Imam Muhamed Nasirudin El-Albani (v. 1420)
Burimi: Sifatu Salat-in-Nebi, fq. 57-59
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Si përfundim mund të thuhet se sahabët kishin kundërshtime në mendime por ata qortuan kundërshtimet dhe i shmangën aq sa mundën. Këtë nuk e bëjnë pasuesit e medhhebeve edhe pse ata kanë mundësi t’i shpëtojnë një pjese të madhe të kundërshtimeve. Ata as nuk pajtohen, as nuk përpiqen për unitet. Në fakt ata miratojnë mospajtimet. Dallimi midis dy palëve është shumë i madh. Nga ky këndvështrimi dallimi është i dukshëm dhe i qartë. Megjithëse sahabët -radijAllahu anhum- kishin mendime të ndryshme brenda çështjeve të fikhut, ata kujdeseshin tepër shumë për të mbetur të bashkuar dhe bënë gjithçka për të shmangur mosmarrëveshjet dhe përçarjet. Për shembull disa e konsideronin të domosdoshëm leximin e bismiLahit me zë para sures El-Fatiha në namaz, ndërsa të tjerët nuk e konsideronin të njëjtën gjë. Disa mendonin se duhej ngritur duart, ndërsa të tjerët nuk e konsideronin të njëjtën gjë. Disa mendonin se prekja e një gruaje e prish abdesin, ndërkohë që të tjerët nuk e konsideronin të njëjtën gjë. Megjithëkëtë, të gjithë faleshin pas një imami të njëjtë. Askush nuk e nënvlerësonte të falurit pas një imami që kishte një mendim tjetër.
Kundërshtimet e pasuesve të verbër janë e kundërta. Prej pasojave të kundërshtimeve të tyre është se ata nuk janë unanim për shtyllën më të madhe pas besimit, përkatësisht namazin. Ata refuzojnë të falen pas një imami pasi që ata mendojnë se namazi i tij është i pavlefshëm ose të paktën i urryer. Këtë e kemi parë dhe dëgjuar1. Si të mos e bëjnë këtë kur disa libra të fikhut thonë se namazi i tij është i urryer ose i pavlefshëm? Rrjedhimisht gjen disa xhami që kanë katër mihrabe ku çdo imam falet me ndjekësit e medhhebit të tij, dhe ka xhami ku njerëzit falen me imamin e tyre ndërsa të tjerët presin që imami i medhhebit të tyre të falet pastaj!
Kundërshtimet në mesin e disa pasuesve të medhhebeve janë më të këqija se kjo. Disa e ndaluan një burrë nga medhhebi Hanefi të martohet me një grua nga medhhebi Shafei. Pastaj erdhi një fetva nga një prej dijetarëve Hanefi, gjithashtu i quajtur “myftiu i njerëzve dhe i xhinëve”, që lejoi një martesë të tillë pasi që një grua nga medhhebi Shafei ka të njëjtin gjykim si një grua jehude apo një grua nasranie (e krishterë)2! Kjo në mënyrë indirekte nënkupton që një burrit nga medhhebi Shafei nuk i lejohet të martohet me një grua nga medhhebi Hanefi sikurse nuk lejohet që një burrë jehudi të martohet me një grua muslimane. Këto dy shembuj janë vetëm maja e ajsbergut. I mençuri njeh pasojat e këqija të kundërshtimeve dhe mospajtimeve të vazhdueshme të gjeneratave të fundit ndryshe nga mospajtimet e selefëve. Mospajtimet e selefëve nuk kishin ndonjë ndikim negativ në shoqëri prandaj ata nuk përfshihen nga ajetet e Kuranit që ndalojnë mospajtimet fetare ndryshe nga gjeneratat e fundit. Allahu na udhëzoftë të gjithë në rrugën e drejtë.
1 Referojuni kapitullit të dytë të librit “Ma la jexhus fih-il-Khilaf, fq. 65-72”, për të parë disa shembuj të kësaj dhe se si disa dijetarë nga El-Ez’heri kanë rënë në këso gjëra.
2 El-Bahr Er-Ra’ik.