Autor: Shejkhul Islam Ibnu Tejmijeh (v. 728)
Shpjegues i librit: Imam Abdul-Aziz bin Abdil-lah bin Baz (v. 1420)
Burimi: Sherh el-Akidah el-Uasitijeh, fq. 24-25
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
مَن ذَا الَّذِي يَشْفَعُ عِنْدَهُ إِلاَّ بِإِذْنِهِ
”E kush është ai që mund të ndërmjetësojë tek Ai përveç se me lejen e Tij?” 1
Do të thotë se askush nuk mund të ndërmjetësojë tek Ai në ditën e gjykimit pa lejen e Tij. Edhe të dërguarit dhe të mirët do të ndërmjetësojnë vetëm kur Allahu (subhanehu ue te ala) u jep atyre leje.
Në këtë jetë, Allahu (subhaneh) urdhëroi të gjithë njerëzit që t’i luten vetëm Atij dhe të ndërmjetësojnë për vëllezërit e tyre për hir të Allahut. Kur dikush i kërkonte profetit ﷺ për ndërmjetësim, ai ﷺ ndërmjetësonte. Kur dikush i drejtohej atij për shërim, për t’i shpëtuar një vështirësie apo të ngjashme, profeti ﷺ lutej për ta.
Ndërsa në ditën e gjykimit askush nuk mund të ndërmjetësojë pa lejen e Allahut. Në këtë jetë ndërmjetësohet me lejen e Tij të përgjithshme. Ai ka lejuar muslimanët të ndërmjetësojnë për njëri-tjetrin dhe tha:
مَّن يَشْفَعْ شَفَاعَةً حَسَنَةً يَكُن لَّهُ نَصِيبٌ مِّنْهَا
”Kushdo që ndërhynë për një çështje të mirë, do të ketë shpërblimin për të.” 2
Allahu (subhaneh) ua ka dhënë leje dhe i ka nxitur në këtë, i ka urdhëruar për bashkëpunimin në mirësi dhe në devotshmëri, dhe që të këshillohen në të vërtetën dhe në durim. Ndërmjetësimi është një formë e këshillimit në të vërtetën dhe mirësi. Ky është i lejuar në këtë jetë me lejimin e Tij të përgjithshëm. Kurse në ditën e gjykimit mund të ndërmjetësohet vetëm pas lejes së Tij të veçantë. Atëherë askush nuk mund të ndërmjetësojë pa lejen e Tij (subhaneh). Prandaj, njerëzit do të shkojnë tek Ademi ﷺ, Nuhu ﷺ, Ibrahimi ﷺ, Musai ﷺ, Isai ﷺ dhe u kërkojnë atyre që të ndërmjetësojnë për të cilën ata kërkojnë ndjesë. Së fundi, ata shkojnë tek profeti ynë Muhammedi ﷺ që do të bjerë në sexhde para Zotit të tij nën Arsh. Ai ﷺ do ta lavdërojë Allahun me lëvdata madhështore, ku atij ﷺ i jepet leje dhe i thuhet atij ﷺ:
“Ndërmjetëso dhe do të përgjigjem.”
1 El-Bekare 2:255
2 An-Nisa’ 4:85