Shejkh Sulejman Er-Ruhejli
Hak-ku Ez-Zeuxhejni
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Prej të drejtave të tjera të bashkëshortëve lidhur me rastin e aktit të kurorëzimit është shpallja dhe publikimi i martesës, ajo nuk duhet të mbahet e fshehtë duke u bazuar në fjalët e profetit ﷺ:
“Përhapeni lajmin e martesës.“
Transmeton Ibn Hibani (9/4066), Hakimi (2/2748), Ahmedi dhe të tjerët, zinxhiri i transmetimit është autentik sipas Hakimit. Hajthemi ka thënë: ”Transmetuesit e Ahmedit janë të besueshëm.” El-Mexhma (4/531), hadithi është i mirë sipas imam Albanit në ”Edeb-uz -Zafaf, fq. 105″.
Kjo bëhet duke shfaqur gëzimin, duke bërë dasmë, pa e vënë burrin në vështirësi duke shpenzuar shumë apo duke marrë borxhe, kjo duhet bërë sipas mundësive të tij, pa e tepruar në shpenzime.
Profeti ﷺ i tha Abdurr-Rrahman bin Aufit:
”Bëj gosti qoftë edhe me një dele.”
Transmeton Bukhari (5167) dhe Muslimi (1427).
Profeti ﷺ i cili ishte më i miri dhe më i devotshmi i njerëzimit, bëri dasmë kur u martua me Safijjah bint Huxhaxh, bëri dasme me qull dhe hurme. Dasma e kujt ishte kjo? Dasma e të dërguarit të Allahut ﷺ.
Enes bin Maliku – radijAllahu anhu ka thënë:
”Nuk e kam parë të dërguarin e Allahut ﷺ të ketë bërë dasmë për ndonjë nga gratë e tij ashtu siç bëri kur u martua me Zejneben.”
Dasmja e Zejnebes ishte e madhe, i dërguari ﷺ nuk bëri një dasmë të tillë për gratë tjera. A thua si ishte kjo dasme? Sa ishte e madhe?
Enesi -radijAllahu anhu- ka thënë: ”Ai theri një dele.”
Transmeton Bukhari (5168) dhe Muslimi (1428).
Me një dele ishte dasma e të dërguarit të Allahut ﷺ.
Pra siç u përmend dasma duhet të publikohet, shfaqja e gëzimit dhe haresë bëhet duke i rënë defit gratë dhe vajzat, dhe duke kënduar këngë të bukura.
Rubej bint Mueu’uidh -radijAllahu anha- ka thënë: “I dërguari i Allahut ﷺ hyri te unë natën kur u martova, u ul në shtratin tim, ndërsa vajzat e vogla i binin defit dhe këndonin për të parët e mi që kishin rënë dëshmorë në luftën e Bedrit, derisa një vajzë tha:
“Në mesin tonë është e profeti i cili e di se çfarë do të ndodh nesër.”
Profeti tha: “Mos thuaj kështu por thuaje atë që thoshe më parë.”
Transmeton Bukhari (4001).
Profeti ﷺ e miratoi këngën e saj, por e qortoi për fjalët që i tha për të.
Nga Aishah -radijAllahu anha- transmetohet se si ajo e përgatiti një grua (e cila kishte qenë një vajzë jetime që ishte rritur tek ajo), ajo martohej me një burrë nga Ensarët.
Profeti ﷺ tha:
”O Aisheh! A nuk argëtoheni? Vërtet, Ensarëve u pëlqen argëtimi.”
Transmeton Bukhari (5162).
Në një tjetër formulim thuhet:
”A nuk dërguat një vajzë që t’i binte defit dhe të këndonte?”
Unë i thashë: ”E çfarë të këndojë?”
Ai tha: “Le të thotë:
“Erdhëm te ju, erdhëm te ju!
Na përshëndesni, u përshëndesim.
Po të mos ishte ari i kuq ajo nuk do të vinte te ju.
Po të mos ishte gruri nuk do të trasheshin vajzat tuaja.”
Transmeton Taberani në ”el-Eusat (3/3265)” dhe el-Khallal në ”el-Amr bil-Ma’ruf uen-Nahi an-il-Munker, fq. 35″. El-Hejthemi ka thënë: ”Në zinxhiri është Rauuad bin el-Xharrah që është i besueshëm sipas Ahmed bin Hanbelit, Ibn Ma’init dhe Ibn Hibanit. Megjithatë, ka dobësi në të, (el-Mexhma 4/532), hadithi është i mirë sipas imam Albanit në ”Irua’-ul-Ghalil (1995)” dhe ”Tehrim Alat-it-Tarb, fq. 133″.
I dërguari i Allahut ﷺ e mësoi atë se çfarë të thotë.
Profeti ﷺ gjithashtu ka thënë:
”Ndarja mes haramit dhe hallallit është këndimi dhe rrahja e defit.”
Transmeton Tirmidhi (1088), Nesai (3369), Ibn Maxheh (1896) dhe Ahmedi (3/418), hadithi është i mirë sipas Tirmidhiut, zinxhiri është autentik sipas Hakimit (2/2750) dhe Dhehebi u pajtua me të, hadithi është i mirë sipas imam Albanit në ”Edeb-uz-Zafaf, fq. 111″.