Imam Muhammed bin Hiban el-Busti
Raudatul-‘Ukala ue Nuz’hetul-Fudala
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
1 – I mençuri duhet ta dijë se ai që e do atë nuk ia ka zili dhe se ai që nuk ia ka zili nuk i bëhet armik asnjëherë. Prandaj duhet pasur kujdes ndaj armikut të fshehur më shumë sesa ndaj armikut të hapur.
2 – Për të mençurin është më së miri që të qëndrojë larg nga të gjitha llojet e armiqësive sesa të hyjë në to.
3 – El-E’uer ka treguar se Ismai’li ka thënë:
“Armiqësinë e një personi mos e blej qoftë edhe me dashurinë e 1000 njerëzve.”
4 – Nuk i lejohet të mençurit që të hakmerret për të keqen që ia bën dikush. Gjithashtu nuk i lejohet që të mallkojë dhe të përgojojë armikun e tij. Ndihma më e mirë kundër armikut është korrigjimi i të metave dhe fshehja e të metave në mënyrë që armiku të mos arrijë tek ai.
5 – I mençuri shikon se ku do të vejë këmbën para se të hedhë hapin, pastaj i afrohet armikut gjithnjë e më afër por jo aq afër që ai të mund të hidhet mbi të. I mençuri nuk urren përderisa dashurinë e sheh si zgjidhje. Ai nuk urren dikë me të cilin duhet të jetojë, as armikun e zemëruar dhe të padurueshëm. Këtu e vetmja zgjidhje është ikja prej tij.
6 – Pozita më stabile ndaj armikut është të mos flitet keq për të përderisa nuk është koha për një gjë të tillë. Fitorja më e lehtë ndaj armikut është që armiqtë tuaj të merren me njëri-tjetrin.
7 – Ibnus-Simak ka thënë:
“Mos u frikëso nga ai i cili ruhesh por nga ai të cilit i beson!”
8 – Armiqësia e krijuar pas miqësisë me dikë është shumë e shëmtuar ndërsa i mençuri nuk e bën një gabim të tillë. Nëse ndodh që ai të bie në këtë, ai gjithnjë e lerë një hapësirë që të kthehet prapa dhe të përmirësohet.
9 – Abdullah bin Hasan i ka thënë birit të tij Muhammedit:
“Të këshilloj që të kesh kujdes e të mos armiqësohesh me askënd prej njerëzve sepse armiqësia nuk të shpëton nga planet fatkeqe e dinake të armikut të mençur dhe as nga sulmet e papritura të injorantit.”
10 – I mençuri kurrë nuk ka armiqësi ndaj askujt sepse armiqësia patjetër do të jetë ndaj njërit prej dy personave: armikut të mençur nga planet dinake të të cilit kurrë nuk mund të jesh i sigurt ose ndaj injorantit sulmet e të cilit gjithnjë janë të atypëratyshme dhe asnjëherë nuk je i sigurt nga ai.