhujtar që ka rënë në shirk të madh dhe është përjashtuar nga Islami.

Shembuj të frikës së natyrshme është se njeriu ka frikë se armiku mos po e godet atë ose moa po e mbyt atë, apo se ai frikësohet për shembull nga një luan, një ujk apo një gjarpër. Kjo është një frikë e natyrshme. Kjo është e lejuar. Megjithatë, nuk është me vend që të tejkalohen kufijtë në frikë. Muslimani duhet të lus Allahun që ta mbroj atë kundër frikës dhe gjithë asaj që ka të bëjë me të.

Lidhur me shirkun e vogël autori tha:

“Ndërsa shirku i vogël janë shkaqet dhe mjetet që shpien në shirkun e madh dhe të cilat nuk nuk janë adhurime. Shembull i kësaj është të betohesh në emër të dikujt tjetër pos Allahut, syefaqësia dhe të ngjashme.”

Nga shirku i vogël është syfaqësia e cila shfaqet gjatë veprës. Ka edhe syefaqësi e cila është shtytës i veprës. Kjo e fundit i përket syefaqësisë së hipokritëve dhe është shirk i madh. Allahu (azze ue xhel) ka thënë:

إِنَّ الْمُنَافِقِينَ يُخَادِعُونَ اللّهَ وَهُوَ خَادِعُهُمْ وَإِذَا قَامُواْ إِلَى الصَّلاَةِ قَامُواْ كُسَالَى يُرَآؤُونَ النَّاسَ وَلاَ يَذْكُرُونَ اللّهَ إِلاَّ قَلِيلاً

”Padyshim që hipokritët përpiqen të mashtrojnë Allahun, por është Allahu Ai i Cili i mashtron ata. Dhe kur ngrihen për falje, qëndrojnë me përtaci dhe sa për t’u parë prej njerëzve dhe nuk e kujtojnë Allahun veçse fare pak.” 2

Ata vetëm falen nga frika prej njerëzve dhe bien në llojin e syefaqësisë e cila është shtytës i veprës. Ky është shirk i madh që e nxjerr praktikuesin nga feja. Prandaj sqarohet se syefaqësia përbëhet nga dy lloje:

1 – Syefaqësia e cila që është arsyeja prapa një vepre. Shembuj të kësaj janë përmendur tashmë.

2 – Syefaqësia e cila shfaqet gjatë veprës. Bëhet fjalë për një person i cili për shembull fillon të falet për hir të Allahut kur ndërkohë e vëren se dikush po e shikon atë, ai e zbukuron namazin e tij për hir të shikuesit. Këtu vepra e tij është e prekur nga syefaqësia. Një shembull tjetër është personi që mban fjalim apo ligjëratë dhe vendos që ta zbukurojë atë në mënyrë që ai të lavdërohet dhe të thuhet për të se ai është dijetarë dhe të ngjashme. Këtu vepra e tij preket nga syefaqësia. Ky është shirk i vogël. Ajo ose mund ta anulojë veprën plotësisht apo ta zvogëlojë atë.

Nga shirku I vogël është gjithashtu që mirësitë e Allahut t’i atribuohen dikujt tjetër pos Allahut, i Cili i dhuron ato. Për shembull, praktikues të tillë mund të thonë:

“Po të mos ishte qeni hajdutët do të vinin tek ne.”

Në vend të kësaj duhet të thuhet:

“Po të mos ishte Allahu dhe pastaj ai e tjetri…”

Nuk lejohet të thuhet:

“Po të mos ishte ky dhe ai ajo nuk do të kishte ndodhur.”

Sepse një shprehje e tillë shpie në shirk.


1 27:14.

2 4:142.

Shpërndaje: