Imam Ebu Bekr Muhammed bin el-Husajn el-Axhurri (v. 360)
Një përmbledhje nga libri “esh-Shari’ah”
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
146 – Dije – Allahu më mëshiroftë mua dhe ty! – se ka një lloj të Kaderive që thonë se Hasan El-Basri ishte koka e tyre. Kjo është gënjeshtër e qartë. Allahu e ka ngritur Hasanin mbi mendimin e Kaderive. Prandaj ne do të përmendim krejt të kundërtën nga Hasani.
147 – Khalid bin el-Hidhah ka thënë:
“Një njeri erdhi tek ne nga Kufah. Ai e kishte zakon të qëndronte larg nga El-Hasani pasi e kishte mësuar se çfarë ai kishte thënë për kaderin. Një ditë ai u takua me Hasanin dhe e pyeti në lidhje me ajetin:
“E, sikur të kishte dashur Zoti yt, të gjithë njerëzit do t’i bënte njerëz të një feje. Por, ata edhe më tej janë në kundërshtim mendimesh. Përveç atyre që i ka mëshiruar Zoti yt. E, për ata edhe i ka krijuar Ai.” Hud 11:118-119
Hasani i tha:
“Njerëzit të cilët Allahu i mëshiron nuk ndahen. Dhe prandaj Ai i krijoi ata. Ai e ka krijuar xhenetin për banorët e xhenetit dhe xhehenemin për banorët e xhehenemit.” Nga ajo ditë njeriu e kishte zakon që ta mbronte Hasanin.”
148 – Hasan El-Basri ka thënë:
“Ngjyra është tharë, vendimi është marrë dhe kaderi është përmbushur në mënyrë që të veprojmë sipas asaj që është shkruar në Libër, të pohojmë të dërguarit, të arrihet lumturia në qoftë se vepron dhe të kesh frikë dhe të përjetosh fatkeqësinë në qoftë se shtyp dhe tejkalon kufijtë.”
149 – Hasan El-Basri ka thënë në lidhje me ajetin:
“Kështu pra, me të vërtetë ju dhe ata të cilët ju i adhuroni. Nuk mundeni të humbni (të largoni ndonjë nga besimtarët nga Allahu). Përveç atyre që janë paracaktuar të digjen në xhehenem! “ Es-Saffat 37: 161-163
“Shejtanët i vënë në sprovë vetëm ata të cilët Allahu (azze ue xhel) ka vendosur që të hyjnë në xhehenem.”
150 – Khalid bin el-Hidhah ka thënë:
“Hasani nuk fliste rreth kaderit kur unë shkova në udhëtim. Pastaj kur u ktheva, dëgjova se si njerëzit thoshin se Hasani ka thënë këtë dhe atë. Unë shkova në shtëpi tek ai dhe i thashë: “O Ebu Said! A u krijua Ademi ﷺ për në qiell apo për në tokë?” Ai tha: “Çfarë pyetje është kjo, o Ebu Menazil?” I thashë: “Unë dua të di.” Ai tha: “Ai ﷺ u krijua për në tokë.” I thashë: “Çfarë mendon ti nëse ai kishte qëndruar larg nga pema dhe nuk kishte ngrënë prej saj?” Ai tha: “Ishte e domosdoshme që ai të hante prej saj, sepse ai u krijua për në tokë.”
151 – Hasani ka thënë:
“Ai që e mohon kaderin, e mohon Allahun. Vërtetë Allahu (azze ue xhel) ka paracaktuar krijimin, jetë gjatësinë, kohëzgjatjen e sprovave dhe gjatësinë e shpërndarjes. Ai që pastaj e mohon kaderin, e mohon Kuranin.”
152 – Pretendimit të Kaderive lidhur me Hasanin i erdhi fundi. Ata pretendojnë se ai është imami i tyre, i habisin njerëzit dhe gënjejnë në lidhje me Hasanin. Ata janë hutuar shumë dhe kanë bërë humbjen më të madhe.