Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

19.Kurani i pa shembull

Imam Ebul-Husejn Muhammed bin Ebi Ja’la el-Hanbeli (v. 526)

Burimi: Kitab-ul-I’tikad, fq. 36-37

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

[19] Prej tyre është libri i Tij që mbizotëron mbi të gjitha librat e tjera dhe që informon në lidhje me to, dëshmon për to dhe i konfirmon ato. Ai nuk i ngjan as poezisë apo shkrimeve. Ai është larg çdo fjale tjetër. Ai mbizotëron dëgjimin dhe të kuptuarit. Gënjeshtra nuk mund t’i afrohet as duke shtuar, e as duke e mangësuar atë. Është një shpallje nga i Urti, nga Ai të Cilit i përket çdo hamd dhe lavdërim. Njerëzit dhe xhinët nuk janë në gjendje të vijnë me diçka të ngjashëm edhe nëse do të bashkëpunonin me njëri-tjetrin. Është një libër që përbëhet nga stili, mrekullia, shpjegimi, thuktësia, elokuenca, paralajmërimet, qortimet, urdhëresat e të gjitha të mirave, moralet, normat, ndalesat e të gjitha të këqijave dhe urdhërimin e të gjitha adhurimeve madhështore si abdesi, namazi, agjërimi, zekati, haxhi, lufta, prerja e kurbanit, besueshmëria, besnikëria, frika, shpresa dhe të gjitha llojet e tjera të panumërta. Kur populli i profetit ﷺ i thanë atij:

ائْتِ بِقُرْآنٍ غَيْرِ هَذَا أَوْ بَدِّلْهُ

“Na sill neve një Kuran tjetër ose ndryshoje këtë.”

Profeti ﷺ tha:

مَا يَكُونُ لِي أَنْ أُبَدِّلَهُ مِن تِلْقَاء نَفْسِي إِنْ أَتَّبِعُ إِلاَّ مَا يُوحَى إِلَيَّ

“Thuaju (O Muhammed): “Nuk më takon mua ta ndryshoj atë sipas vullnetit tim. Unë vetëm pasojë atë që më shpallet mua.”1

Do të thotë se kjo vjen nga Zoti im. Pastaj ai ﷺ u tha atyre:

لَّوْ شَاء اللّهُ مَا تَلَوْتُهُ عَلَيْكُمْ وَلاَ أَدْرَاكُم بِهِ فَقَدْ لَبِثْتُ فِيكُمْ عُمُرًا مِّن قَبْلِهِ أَفَلاَ تَعْقِلُونَ

Thuaj: “Sikur të kishte dashur Allahu, unë nuk do t’ua kisha lexuar juve atë, as nuk iu kisha njoftuar me të. Unë para tij kam jetuar një kohë në mesin tuaj (as nuk kam ditur, as nuk kam lexuar), a nuk mendoni?”2

Me fjalë të tjera unë jam dyzet vjeçar dhe jetim, i varfër dhe analfabetë, dhe kurrë nuk kam shkuar te ndonjë mësues, magjistar, fallxhor apo poet. A nuk duhet të mendoni? Ju e dini se vetëm Allahu është në gjendje të sjellë ajete të ngjashme – ju nuk keni qenë në gjendje ta bëni këtë dhe gjithashtu nuk do të jeni në gjendje ta bëni këtë.

Allahu e bëri këtë ajet të mbizotëronte në jetën e tij dhe pas vdekjes së tij pa qenë në gjendje të del dikush me ndonjë gjë të tillë. Askush nuk ka arritur të paraqesë një sure të ngjashme me Kuranin për sa i përket ajeteve të tij, përpilimin, besueshmërinë, kuptimet e vërteta dhe njohuritë madhështore. Po kështu njerëzit nuk kanë qenë në gjendje të përfshijnë kuptimin e tij ose të fitojnë njohuritë e tyre përfundimtare. Veç kësaj profeti ﷺ njoftoi për popujt e më hershëm dhe të më vonshëm:

غُلِبَتِ الرُّومُ فِي أَدْنَى الْأَرْضِ وَهُم مِّن بَعْدِ غَلَبِهِمْ سَيَغْلِبُونَ فِي بِضْعِ سِنِينَ

“Romakët u mposhtën. Në tokën e afërt (më të ulët, – në Irak dhe Sham: Siri, Palestinë, Jordani) dhe pas humbjes ata do të jenë fitimtarë, brenda tri deri nëntë vitesh.”3

سَيُهْزَمُ الْجَمْعُ وَيُوَلُّونَ الدُّبُرَ

“Grupi do të pësojë disfatë dhe ata do të kthehen prapa.”4

Ai informoi në lidhje me këtë para se të ndodhte.

Allahu (te ala) tha:

تِلْكَ مِنْ أَنبَاء الْغَيْبِ نُوحِيهَا إِلَيْكَ مَا كُنتَ تَعْلَمُهَا أَنتَ وَلاَ قَوْمُكَ مِن قَبْلِ هَذَا

“Këto janë disa nga rrëfimet e panjohura për ty, që po t’i shpallim ty, e që para këtij (Kuranit) nuk i ke ditur as ti as populli yt.”5


1 10:15.

2 10:16.

3 30:2-4.

4 54:45.

5 11:49.

Shpërndaje: