Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

2.Të kapurit për metodologjinë e sahabëve

Autor: Imam Ahmed bin Hanbel

Komentues i librit: Alameh Rabi bin Hadi el-Medkhali 

Burimi: Komentimi i librit të imam Ahmedit ”Sherh Usul-is-Sunneh” fq. 363-365

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Imam el-Laleka’i (rahimehullah) ka thënë:

Ali bin Muhammed bin Abdil-lah es-Sukkeri na informoi: Uthman bin Ahmed es-Semak na tregoi: Ebu Muhammed el-Hasan bin Abdil-Vehab bin Abil-Enbar na tregoi përmes leximit Rabi el-Auuel 293: Ebu Xhafer Muhammed bin Sulejman el-Mankari el-Basri na tregoi në Tinnis: Abdus bin Malik el-Attar më tregoi: E kam dëgjuar Abu Abdil-ah Ahmed bin Muhammed bin Hanbelin (rahimehullah) të thotë:

“Bazat e sunnetit tek ne janë: Të përmbajturit për metodologjinë e sahabëve të të dërguarit të Allahut ﷺ dhe pasimit të tyre, të shmangurit prej bidateve sepse bidati është devijim, të shmangurit nga polemikat, të shmangurit nga shoqërimi me pasuesit e epsheve dhe të shmangurit bisedave me ta, të shmangurit debateve dhe polemikave në fe.

Shpjegimi

Këtu el-Lalaka’i përmend zinxhirin e tij të transmetimit deri tek imam Ahmedi (rahimehullah). Ky zinxhir bashkohet me një tjetër zinxhir transmetimi. El-Laleka’i e përmend atë në ”Sherh Usul I’tikad Ehl-is-Sunneti uel-Xhema’ah”, ndërsa Ebu Ja’la e përmend atë në ”Tabakat-ul-Hanabilah”.

Këto dy botime me këta dy zinxhirë të ndryshëm e forcojnë njëri-tjetrin dhe e konfirmojnë se vërtetë ky libërth është shkruar nga imam Ahmed bin Hanbeli (rahimehullah), imami i Ehl-us-Sunnetit dhe Xhematit. Gjithashtu shejkh Albani (rahimehullah) e gjeti një dorëshkrim në bibliotekën Dhahirijjeh, të cilën ai e shkroi me dorë. Unë mendoj se ai e shkroi atë edhe nëpërmjet një zinxhiri të transmetimit1 tjetër dhe Allahu e di më së miri. Duhet referuar zinxhirëve dhe të bëhet një krahasim mes tyre. Ne duhet ta bëjmë këtë – nëse dëshiron Allahu – kur të na ipet mundësia.

Ai përmendi zinxhirin deri tek imam Ahmedi (rahimehullah) i cili tha:

“Bazat e sunnetit tek ne janë: Të përmbajturit për metodologjinë e sahabëve të të dërguarit të Allahut ﷺ…”

Metodologjia e sahabëve të të dërguarit të Allahut përbën një kriter për ata që janë në të vëretën dhe i përmbahen parimit. I dërguari i Allahut dhe shokët e tij fisnikë dhe khalifët e drejtë e pasuan udhëzimin. Besimi i tyre, adhurimi, trajtimi dhe gjërat e tjera kanë qenë në përputhje me Kuranin dhe sunnetin. Para së gjithash besimi. Ahmedi (rahimehullah) ka për qëllim këtë parim të gjerë dhe të madh që duhet të aplikohet në tërë Islamin dhe veçanërisht në besim. Ai tha:

“Bazat e sunnetit tek ne janë: Të përmbajturit për metodologjinë e sahabëve të të dërguarit të Allahut ﷺ…”

Këtë nuk e bëjnë pasuesit e bidateve që pasojnë epshet e tyre dhe bazohen në logjikën e tyre të sëmurë, dhe pretendojnë se ata mbështeten në gjuhën arabe apo në analogji tjera të prishura. Imam Ahmedi dhe paraardhësit e tij në mesin e sahabëve, pasuesit e imamëve të Islamit ishin të kapur pas Kuranit dhe sunnetit dhe veçanërisht kur bëhet fjalë për besimin. Ata kurrë nuk u larguan – nëse dëshiron Allahu – nga kjo kornizë. Aty është udhëzim i drejtë.

