Autor: Imam Ahmed bin Hanbel
Komentues i librit: Alameh Rabi bin Hadi el-Medkhali
Burimi: Komentimi i librit të imam Ahmedit ”Sherh Usul-is-Sunneh” fq. 381-382
Përktheu: Valdet Gashi
Imam Ahmedi (rahimehullah) ka thënë:
”Nuk ka rëndësi nëse disa njerëz nuk janë në gjendje që t’i dëgjojnë ato apo ndiejnë neveri kur i ndëgjojnë ato.”
Ka për qëllim pasuesit e së kotës të cilët nuk janë në gjendje t’i dëgjojnë ato. Pasuesit e së vërtetës i pranojnë ato me kënaqësi.
Imam Ahmedi ka thënë:
”Ai duhet vetëm të besoj në to …”
Ai tha kështu pasi sprovat kishin shpërthyer dhe njerëzit filluan ta mohojnë shikimin e Allahut dhe kishte të atillë që shkaktonin trazira. A ka ndokush që shqetësohet nga hadithi i Ebu Hurejrës (radijAllahu anhu) apo nga ajetet Kuranore lidhur me shikimin? Jo. Nuk ka asnjë njeri që nuk është në gjendje t’i dëgjojë ato me përjashtim të pasuesve të së kotës. Prandaj, ai ka thënë kështu.
Imam Ahmedi ka thënë:
”… dhe nuk duhet të hedh poshtë madje edhe një shkronjë të vetme prej tyre ose nga hadithet e tjera që janë transmetuar nga transmetues të besueshëm.”
Sepse i dërguari i Allahut ﷺ nuk flet sipas epshit të tij. Ai flet vetëm të vërtetën. Abdullah Bin Amr bin el-‘As (radijAllahu anhuma) ka thënë:
”E kisha zakon të shkruaj çdo gjë që dëgjoja nga i dërguari i Allahut ﷺ për ta mësuar përmendësh atë. Atëherë fisi Kurejsh më penguan mua dhe më thanë: ”A po shkruan gjithçka kur i dërguari i Allahut ﷺ është një njeri që flet kur është i zemëruar dhe i lumtur?” Unë u ndala nga të shkruarit dhe ia përmenda këtë të dërguarit të Allahut ﷺ i cili bëri me shenjë drejt gojës së tij dhe tha:
”Shkruaj! Betohem në Atë në dorën e të Cilit është shpirti im se vetëm e vërteta del prej saj.” 1
1 Ebu Daudi (3647), Ahmedi (2/162) dhe Hakimi (1/187). Ahmed Shakir ka thënë: ”Zinxhiri i transmetimit të këtij hadithi është autentik.”