Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

19.Bërja Tavaf-ul-Kudum

Imam Muhammed Nasirudin el-Albani (v. 1420)

Burimi: Manasik-ul-Haxh uel-Umrah, fq. 21-22

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

34 – Pastaj, fillon tavafi rreth Qabes. Gjatë tavafit Qabja duhet të jetë në të majtë të haxhiut.

Tevafi përbëhet nga shtatë rrotullime dhe duhet të bëhet prapa Hixhrit (murit harkor që gjendët pranë Qabes). Ai që ecë rrotull Qabes duke pasur gurin e zi si pikënisje të tij, ka ecur një rrotullim të tërë.

Gjatë tërë tavafit, rroba e sipërme (e burrave) duhet të lidhet nën krahun e djathtë në mënyrë që krahu i djathtë të zbulohet. Tre rrotullimet e para bëhen me vrapim të lehtë. Vrapimi fillon tek Hixhr dhe mbaron tek Hixhr. Rrotullimet e tjera bëhen duke ecur.

35 – Në çdo rrotullim këndi i Jemenit duhet të preket dhe jo të puthet. Nëse nuk është e mundur të preket ai, nuk është e nevojshme të bëhet me dorë kah ai.

36 – Midis këndit të Jemenit dhe gurit të zi thuhet:

رَبَّنَا آتِنَا فِي الدُّنْيَا حَسَنَةً وَفِي الآخِرَةِ حَسَنَةً وَقِنَا عَذَابَ النَّارِ

“O Zot! Na jep të mirën në këtë jetë dhe të mirën e jetës së përjetshme dhe na kurse nga vuajtja e zjarrit!”1

37 – Duhet pasuar profetin (salAlahu alejhi ue selem) dhe nuk duhet prekur këndin e Levantit.


1 Transmetuar nga Ebu Davudi dhe të tjerët. Disa e kanë vërtetuar atë. Shih “Sahih Ebi Davud” (1653).

2 Shejkhul-Islam Ibnu Tejmijeh ka thënë:

“Prekja bëhet me dorë. Pjesa tjetër e Qabes, vendi i Ibrahimit, të gjitha xhamitë e botës dhe muret e tyre, profetët dhe varret e njerëzve të mirë (duke përfshirë dhomën e profetit tonë (salAllahu alejhi ue selem), shpellën e Ibrahimit, vendfaljet e profetit tonë (salAllahu alejhi ue selem) dhe shkëmbin në Jeruzalem nuk duhet të preken as nuk duhet të puthen. Umeti janë unanim në lidhje me këtë. Përveç kësaj, konsiderohet prej bidateve më të rënda dhe më të ndaluar bërja tavaf rreth këtyre objekteve. Ati që ia shton këtë veprim fesë duhet të qortohet; ai ose pendohet ose ekzekutohet.”

Sa e bukur që është ajo që transmetuan Abdurr-Razzaku (8945), Ahmedi dhe el-Bejhaki nga Jala bin Umejjeh i cili ka thënë:

“Një herë bëra tavaf me Umer ibn el-Hattabin (në një transmetim tjetër përmendet Uthmani) (radijAllahu anh). Kur arrita tek qoshi pas derës që është pas gurit, e ngrita dorën e tij që ai ta prek atë. Ai tha: “A nuk ke bërë tavaf me të dërguarin e Allahut (salAllahu alejhi ue selem)?” I thashë: “Po.” Ai tha: “A e ke parë atë duke e prekur atë?” Unë i thashë: “Jo.” Atëherë ai tha: “Vazhdo të ecësh! Me të vërtetë ke një shembull të mirë në të dërguarin e Allahut (salAllahu alejhi ue selem).”

Shpërndaje: