Imam Muhammed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)
Burimi: Fet’h Rabb-il-Barijjeh bi Talkhis-ul-Hamauijjeh
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Ehlul Sunneti dhe Xhemati besojnë se Allahu (te ala) ka dy duar. Ato janë të shtrira me mirësi dhe dhënie. Ato i përkasin cilësive të Tij qenësore, ato janë të vërteta dhe i përkasin vetëm Atij. Kurani dhe sunneti kanë pohuar duart e Allahut.
Allahu (te ala) ka thënë në Kuran:
مَا مَنَعَكَ أَن تَسْجُدَ لِمَا خَلَقْتُ بِيَدَيَّ
“(Allahu) Tha: “O Iblis! Ç’të ndaloi ty që t’i mos i biesh në sexhde atij të cilin Unë e krijova me dy duart e Mia?” 38:75
Profeti ﷺ ka thënë në sunnet:
“Dora e djathtë e Allahut (azze ue xhel) është plot. Nuk pakësohet nga dhënia e furnizimit gjatë ditës dhe natës. A e shihni çfarë ka shpenzuar Ai që kur krijoi qiejt dhe tokën pa u pakësuar diçka që është në dorën e Tij të djathtë? Arshi i Tij ishte mbi ujë dhe në dorën tjetër të Tij është peshorja me të cilën Ai ul dhe ngre.” 1
Ehl-us-Sunneti pranojnë se ato janë dy duar të vërteta që janë të ndryshme me ato të krijesave. Nuk është e saktë që ato të interpretohen si fuqi, dhurim apo ndonjë gjë tjetër për arsyet e mëposhtme:
1 – Kjo do të thotë që pa dëshmi e braktis kuptimin e vërtetë për një kuptim metaforik.
2 – Në këtë kontekst kuptimi gjuhësor e refuzon atë metaforik. Këtu është për qëllim dora e Allahut (te ala) i Cili tha:
لِمَا خَلَقْتُ بِيَدَيَّ
“Atij të cilin Unë e krijova me dy duart e Mia?”
Nuk është e saktë që kjo do të thotë:
“Atij të cilin e kam krijuar me mirësinë apo fuqinë Time?”
3 – Dy duar i atribuohen Allahut. As Kurani, e as sunneti nuk përmendin se dy mirësi ose dy fuqi i atribuohen Allahut (te ala). Atëherë, si është e mundur që të interpretohen duart si begati apo fuqi?
4 – Nëse dy duart e Allahut do të nënkuptonin fuqi atëherë do të ishte e saktë të thuhej se Allahu e ka krijuar edhe Iblisin me duart e Tij por ky kuptim nuk është i mundur të jetë. Nëse ky kuptim do të ishte i lejuar atëherë Iblisi do të argumentonte kundër Zotit të tij i Cili tha:
مَا مَنَعَكَ أَن تَسْجُدَ لِمَا خَلَقْتُ بِيَدَيَّ
“(Allahu) Tha: “O Iblis! Ç’të ndaloi ty që t’i mos i biesh në sexhde atij të cilin Unë e krijova me dy duart e Mia?”
5 – Allahu e përmend dorën e Tij në kontekste të tilla që kurrë nuk mund të nënkuptojë begati apo fuqi. Si dora, grushti dhe gishtat i janë atribuuar Allahut (te ala). Gjithashtu është pohuar se Ai kap dhe e shtrëngon dorën. Profeti ﷺ ka thënë:
“Allahu do të kapë qiejt e Tij me dorën e Tij dhe tokën me dorën tjetër të Tij. Atëherë, Ai do t’i tund dhe do të thotë: “Unë jam Mbreti.”
1 Bukhari (4684), Muslimi (993), Ahmedi (2/242) dhe Tirmidhi (3045) i cili tha:
“Ky hadith është i mirë e autentik dhe e interpreton ajetin:
وَقَالَتِ الْيَهُودُ يَدُ اللّهِ مَغْلُولَةٌ غُلَّتْ أَيْدِيهِمْ وَلُعِنُواْ بِمَا قَالُواْ بَلْ يَدَاهُ مَبْسُوطَتَانِ يُنفِقُ كَيْفَ يَشَا
”Jehudët thanë: ”Duart e Allahut janë të shtrënguara (Ai nuk dhuron dhe nuk shpenzon nga begatitë e Tij)! Qofshin të shtanguara duart e tyre dhe qofshin të mallkuar ata për çfarë u nxori goja! Përkundrazi, të dy duart e Tij janë gjerësisht të shtrira. Ai dhuron nga begatitë e Tij ashtu siç do Ai.” 5:64
Hadithi është transmetuar nga imamët. Ne besojmë në të siç është kumtuar pa interpretim dhe pa imagjinim. Kështu thanë disa imamë, duke përfshirë Sufjan eth-Theurin, Malik bin Enesin, Ibn Ujejnen dhe Ibn-ul-Mubarakun; ato duhet të transmetohen dhe të besohen pa u imagjinuar.”
2 Bukhari (4812) dhe Muslim (2787).