Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

11.Shoqërimi

Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)

Burimi: Fet’h Rabb-il-Barijjeh bi Talkhis-ul-Hamauijjeh

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Allahu dhe i dërguari i Tij kanë pohuar se Allahu është me krijesat e Tij. Argumente për këtë nga Kurani ndër të tjera janë fjalët e Allahut (te ala):

وَهُوَ مَعَكُمْ أَيْنَ مَا كُنتُمْ وَاللَّهُ بِمَا تَعْمَلُونَ بَصِيرٌ

”Dhe Ai është me ju kudo që të jeni, Allahu sheh çdo gjë që ju veproni.” 57:4

وَأَنَّ اللَّهَ مَعَ الْمُؤْمِنِينَ

“Allahu është me besimtarët.” 8:19

لَا تَخَافَا إِنَّنِي مَعَكُمَا أَسْمَعُ وَأَرَى

”Mos u frikësoni se Unë (me ndihmën Time) jam me ju, dëgjoj dhe shoh.” 20:46

Argument për këtë nga sunneti ndër të tjera janë fjalët e profetit :

“Besimi më i mirë është që ti ta dish se Allahu është me ty kudo që të jesh.” 1

Ai i tha shokut të tij Ebu Bekrit ndërsa ishin në shpellë:

لاَ تَحْزَنْ إِنَّ اللّهَ مَعَنَا

”Mos u pikëllo (frikëso), Allahu është me ne!” 9:40

Selefët dhe imamët e umetit janë unanim për këtë.

Përkufizimi gjuhësor i shoqërimit është të qenurit së bashku. Megjithatë, nënkuptimi i saj ndryshon nga konteksti në të cilin përdoren. Nganjëherë nënkupton përzierjen. Një shembull i kësaj është kur thuhet se uji është me qumësht. Nganjëherë mund të nënkuptojë kërcënim dhe paralajmërim. Një shembull i kësaj është se ekzekutuesi i thotë keqbërësit të veprës:

“Shko! Unë jam me ty.”

Nganjëherë mund të nënkupton ndihmën dhe mbështetjen. Për shembull, i thuhet personit që kërkon ndihmë:

“Unë jam me ty.”

Këto dhe fjalë të ngjashme që kanë formulime të ngjashme por kuptime të ndryshme, në varësi të asaj që u atribuohen dhe në ato kontekste që përmenden, disa i quajnë fjalë “dyshuese”. Kjo është për shkak se ato e bëjnë dëgjuesin të dyshojë nëse fjala ka një formulim dhe një kuptim tjetër ose formulim dhe kuptim të njëjtë. Fakti është se kjo i takon llojit të fjalëve që kanë të njëjtin formulim dhe kuptim sepse aspekti gjuhësor e vë këtë fjalë me emërues të përbashkët. Që fjala pastaj ka gjykim dhe kuptim të ndryshëm është sepse asaj i shtohen kontekste të ndryshme. Nuk varet nga vetë fjala.

Kur kjo të jetë qartësuar bëhet e qartë se shoqërimi që i atribuohet Allahut është i vërtetë dhe jo metaforik. Megjithatë, shoqërimi i Allahut me krijesat është një shoqërim që i përket vetëm Atij. Nuk është si shoqërimi midis krijesave. Shoqërimi i Allahut është më i lartë dhe më i përsosur. Nuk përbëhet nga ato kuptime nga e cila përbëhet shoqërimi mes krijesave.

Disa nga selefët shpjeguan shoqërimin e Allahut me krijesat si dituri e Tij rreth tyre. Megjithatë, kjo është një pjesë e asaj që nënkupton shoqërimi. Qëllimi i tyre me këtë ishte refuzimi i Xhehmive panteist të cilët thanë se Allahu është kudo me qenien e Tij duke argumentuar me këto tekste sheriatike. Pastaj selefët sqaruan se kjo nuk do të thotë se Ai është me ta me qenien e Tij. Kjo është e pamundur logjikisht dhe fetarisht sepse kjo kundërshton lartësimin e Tij, duke nënkuptuar se Ai mbulohet nga krijesat e Tij gjë që është e pamundur.

Shoqërimi i Allahut me krijesat është dy llojesh, e përgjithshme dhe specifike:

1 – Ajo e përgjithshme do të thotë se Allahu mbulon të gjitha krijesat e Tij (muslimanët dhe kufarët, të devotshmit dhe mëkatarët) me dije, fuqi, mbikëqyrje, sundim dhe gjëra të tjera që janë nën zotërimin e Tij. Ky lloj shoqërimi kërkon që kushdo që e beson atë është vazhdimisht i vetëdijshëm se Allahu (azze ue xhel) e mbikëqyrë njeriun.

Profeti ka thënë:

“Besimi më i mirë është që ti ta dish se Allahu është me ty kudo që të jesh.”

Shembuj të këtij shoqërimi janë fjalët e Allahut (te ala):

وَهُوَ مَعَكُمْ أَيْنَ مَا كُنتُمْ

“Dhe Ai është me ju kudo që të jeni.”

مَا يَكُونُ مِنْ نَجْوَىٰ ثَلَاثَةٍ إِلَّا هُوَ رَابِعُهُمْ وَلَا خَمْسَةٍ إِلَّا هُوَ سَادِسُهُمْ وَلَا أَدْنَىٰ مِنْ ذَٰلِكَ وَلَا أَكْثَرَ إِلَّا هُوَ مَعَهُمْ أَيْنَ مَا كَانُوا ۖ ثُمَّ يُنَبِّئُهُمْ بِمَا عَمِلُوا يَوْمَ الْقِيَامَةِ ۚ إِنَّ اللَّهَ بِكُلِّ شَيْءٍ عَلِيمٌ

 “Nuk bëhet bisedë e fshehtë mes tre vetave veçse Ai është i katërti; e as mes pesë vetave veçse Ai është i gjashti, e as mes më pak vetave dhe as mes më shumë vetave, e të mos jetë Ai me ta, kudo që të jenë. Pastaj Ai do t’i njoftojë ata në ditën e kijametit për gjithë ç’kanë bërë. Vërtet që Allahu është i Gjithëditur për çdo gjë.” 58:7

2 – Shoqërimi specifik do të thotë ndihmë dhe mbështetje atij që i jep. Kjo vlen veçanërisht për ata që e meritojnë këtë si të dërguarit dhe pasuesit e tyre. Ky shoqërim obligon ndaj atij që e beson, përforcimin dhe fuqinë. Shembuj të këtij shoqërimi janë fjalët e Allahut (te ala):

وَأَنَّ اللَّهَ مَعَ الْمُؤْمِنِينَ

“Allahu është me besimtarët.”

إِنَّ اللّهَ مَعَ الَّذِينَ اتَّقَواْ وَّالَّذِينَ هُم مُّحْسِنُونَ

“Ska dyshim se Allahu është me ata që i frikësohen Atij (duke i përmbushur detyrimet ndaj Tij) dhe me ata që janë bamirës.” 16:128

لَا تَخَافَا إِنَّنِي مَعَكُمَا أَسْمَعُ وَأَرَى

”Mos u frikësoni, se Unë (me ndihmën Time) jam me ju, dëgjoj dhe shoh.”

لاَ تَحْزَنْ إِنَّ اللّهَ مَعَنَا

”Mos u pikëllo (frikëso), Allahu është me ne!”

Nëse dikush pyet nëse shoqërimi është cilësi qenësore e Allahut apo cilësi veprore. Shoqërimi i përgjithshme i përket cilësive qenësorë të Allahut pasi që përshkruhet me të përgjithmonë. Sa i përket shoqërimit specifik kjo cilësi është një cilësi veprimi sepse kërkesa e saj varet nga shkaqet e saj. Kjo shfaqet kur shkaqet e saj janë të pranishme dhe anasjelltas.


1 Tabarani në ”el-Kebir” dhe ”el-Ausat”, e cila është përmendur në ”Mexhma-uz-Zaua’id” (1/60), Bejhaki në ”el-Esma ues-Sifat” (907) dhe Ebu Nu’ajm në ”el-Hiljeh” (6/124).

Shpërndaje: