Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

2.Si ta mirëpresim Ramazanin?

Imam Abdul-Aziz bin Abdullah bin Baz (v. 1420)
El-Mufid fi Mexhelis Shehr Ramadan
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

O besimtarë muslimanë! Po na vjen një muaj madhështor, e ai është muaji i agjërimit, muaji i Ramazanit.

Gjatë këtij muaji gjatë netëve (ne) rrimë më shumë zgjuar dhe falim namaz. Gjatë këtij muaji disa njerëz lirohen nga xhehenemi, ndërsa të tjerëve Allahu ua fal mëkatet.

Gjatë këtij muaji jepet sadaka dhe bëhen vepra të mira. Gjatë këtij muaji hapen portat e xhenetit dhe veprat e mira shpërblehen shumëfish.

Gjatë këtij muaji pakësohen mëkatet, lutjet pranohen, njerëzit ngrihen në grada të larta dhe mëkatet falen. Gjatë këtij muaji Allahu i begaton robërit e Tij dhe të afërmve të Vet u jep favore të shumta.

Allahu ka bërë që agjërimi gjatë këtij muaji të jetë një nga shtyllat e Islamit. I zgjedhuri i Allahut, Muhamedi (salAllahu alejhi ue selem) e ka agjëruar atë dhe urdhëroi njerëzit që ta agjërojnë.

Ai na tregoi se, kush agjëron dhe falet gjatë netëve me bindje të plotë duke shpresuar shpërblimin e Allahut, mëkatet e tij të mëparshme do t’i falen nga Ai.

Në këtë muaj është një natë (nata e kadrit) që është më e mirë se një mijë muaj. Personi i cili privohet nga mirësia e saj është një humbës i vërtetë.

Mirëpriteni atë Allahu ju mëshiroftë ju! Mirëpriteni me gëzim, lumturi dhe vendosmëri që ta agjëroni atë, të faleni gjatë netëve të tij dhe të garoni në vepra të mira.

Merrni iniciativën shpejt dhe pendohuni për të gjitha mëkatet dhe gabimet tuaja. Këshilloni njëri-tjetrin dhe ndihmohuni mes vete në atë që është e mirë dhe në devotshmëri.

Këshilloni njëri-tjetrin që të urdhëroni në të mirë dhe të ndaloni nga e keqja, dhe të thërrisni në çdo të mirë në mënyrë që ta fitoni xhenetin dhe shpërblimin madhështor.

Është konfirmuar nga i dërguarit (salAllahu alejhi ue selem) se e kishte zakon që t’i përgëzojë shokët e tij për ardhjen e Ramazanit. Ai e kishte zakon tu tregonte atyre se mëshira dhe portat e xhenetit hapen gjatë kësaj kohe, ndërsa portat e xhehenemit mbyllen dhe shejtanët lidhen me zinxhirë.

Ai (salAllahu alejhi ue selem) ka thënë:

“إِذَا كَانَ أَوَّلُ لَيْلَةٍ مِنْ شَهْرِ رَمَضَانَ صُفِّدَتْ الشَّيَاطِينُ وَمَرَدَةُ الْجِنِّ ، وَغُلِّقَتْ أَبْوَابُ النَّارِ فَلَمْ يُفْتَحْ مِنْهَا بَابٌ ، وَفُتِّحَتْ أَبْوَابُ الْجَنَّةِ فَلَمْ يُغْلَقْ مِنْهَا بَابٌ 

، وَيُنَادِي مُنَادٍ يَا بَاغِيَ الْخَيْرِ أَقْبِلْ وَيَا بَاغِيَ الشَّرِّ أَقْصِرْ ، وَلِلَّهِ عُتَقَاءُ مِنْ النَّارِ وَذَلكَ كُلُّ لَيْلَةٍ

“Natën e parë të Ramazanit prangosen shejtanët dhe xhinët, dyert e xhehenemit mbyllen saqë asnjë nuk do të hapet, kurse do të hapen dyert e xhenetit dhe nuk do të mbyllet asnjë prej tyre. Dhe një thirrës thërret: O kërkues i së mirës shpejto! O kërkues i së keqes, ndalohu! Dhe çdo natë Allahu liron robër nga zjarri i xhehenemit.” [1]

Ndërsa në një hadith tjetër thotë:

جاءكم شهر رمضان شهر بركة ، يغشاكم الله فيه ، فينزل الرحمة ، ويحط الخطايا ، ويستجيب الدعاء ، ينظر الله إلى تنافسكم فيه فيباهي بكم ملائكته

، فأروا الله من أنفسكم خيراً ، فإن الشقي من حُرم فيه رحمة الله

“Ju ka ardhur muaji i Ramazanit, muaji i bereqetit. Allahu ju ruan në këtë muaj, ua zbret mëshirën, ua fshin mëkatet dhe ua pranon lutjet. Allahu ju shikon si garoni në ramazan dhe mburret me ju para melaikeve. Jepni gjithçka që mundeni që Allahu të ju shohë vetëm të mira. Pa dyshim është fatkeq ai që është i privuar nga mëshira e Allahut në këtë muaj!” [2]

O muslimanë! Shfrytëzojeni këtë muaj madhështor. Vlerësojeni atë Allahu ju mëshiroftë, me lloje të ndryshme të adhurimeve dhe veprave të mira dhe shpejtoni me nënshtrim ndaj Tij.

Ky është muaj të cilin Allahu e ka bërë fushë veprimi për robërit e Tij. Në këtë muaj, besimtarët e devotshëm konkurrojnë për bindje dhe vepra të mira.

Prandaj, jepini rëndësi të madhe faljes së namazit, dhënies sadaka, leximit të Kuranit me reflektim dhe mirëkuptim, dhe thoni: “Subhanallah”, “elhamdulilah”, “la ilahe ilAllah”, “Allahu Ekber”, “estagfirullah” dhe “Allahumme sali ue selim ala Muhammed”.

Kujdesuni për të varfrit, nevojtarët dhe jetimët. I dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue selem) ka qenë njeriu më bujar, dhe bujaria e tij ishte  edhe më e madhe gjatë Ramazanit.

Veproni duke  shembëllyer të dërguarin e Allahut (alejhis-salatu ues-selam) Allahu ju mëshiroftë. Bëhuni sa më bujar dhe dashamirës ndaj njerëzve, duke shpresuar shpërblimin tek Ai Sundues që di gjithçka.

Mbrojeni agjërimin tuaj nga çdo gjë e ndaluar. profeti (salAllahu alejhi ue selem) ka thënë:

مَنْ لَمْ يَدَعْ قَوْلَ الزُّورِ وَالْعَمَلَ بِهِ وَالْجَهْلَ فَلَيْسَ لِلَّهِ حَاجَةٌ في أَنْ يَدَعَ طَعَامَهُ وَشَرَابَهُ

“Kush nuk i lë fjalët e kota dhe të punuarit sipas tyre por edhe injorancën, dijeni që Allahu nuk ka nevojë për lënien e ushqimit dhe pijes.” [3]

Dhe në një hadith tjetër thotë:

الصيام جنة و إذا كان يوم صوم أحدكم فلا يرفث ولا يصخب , فإن سابه أحد أو قاتله فليقل إني امرؤ صائم

“Agjërimi është mburojë, kur dikush nga ju është agjërueshëm, mos të flas fjalë të këqija e as mos ta ngrejë zërin, e nëse dikush i drejtohet në mënyrë ofenduese, le të thotë: Unë jam agjërueshëm.” [4]

Dhe në një hadith tjetër thotë:

ليس الصيام من الأكل والشرب وإنما الصيام من اللغو والرفث

“Nuk është agjërim vetëm të braktisësh ushqimin dhe pijen. Por agjërim është të qëndrosh larg fjalëve të kota dhe të turpshme.” [5]

Ibn Hibani transmeton në sahihun e tij nga Ebu Seid el-Khudri (radijAllahu anhu), i cili tregoi se i dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue selem) ka thënë:

من صام رمضان وعرف حدوده وتحفظ مما كان ينبغي له أن يتحفظ فيه كفَّر ما كان قبله

“Ai që agjëron Ramazanin duke i ditur kufijtë e tij dhe ruhet nga ajo që duhet të ruhet, i falen mëkatet e tij të mëparshme.” [6]

Xhabir bin Abdil-lah el-Ensarij (radijAllahu anhu) ka thënë: “Në qoftë se ti agjëron, me ty gjithashtu duhet të agjërojë dëgjimi jot, shikimi jot dhe gjuha jote nga gënjeshtra dhe ndalesat. Mos e bezdis fqinjin.

Dhe agjërimi yt le të shoqërohet nga harmonia. Mos lejo që ditët tua të agjërimit të jenë sikurse ditët kur nuk agjëron.”

O muslimanë! Kini kujdes agjërimin sepse agjërimi sidomos gjatë Ramazanit është një vepër shumë me vlerë dhe ka shpërblim shumë të madh.

Vlerësojeni atë, Allahu ju mëshiroftë, me një qëllim të sinqertë dhe jepini rëndësi të madhe në mënyrë që ta ruani agjërimin tuaj, faluni gjatë netëve, nxitoni në vepra të mira dhe pendim të sinqertë për të gjitha mëkatet dhe veprat e këqija.

Qëndroni larg nga të gjitha ato që Allahu dhe i dërguari i Tij (salAllahu alejhi ue selem) kanë ndaluar dhe binduni ndaj Atij gjatë Ramazanit dhe jashtë tij.

Këshilloni dhe ndihmoni njëri-tjetrin në këtë gjë. Urdhëroni në mirësi dhe ndaloni nga e keqja në mënyrë që të fitoni xhenetin, lumturinë dhe shpëtimin në të dy jetët.

Lusim Allahun që të na bëj prej atyre që agjërojmë Ramazanin dhe të falemi gjatë netëve të tij me bindje të plotë dhe me shpresë në shpërblimin e Tij.