Ai tha:

”…dhe pasimit të tyre…”

Do të thotë, pasohen sahabëvt e Muhammedit . Ata janë një model dhe një shembull për t’u pasuar. Ai i referohet hadithit:

”Prandaj, kapuni për sunnetin tim dhe sunnetin e khalifëve të mi të drejtë dhe të udhëzuar. Shtrëngojeni ate me dhëmballë. Qëndroni larg risive.” 2

Po kështu, ai i referohet hadithit lidhur me grupin e shpëtuar, kur i dërguari ka thënë:

”Dhe umeti im do të ndahet në shtatëdhjetë e tre grupe, ku të gjithë ata do të jenë në zjarr përveç njërit.” Ata thanë: ”Cili është ai grup o i dërguari i Allahut?” Ai tha: ”Ai që pason atë që unë dhe shokët e mi pasojmë sot.” 3

Në një tjetër hadith ai tha:

”Unë po ju lë në një qartësi; nata e saj është si dita e saj. Vetëm i shkatërruari devijon nga ajo.” 4

Sahabët ishin të kapur për të dhe ne nuk mund të gjejmë – nëse dëshiron Allahu – ndonjë të prishur prej tyre, sepse njerëzit devijuan në fund të epokës së tyre dhe gjatë epokës së tebiinëve, pastaj filluan bidatet të përhapen. Khuarixhët dhe Rafidat ekstrem u shfaqën në fund të khalifatit të Aliut (radijAllahu anhu). Ai e dërgoi Abdullah bin Abbasin (radijAllahu anhuma) tek ta për të diskutuar me ta, ku pas kësaj ata filluan të ngrenë armët kundër muslimanëve, pas së cilës Aliu (radijAllahu anhu) i vrau ata, gjë të cilën i dërguari i Allahut kishte urdhëruar. Të gjithë sahabët në kohën e tij ishin të bashkuar për këtë dhe asnjë nuk pasoi ndonjë rrugë tjetër.

Çështja është se shpëtimi qëndron në pasimin e sahabëve. Ata janë anija e shpëtimit. Sepse ata e dëshmuan zbritjen e shpalljes dhe mësuan nga i dërguari i Allahut se si ta kuptojnë dhe si ta praktikojnë Kuranin dhe sunnetin. Prandaj ata janë një model. Prandaj, profeti ka thënë:

”Ata që pasojnë atë që unë dhe shokët e mi pasojmë.”

dhe:

”Prandaj, kapuni për sunnetin tim dhe sunnetin e khalifëve të mi të drejtë dhe të udhëzuar.”


1 Zinxhirin e hadithit të cilin Shekjh el-Albani e ka vërtetuar është siç vijon:

Shejkh dhe Imam Ebul-Mudhaffar Abdul-Malik bin Ali bin Muhammed el-Hamdani na tregoi: Shejkh Abu Abdil-lah Jahja bin Abil Hasan el-Benna na tregoi: Babai im Ebu Ali el-Hasan bin Ahmed bin el-Benna na informoi: Ebul-Husejn Ali bin Muhamed bin Abdil-lah bin Bishran el-Mu’addel na informoi: Uthman bin Ahmed bin es-Samak na informoi: Ebu Muhammed el-Hasan bin Abdil-Vehhab bin Abil-Anbar na tregoi përmes leximit Rabi el-Auuel 293: Ebu Xhafer Muhammed bin Sulejman el-Mankari el-Basri na tregoi në Tinnis: Abdus bin Malik el-Attar më tregoi: E kam dëgjuar Ebu Abdil-lah Ahmed bin Muhammed bin Hanbel (rahimehullah) duke thënë …

2 Tirmidhi (2676), Ebu Daudi (4607) dhe Ibn Maxheh (42-43). Autentik sipas Imam Albanit.

3 Tirmidhi (2641). Hadithi i mirë sipas Imam Albanit.

4 Ibn Maxheh (43). Hadithi autentik sipas Imam Albanit.

Shpërndaje: