Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

14.Fytyra e Allahut

Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)

Burimi: Fet’h Rabb-il-Barijjeh bi Talkhis-ul-Hamauijjeh

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Ehlus-Sunneti dhe Xhemati besojnë se Allahu në të vërtetë ka fytyrë siç i përket Atij dhe se ajo cilësohet me madhështi dhe lavdi. Kurani dhe sunneti e kanë pohuar fytyrën e Allahut. Allahu (te ala) ka thënë në Kuran:

وَيَبْقَىوَجْه رَبِّكَ ذُو الْجَلَال وَالْإِكْرَامِ

“Por fytyra e Zotit tënd do të mbetet përgjithmonë, plot madhështi dhe lavdi.” 55:27

Sa i përket argumenteve nga sunneti, profeti  ka thënë në lutjen e cila është transmetuar:

”O Allah! Të lutem të më japësh kënaqësinë e shikimit në fytyrën Tënde dhe mallin për të takuar Ty.” 1

Fytyra e Allahut (te ala) i përket cilësive të Tij dhatije (qenësore) të vërtetuara nëpërmjet argumenteve. Allahu në të vërtetë ka fytyrë ashtu siç përket madhështisë së Tij.

Nuk lejohet që fytyra e Allahut të interpretohet si shpërblim për arsyet e mëposhtme:

1 – Kjo e kundërshton kuptimin e drejtpërdrejtë të tekstit sheriatik. Ajo që bie në kundërshtim me kuptimin e drejtpërdrejtë të tekstit sheriatik ka nevojë për argument i cili në këtë rast mungon .

2 – Tekstet sheriatike termin “fytyrë” ia atribuojnë Allahut dhe ajo që i atribuohet Allahut ose është e ndarë prej Tij ose nuk është e ndarë prej Tij. Nëse ajo që i atribuohet Allahut është e ndarë prej Tij, atëherë ajo është krijesë dhe nuk është cilësi e Allahut, siç thuhet p.sh. “shtëpia e Allahut” ose “deveja e Allahut” dhe kjo i atribuohet Allahut për shkak të vlerës dhe pozitës që ka ose për të treguar se ajo ka një posedues dhe krijues.

E nëse ajo që i atribuohet Allahut nuk është e ndarë prej Tij, atëherë ajo është cilësi e Allahut e nuk është krijesë, siç janë dija e Allahut, forca e Allahut, fuqia e Allahut, fjala e Allahut, dora e Allahut, syri i Allahut e kështu me radhë. Pa dyshim, fytyra i takon kësaj kategorie. Kur i atribuohet Allahut, ajo i atribuohet si cilësi e Atij që përshkruhet me të.

3 – Shpërblimi është i krijuar dhe është i ndarë nga Allahu (te ala), ndërsa fytyra është një nga cilësitë e Allahut e cila as nuk është e krijuar dhe as nuk është e ndarë prej Tij. Si mund të interpretohet fytyra si shpërblim?

4 – Fytyra përshkruhet me madhështi dhe lavdi, dhe se ka dritë tek e cila kërkohet mbrojtje, dhe rrezet e dritës së saj do të digjnin çdo gjë ku mbërrin shikimi i Tij.2 Të gjitha këto cilësi pengojnë që ajo të interpretohet si shpërblim – dhe Allahu e di më së miri.


1 Nesai (1305). Hadithi është autentik sipas Ibn Hibanit (509 – el-Mauarid) dhe Albanit në ”es-Sunneh” (424).

2 Transmeton Muslimi (178).

Shpërndaje: