Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

18.”Ato nuk janë të papastra, ato jetojnë në mesin tuaj.”

Autori i librit: Hafidh Ibn Haxher El-Askalani
Shpjegues: Imam Muhamed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)
Esh-Sherh El-Mukhtasar Ala Bulugh-il-Maram
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Hafidh Ibn Haxher El-Askalani -rahimehullah- ka thënë:

13 – Ebu Katadeh -radijAllahu anhu- tha se i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë për macet:

“Macet nuk janë të papastra, ato jetojnë në mesin tuaj.”1

Transmetuar nga ata katër dhe vërtetuar nga Tirmidhi dhe Ibn Khuzejmeh.

Shpjegimi:

Autori -rahimehullah- përmendi hadithet në kapitullin mbi ujin për të zbuluar nëse macet janë të pastra apo të papastra. Dihet mirë që mishi i maceve nuk lejohet të hahet. A do të thotë kjo që macet janë të papastra? Urina e maceve, jashtëqitja dhe qelbja është e papastër. Sidoqoftë, pështyma e tyre nuk është e papastër. Dëshmia e kësaj është se Ebu Katadeh -radijAllahu anhu- lejoi një mace të pinte nga e njëjta enë nga e cila do të merrte abdes. Në atë rast, ai tregoi se profeti ﷺ ka thënë për macet:

“Macet nuk janë të papastra, ato jetojnë në mesin tuaj.”

Djersa dhe pështyma e maceve janë të pastra. Nëse e prek një mace me dorë të lagur, nuk bëhesh i papastër sepse profeti ﷺ tha:

“Macet nuk janë të papastra…”

Ai sqaroi arsyen dhe tha:

“… ato jetojnë në mesin tuaj.”

Do të thotë se macet janë kafshë që përzihen me njerëzit. Çdo gjë që përzihet me njerëzit është e vështirë të shmanget. Për shkak të asaj vështirësie u vendos ky lehtësim. Vështirësitë sjellin lehtësim, aty ku ka vështirësi ka edhe lehtësim.

Allahu -azze ue xhel- ka thënë:

“Ai nuk ju obligoi në fe me ndonjë vështirësi.”2

Pasi që macet qëndrojnë në shtëpitë tona dhe ecin midis enëve të kuzhinës, në ujë, qumësht dhe gjëra të tjera, Allahu e ka anuluar papastërtinë e tyre në mënyrë që ato të jenë të pastra. Është Allahu -azze ue xhel- që vendos se cilat gjëra të jenë të pastra dhe cilat të papastra. Pasi që macet përzihen shumë me njerëzit, Allahu – siç thashë – e ka anuluar papastërtinë e tyre.


1 Ebu Daudi (75), Tirmidhi (92), Nesai (68) dhe Ibn Maxheh (367).

2 22:78.

Shpërndaje: