Imam Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz (v. 1420)
El-Mufid fi Mexhelis Shehr Ramadan
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Nata e Kadrit është nata më e mirë. Gjatë kësaj nate Allahu e zbriti Kuranin. Ai (subhaneh) na tregoi se ajo është më e mirë se një mijë muaj dhe e bekuar sepse në të vendoset çdo punë e urtë. Allahu (subhaneh) në fillim të sures “Ed-Duhan” thotë:
“Ha, Mim. Betohem për librin e qartë (Kuranin që i sqaron të gjitha gjërat). Ne e zbritëm atë (Kuranin) në një natë të bekuar (nata e Kadrit). Vërtet që Ne gjithnjë po këshillojmë (njerëzimin nga ndëshkimi i Allahut që do t’i kapë mohuesit e njësisë së Allahut). Në këtë natë vendoset çdo çështje e vullnetit dhe urdhëresave (për vitin tjetër). Si urdhër i përcaktuar nga Ne. Vërtet që Ne gjithnjë po dërgojmë (të dërguar, shpallje). E zbritëm si mëshirë nga Zoti yt. Vërtet që Ai është Gjithëdëgjuesi, i Gjithëdituri.” Ed-Duhan 44:1-6
Allahu (subhaneh) tha:
“Vërtet që Ne e kemi zbritur atë (Kuranin) natën e Kadrit. Dhe çfarë do të të bëjë ty të mësosh se ç’është nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e vlefshme se sa njëmijë muaj! Gjatë saj zbresin melekët dhe Er-Ruh (Xhibrili) me lejen e Allahut me të gjitha vendimet. Paqë! Gjithë atë natë është paqë (dhe mirësi nga Allahu për robët adhurues të Tij) deri me shfaqjen e agimit.” El-Kadr 97:1-5
Është transmetuar në të vërtetë se i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“Ai që falet gjatë natës së Kadrit me besim dhe shpresë për arritjen e shpërblimit të saj do t’i falen të gjitha mëkatet e kaluara.” 1
Të qëndroshë dhe të bësh ibadet në këtë natë përfshirë lutjen, namazin, leximin e Kuranit dhe vepra të tjera të mira. Ky ajet madhështorë dëshmon se veprat gjatë kësaj nate janë më të vlefshme se veprat e një mijë muajve. Kjo është një vlerë e madhe dhe një mëshirë nga Allahu për robërit e Tij.
Muslimanëve u përket që ta madhërojnë atë dhe ta kalojnë atë me adhurim. Profeti ﷺ ka thënë se ajo është në dhjetë netët e fundit të Ramazanit dhe se gjasa është më e madhe që ajo të jetë gjatë netëve tek.
Profeti ﷺ ka thënë:
“Kërkojeni natën e kadrit në dhjetë netët e fundit të Ramazanit dhe përpiquni pas saj çdo natë tek.” 2
Këto hadithe autentike nga i dërguari i Allahut ﷺ dëshmojnë se kjo natë ndërrohet nga një natë në një tjetër gjatë dhjetë netëve të fundit. Pra nata e Kadrit nuk është në të njëjtën natë çdo vit. Ajo mund të jetë nata e 21, 23, 25, 27 ose 29. Ajo gjithashtu mund të jetë një natë çiftë.
Ai që rri zgjuar në të gjitha dhjetët netët me besim dhe shpresë për shpërblim, e ka përjetuar natën pa dyshim dhe ka fituar premtimin e Allahut. Profeti ﷺ ka qenë në veçanti i përkushtuar gjatë këtyre dhjetë netëve.
Aishah (radijAllahu anha) ka thënë:
“Profeti ﷺ ka qenë më i përkushtuar gjatë dhjetë netëve të fundit se sa në netët e tjera.” 3
Ajo gjithashtu ka thënë:
“Kur netët e fundit hynin, ai ishte i zgjuar gjatë netëve. Ai e zgjonte familjen e tij, ka qenë i përkushtuar dhe e lidhte iz’harin (rrobën) e tij (nuk kishte kontakte intime me gratë e tij).” 4
Zakonisht ai i kalonte dhjetë netët e fundit në i’tikaf.
Allahu (azze ue xhel) ka thënë:
”Ju keni shembullin më të lartë në të dërguarin e Allahut.” El-Ahzab 33:21
“Aishah (radijAllahu anha) e pyeti të dërguarin e Allahut ﷺ se çka të thoshe në qoftë se ajo arrin të qëndrojë e zgjuar gjatë natës së Kadrit.
Ai tha:
“Thuaj: “O Allah! Ti je Falës i madh dhe e do faljen. Prandaj më fal mua.” 5
Sahabët e profetit ﷺ dhe pasuesit prej selefëve i madhëronin këto dhjetë netë dhe ishin aktiv në vepra të mira gjatë këtyre netëve.
Është bërë obligim për të gjithë muslimanët që t’i përmbahen rrugës së profetit të tyre ﷺ dhe të sahabëve të tij (radijAllahu anhum) dhe selefëve të umetit. Prandaj ata duhet të qëndrojnë të zgjuar në këto netë për të falur namaz, për të lexuar Kuran, për tu lutur, dhe për të bërë lloje të tjera të adhurimit me besim dhe shpresë për shpërblim në mënyrë që mëkatet e tyre tu falen dhe që ata të shpëtojnë nga zjarri. Kjo është një mirësi dhe bujari prej Tij (subhaneh). Kurani dhe sunneti dëshmojnë se ky premtim është një fakt nëse mëkatet e mëdha shmangen.
Allahu (subhaneh) ka thënë:
”Nëse lagoheni prej mëkateve të mëdha, të cilat u janë të ndalueshme, Ne ju shlyejmë mëkatet e vogla dhe ju fusim në një vend të ndershëm
Nese i shmangeni mëkateve të mëdha që u janë ndaluar juve, Ne ju shlyejmë mëkatet e vogla dhe do t’ju pranojmë në një hyrje madhështore (në xhenet).” En-Nisa’ 4:31
Profeti ﷺ ka thënë:
“Pesë namazet, koha mes dy namazeve të xhumasë dhe koha mes dy Ramazaneve shlyejnë mëkatet mes tyre për deri sa mëkatet e mëdha shmangen.” 6
O muslimanë! Agjërimi është një vepër shumë e mirë. Shpërblimi i tij është i madh, sidomos agjërimi i Ramazanit. Madhërojeni atë, Allahu ju mëshiroftë, me nijet të sinqertë dhe që t’i kushtoni një rëndësi agjërimit të tij, namazit të natës, garimit në vepra të mira dhe nxitimit në pendim të sinqertë për të gjitha mëkatet. Qëndroni larg nga ajo që Allahu dhe i dërguari i Tij ﷺ e kanë ndaluar. Qëndroni larg nga ajo që Allahu dhe i dërguari i Tij ﷺ e kanë ndaluar. Bindjuni Atij vazhdimisht, në Ramazan dhe jashtë tij. Këshilloni njëri-tjetrin për të urdhëruar në të mirë dhe të ndaloni nga e keqja, dhe thirrni në çdo të mirë në mënyrë që ju të fitoni xhenetin, lumturinë, nderin dhe shpëtimin në të dy jetët.
Ne e lusim Allahun që të na mbrojë ne dhe ju dhe nga ajo që shkakton zemërimin e Tij, të pranojë agjërimin tonë dhe namazin e natës, t’i përmirësojë pushtetarët muslimanë dhe të ndihmojë fenë e Tij me anë të tyre, dhe që t’i shkatërrojë armiqtë e Tij me anë të tyre, dhe ti’u bëjë juve të gjithëve që ta kuptoni fenë, dhe të përqëndrohemi stabil në të, dhe të gjykoni dhe të gjykoheni me të në të gjitha çështjet. Ai është padyshim i aftë për çdo gjë.
Salavatet, selamet dhe bekimet e Allahut qofshin mbi robin e Tij dhe të dërguarin e Tij, dhe profetin tonë Muhammedin, mbi familjen e tij, mbi sahabët dhe mbi ata që pasojnë rrugën e tij deri në ditën e gjykimit.
1 Bukhari (1901) dhe Muslimi (760).
2 Bukhari (2021) dhe Muslimi (1165).
3 Muslimi (1175).
4 Bukhari (2024) dhe Muslimi (1174).
5 Tirmidhi (3513), Ibn Maxheh (3850) dhe Ahmedi (25423). Autentik sipas Albanit në ”Sahih-ul-Xhami” (4423).
6 Muslimi (2339).