Lusim Allahun që të na bëj neve dhe të gjithë muslimanët që ta kuptojmë fenë, ta pasojmë atë dhe të na ruaj të gjithëve ne nga çdo gjë që sjell zemërimin dhe dënimin e Tij.

Lusim Allahun që t’i japë sukses të gjithë sundimtarëve dhe udhëheqësve muslimanë, të përmirësoj gjendjen e tyre dhe t’i bëj ata që të gjykojnë me ligjin e Allahut në të gjitha çështjet, si adhurimi, veprimet dhe çdo gjë tjetër.

Lusim Allahun që Ai t’i udhëzojë ata në këtë dhe të veprojnë në përputhshmëri me porositë e Allahut:

وَأَنِ احْكُم بَيْنَهُم بِمَآ أَنزَلَ اللّهُ

“Prandaj gjyko sipas asaj që të ka shpallur Allahu…” El-Maideh 5:49

Dhe thotë Allahu:

أَفَحُكْمَ الْجَاهِلِيَّةِ يَبْغُونَ وَمَنْ أَحْسَنُ مِنَ اللّهِ حُكْمًا لِّقَوْمٍ يُوقِنُونَ

“A mos kërkojnë ata gjykimin e injorancës?! E kush është gjykatës më i mirë se Allahu për njerëzit që besojnë bindshëm?” El-Maideh 5:50

فَلاَ وَرَبِّكَ لاَ يُؤْمِنُونَ حَتَّىَ يُحَكِّمُوكَ فِيمَا شَجَرَ بَيْنَهُمْ ثُمَّ لاَ يَجِدُواْ فِي أَنفُسِهِمْ حَرَجًا مِّمَّا قَضَيْتَ وَيُسَلِّمُواْ تَسْلِيمًا

Jo, për Zotin tënd, ata nuk janë besimtarë të vërtetë derisa të zgjedhin ty për të gjykuar në të gjitha kundërshtitë mes tyre; e pastaj të mos ndiejnë pakënaqësi ndaj gjykimit tënd dhe derisa t’i pranojnë vendimet e tua plotësisht të nënshtruar.” En-Nisa’ 4:65

Dhe thotë Allahu:

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُواْ أَطِيعُواْ اللّهَ وَأَطِيعُواْ الرَّسُولَ وَأُوْلِي الأَمْرِ مِنكُمْ فَإِن تَنَازَعْتُمْ فِي شَيْءٍ فَرُدُّوهُ إِلَى اللّهِ وَالرَّسُولِ إِن كُنتُمْ تُؤْمِنُونَ بِاللّهِ وَالْيَوْمِ الآخِرِ

ذَلِكَ خَيْرٌ وَأَحْسَنُ تَأْوِيلاً

“O besimtarë! Binduni ndaj Allahut, binduni ndaj të dërguarit dhe ndaj udhëheqësve tuaj. Dhe nëse nuk pajtoheni për ndonjë çështje, kthejeni atë çështje për gjykim tek Allahu (tek libri i Tij) dhe tek i dërguari i Tij (sunneti i të dërguarit) nëse besoni Allahun dhe ditën e kijametit. Kjo për ju është më e mira dhe shpjegimi më i bukur.” En-Nisa’ 4:59

وَمَا آتَاكُمُ الرَّسُولُ فَخُذُوهُ وَمَا نَهَاكُمْ عَنْهُ فَانتَهُوا

“Çfarëdo që t’ju japë i dërguari, merreni atë, e çfarëdo që t’ju ndalojë, hiqni dorë prej saj.” El-Hashr 59:7

Këto janë detyrime ndaj të gjithë muslimanëve dhe udhëheqësve musliman. Udhëheqësit muslimanë, dijetarët dhe besimtarët e thjeshtë janë të detyruar ta kenë frikë Allahun dhe t’i nënshtrohen ligjit të Allahut, i cili për vlerë ka mirëqenien, udhëzimin e duhur dhe qëllimet e lavdishme.

Përmes saj arrihet kënaqësia e Allahut, arrihet e vërteta të cilën Allahu e ka përshkruar dhe përmes saj shmanget padrejtësia.

Ne e lusim Allahun që t’i jap sukses të gjithëve, t’i udhëzojë dhe tua pastroj nijetet dhe veprimet.


[1] Tirmidhiu (682), Ibn Maxheh (1642) dhe Hakimi (1532). “I mirë” sipas Imam Albanit në “Sahihul-Xhami´” (759).

[2] Tabarani në “Musnedush-Shamijjin” (2238). I shpikur sipas Imam Albanit në “Da´ifut-Terghib uet-Terhib” (592).

[3] Buhariu (1903).

[4] Buhariu (1904) dhe Muslimi (1151).

[5] Bejhekiu në “Es-Sunnenul-Kubra” (8096). Autentik sipas Imam Albanit në “Sahihut-Tergib uet-Terhib” (1082).

[6] Ahmedi (11541) dhe Ibn Hibani (3433). I dobët sipas Imam Albanit në “Da´ifut-Targhib uet-Terhib” (584).

Shpërndaje: