Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

13.Zbritja e Allahut në qiellin e dunjasë

Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)

Burimi: Fet’h Rabb-il-Barijjeh bi Talkhis-ul-Hamauijjeh

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Bukhari dhe Muslimi transmetuan nga Ebu Hurejra (radijAllahu anhu) i cili ka thënë se profeti  ka thënë:

“Çdo natë Zoti ynë zbret në qiellin e dunjasë kur të mbetet një e treta e fundit të natës dhe thotë: “Kush më lutet, që t’i përgjigjem atij? Kush më kërkon, që t’i jap atij? Kush më kërkon falje, që Unë ta fal?” 1

Ky hadith është transmetuar nga rreth njëzet e tetë sahabij (radijAllahu anhum). Ehlus-Sunneti janë unanim në pranimin e këtij hadithi.

Zbritja e Allahut (te ala) në qiellin e dunjasë është një nga cilësitë e Tij veprore që lidhet me dëshirën dhe urtësinë e Tij. Zbritja është e vërtetë që i përket madhështisë dhe madhërisë së Tij. Nuk është e saktë të shtrembërosh kuptimin e saj dhe të thuash se kjo do të thotë zbritja e urdhrit, zbritja e mëshirës ose engjëjve të Tij. Ky interpretim është i gabuar për shkak të arsyeve të mëposhtme:

1 – Ky e kundërshton kuptimin e saktë të hadithit. Profeti e ndërlidhi zbritjen me Allahun (te ala). Në esencë diçka ndërlidhet me dikë që e vepron atë. Kur i atribuohet dikujt tjetër ajo konsiderohet një shtrembërim që bie në kundërshtim me esencën.

2 – Një interpretim i ngjashëm nënkupton që fjalia ka një shprehje të fshehur diçka që zakonisht nuk e ka.

3 – As urdhri, e as mëshira e Tij nuk zbresin në këtë kohë specifike të natës. Urdhrat dhe mëshira e Tij zbresin gjatë tërë kohës. Ndoshta dikush thotë se është një urdhër ose mëshirë e veçantë që zbret. Në këtë rast ato nuk kanë nevojë të zbresin fare gjatë tërë kohës. Le të themi se kundërshtimi është i saktë por sipas hadithit kjo gjë zbret në qiellin e dunjasë. Çfarë dobie ka që një mëshire të zbresë në qiellin e dunjasë në mënyrë që profeti të na njoftojë për këtë?

4 – Hadith tregon se Ai që zbret gjithashtu thotë:

“Kush më lutet, që t’i përgjigjem atij? Kush më kërkon, që t’i jap atij? Kush më kërkon falje, që Unë ta fal?”

Askush tjetër pos Allahut (subhanehu ue te ala) nuk mund ta thotë këtë.

Lartësimi i Allahut (te ala) është cilësi qenësore e Tij që kurrë nuk e braktis Atë. Megjithatë, kjo nuk bie në kundërshtim me zbritjen e Tij në qiellin e dunjasë. Këto dy cilësi bashkohen në dy mënyra:

1 – Tekstet në Kuran dhe sunnet i kanë bashkuar ato dhe asnjëherë nuk kanë përmendur ndonjë gjë të pamundur.

2 – Askush nuk është si Allahu në asnjë mënyrë. Zbritja e tij nuk është si zbritja e krijesave në mënyrë që ajo të kundërshtohet nga lartësimi i Tij – dhe Allahu e di më mirë.


1 Bukhari (1145), Muslimi (758), Ebu Daudi (4717), Tirmidhi (3729) dhe të tjerë.

Shpërndaje: