Imam: Muhammed bin Abdil-Uehab (v. 1206)
Shpjegues i librit: Imam Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz (v. 1420)
Sherh Thalathat-il-Usul, fq 22-24
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Shejkh-ul-Islam Muhammed bin Abdil-Uehab -rahimehullah- ka thënë:
Në qoftë se pyetesh: “Si e njeh Zotin tënd?”
Përgjigju: “Përmes shenjave (argumenteve) dhe krijesave të Tij. Shenjat (argumentet) e Tij janë nata, dita, dielli dhe hëna. Krijesat e Tij përfshijnë shtatë qiejt dhe shtatë tokët, ajo çka ato përmbajnë dhe çka ka ndërmjet tyre. Argument për këtë janë fjalët e Tij -te ala-:
وَمِنْ آيَاتِهِ اللَّيْلُ وَالنَّهَارُ وَالشَّمْسُ وَالْقَمَرُ لَا تَسْجُدُوا لِلشَّمْسِ وَلَا لِلْقَمَرِ وَاسْجُدُوا لِلَّهِ الَّذِي خَلَقَهُنَّ إِن كُنتُمْ إِيَّاهُ تَعْبُدُونَ
”Dhe nga shenjat e Tij janë nata dhe dita, dhe dielli dhe hëna. Mos u bini në sexhde as diellit e as hënës, por bini në sexhde vetëm Allahut i Cili i krijoi ato, nëse jeni vërtet që e adhuroni Atë!” Fusilet, 41:37
Pos kësaj Ai -te ala- tha:
إِنَّ رَبَّكُمُ اللّهُ الَّذِي خَلَقَ السَّمَاوَاتِ وَالأَرْضَ فِي سِتَّةِ أَيَّامٍ ثُمَّ اسْتَوَى عَلَى الْعَرْشِ يُغْشِي اللَّيْلَ النَّهَارَ يَطْلُبُهُ حَثِيثًا وَالشَّمْسَ وَالْقَمَرَ وَالنُّجُومَ مُسَخَّرَاتٍ بِأَمْرِهِ أَلاَ لَهُ الْخَلْقُ وَالأَمْرُ تَبَارَكَ اللّهُ رَبُّ الْعَالَمِينَ
”Në të vërtetë, Zoti juaj është Allahu që krijoi qiejt dhe tokën për gjashtë ditë e pastaj u ngrit mbi arsh. Ai me errësirën e natës e mbulon ditën, e cila e ndjek atë; dielli, hëna dhe yjet i nënshtrohen urdhrit të Tij. Vetëm Atij i përket krijimi dhe sundimi. I Shenjtëruar dhe i Lartësuar është Allahu, Zoti i gjithësisë!” El-A’raf, 7:54
Zoti është Ai që adhurohet. Argument për këtë janë fjalët e Tij -te ala-:
يَا أَيُّهَا النَّاسُ اعْبُدُواْ رَبَّكُمُ الَّذِي خَلَقَكُمْ وَالَّذِينَ مِن قَبْلِكُمْ لَعَلَّكُمْ تَتَّقُونَ الَّذِي جَعَلَ لَكُمُ الأَرْضَ فِرَاشاً وَالسَّمَاء بِنَاء وَأَنزَلَ مِنَ السَّمَاء مَاء فَأَخْرَجَ بِهِ مِنَ الثَّمَرَاتِ رِزْقاً لَّكُمْ فَلاَ تَجْعَلُواْ لِلّهِ أَندَاداً وَأَنتُمْ تَعْلَمُونَ
”O njerëz! Adhurojeni Zotin tuaj, i Cili ju krijoi juve edhe ata që ishin para jush ashtu që të jeni të devotshëm (të shpëtuar). Ai, i Cili për ju bëri tokën shtrat (vendbanim) e qiellin kulm, e prej qiellit ju lëshoi shi me të cilin ju siguroi lloje të frutave si ushqim për ju, pra mos i përshkruani Allahut ortak, duke qenë se ju e dini (që Ai nuk ka ortak).” El-Bekare, 2:21-22
Ibn Kethiri -rahimehullah- ka thënë:
“Ai i Cili ka krijuar të gjitha këto gjëra, Ai e meriton adhurimin”
Shpjegimi
Autori -rahimehullah- thotë se në qoftë se ti je musliman, ti pyetesh për mënyrën se si e ke njohur Zotin tënd të Cilin e adhuron, kështu që ti duhet të përgjigjesh se e njeh Atë përmes shenjave dhe krijesave të Tij. Kjo do të thotë se ti e njeh Atë përmes shenjave të Tij të shumta dhe krijesave madhështore që dëshmojnë se Ai është Zot i Fuqishëm dhe Krijues i Gjithëdijshëm i Cili meriton adhurimin.
Të gjitha këto gjithashtu dëshmojnë se Ai krijon çka të dojë, jep dhe ndalon, sjell dobi dhe dëmton. Çdo gjë është në dorën e Tij -subhanehu ue te ala-.
Ai është që ka të drejtë të adhurohet nga ne me anë të bindjes, lutjeve, duke i kërkuar ndihmë dhe përmes gjitha veprave të tjera dhe adhurimeve të cilat ne i kryejmë. Kjo është arsyeja pse Allahu na ka krijuar.
Allahu -te ala- ka thënë:
وَمَا خَلَقْتُ الْجِنَّ وَالْإِنسَ إِلَّا لِيَعْبُدُونِ
”Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.” Edh-Dharijat, 51:56
Kjo do të thotë që të adhurosh vetëm Atë dhe t’i bindesh vetëm Atij, të pasosh librin e Tij dhe të respektosh urdhrat dhe ndalesat e Tij me fjalë dhe me vepra.
Argument i njohjes së Allahut përmes shenjave të Tij janë fjalët e Tij -te ala-:
وَمِنْ آيَاتِهِ اللَّيْلُ وَالنَّهَارُ وَالشَّمْسُ وَالْقَمَرُ لَا تَسْجُدُوا لِلشَّمْسِ وَلَا لِلْقَمَرِ وَاسْجُدُوا لِلَّهِ الَّذِي خَلَقَهُنَّ إِن كُنتُمْ إِيَّاهُ تَعْبُدُونَ
”Dhe nga shenjat e Tij janë nata dhe dita, edhe dielli dhe hëna. Mos u bini në sexhde as diellit e as hënës, por bini në sexhde vetëm Allahut i Cili i krijoi ato, nëse jeni vërtet që e adhuroni Atë!” Fusilet, 41:37
E gjithë kjo argumenton se Ai është Zoti i krijesave dhe Krijues i Gjithëdijshëm. Ai e bën natën që të vijë me errësirën e saj dhe ditën me dritën e saj; kur dita vjen nata zhduket. Ky diell ngritët mbi njerëzit e gjithë botës dhe të gjithë përfitojnë prej tij. E njëjta gjë vlen edhe me hënën gjatë natës dhe ndryshe. Ato i përkasin shenjave madhështore të Allahut. Edhe toka është e tillë me të gjitha malet, lumenjtë, oqeanet, pemët dhe kafshët e saj. Qielli të cilin njerëzit e shohin është gjithashtu një nga shenjat e Allahut që dëshmon Madhërinë e Tij dhe se Ai është Zoti i krijesave, dhe Krijuesi i Gjithëdijshëm i Cili është i vetmi që meriton adhurimin.
Prandaj, Ai tha:
وَمِنْ آيَاتِهِ اللَّيْلُ وَالنَّهَارُ وَالشَّمْسُ وَالْقَمَرُ لَا تَسْجُدُوا لِلشَّمْسِ وَلَا لِلْقَمَرِ وَاسْجُدُوا لِلَّهِ الَّذِي خَلَقَهُنَّ إِن كُنتُمْ إِيَّاهُ تَعْبُدُونَ
”Dhe nga shenjat e Tij janë nata dhe dita, edhe dielli dhe hëna. Mos u bini në sexhde as diellit e as hënës, por bini në sexhde vetëm Allahut i Cili i krijoi ato, nëse jeni vërtet që e adhuroni Atë!”
Kjo do të thotë që ju nuk duhet t’i adhuroni këto krijesa. Adhurojeni Atë -subhanehu ue te ala-, i Cili i krijoi dhe i formoi ato. Ai është që e meriton bindjen dhe nënshtrimin e robit. Urdhrat e Tij duhet të praktikohen dhe ndalesat e Tij duhen shmangur. E gjithë kjo duhet të bëhet nga nderimi dhe adhurimi, frika ndaj ndëshkimit të Tij dhe dëshira për shpërblimin e Tij.