Imam Muhammed bin Muhammed el-Hanbeli el-Menbaxhi
Burimi: Teslijetu Ehlil-Mesaib, fq. 233
Përktheu: Valdet Gashi
Ti ke dëgjuar, Allahu të mëshiroftë. Prandaj shiko këtë rrugë të vështirë, ecjen e vështirë, urën shqetësuese dhe pragun e mundimshëm në të cilin këmbët nuk mund të mbeten të qëndrueshme, ose mendjet nuk mund ta imagjinojnë. I vetmi që është i qëndrueshëm në të është ai të cilin Allahu e forcon me fjalën e qëndrueshme. Ndoshta personit neglizhent të cilit i mungon suksesi dhe ka dëgjuar në lidhje me siratin dhe mendon se ai duket sikurse rrugët e vështira të kësaj bote që kanë përpjetë dhe tatëpjetë. Ai është larg nga këto. Ai nuk e di. Betohem në Allahun se sirati është rruga më e mprehtë se një shpatë dhe më e hollë se një fije floku. Në të djathtë dhe të majtë ka grepa dhe çengela.
Sirati do të jetë në këtë mënyrë kur ti do të detyrohesh që të ecësh në të. Më keq se kaq është se xhehnemi është nën ty. Zemra jote do të tmerrohet kur ta shohësh atë. Veshët do të mbushen me ulërimën e tij. A do të kesh mundësi të ecësh, të qëndrosh apo të zvarritesh? Kur të gjesh vështirësi me ecjen dhe flakët nën ty do të ndizen dhe të gjitha rrugët e shpëtimit janë zhdukur, ti mund të përfitosh vetëm nga veprat e mira dhe pendimi i sinqertë dhe nga falja e mëkateve. Zgjidh tani cilat vepra do të jenë shpëtimi yt dhe cila rrugë që do të sjell dobi ty. Ibn Ebi Dunja transmetoi me zinxhirin e tij të transmetimit se Uehb bin Munebih ka thënë:
“Kam lexuar në Zeburin e Davudit (alejhi-selam): “Allahu (Te ala) ka thënë: “O Davud! A e di se kush e kalon siratin më së shpejti? Ata që janë të kënaqur me gjykimin Tim dhe i kanë gjuhët e tyre gjithmonë të lagura me përmdendjen e emrit Tim.”