Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

41.El-Fatihah është shtyllë e namazit

Imam Muhamed Nasirudin El-Albani (v. 1420)

Sifatu Salat-in-Nebi, fq. 85-86

Përktheu: Valdet Gashi

 www.perlatmuslimane.com

Profeti  e madhëronte suren El-Fatihah. Ai thoshte:

”Ai që nuk e lexon hyrjen e librit (el-Fatihan) nuk ka namaz.”1

Në një tjetër formulim thotë:

”Namazi nuk është i vlefshëm nëse njeriu nuk e lexon El-Fatihan në të.”2

Ndonjëherë, profeti  thoshte:

”Një namaz pa leximin e El-Fatihas është i mangët, i mangët, i mangët. Ai namaz nuk është i plotë.”3

Profeti ﷺ ka thënë:

”Allahu -tebarek ue te ala- ka thënë: ”E kam ndarë namazin4 midis Meje dhe robit Tim në dy pjesë. Një pjesë është për Mua dhe një pjesë për robin Tim – dhe robit tim i jepet ajo që ai kërkon.”

I dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: ”Kur robi thotë:

”Çdo lavdërim i përket Allahut, Zotit të botëve!”5

Allahu -te ala- thotë: ”Robi im më ka bërë hamd Mua.”

Kur robi thotë:

”Të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!”6

Allahu thotë: ”Robi im më ka lavdëruar Mua.”

Kur robi thotë:

”Sunduesit të ditës së gjykimit!”7

Allahu -te ala- thotë: ”Robi im më ka madhëruar Mua.”

Kur robi thotë:

”Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë.”8

Allahu thotë: ”Kjo është mes Meje dhe robit Tim – dhe robit Tim i jepet ajo që ka kërkuar.”

Kur robi thotë:

”Udhëzona (përforcona) në rrugën e drejtë! Në rrugën e atyre, të cilët i begatove me të mira, jo në të atyre që kundër veti tërhoqën hidhërimin, e as në të atyre që e humbën veten!”9

Allahu thotë: ”Këto janë për robin Tim- dhe robit i jepet ajo që ai kërkon.”10

Profeti ﷺ ka thënë:

”Allahu nuk ka shpallur Teurat dhe Ungjill asgjë të ngjashme sikurse baza e Kuranit (El-Fatihah) të cilat janë këto shtatë ajetet që përsëriten11 [dhe Kurani madhështor i cili më është dhënë mua].”12

Ai ﷺ e urdhëroi personin që u fal gabim që të lexojë suren El-Fatihah në namazin e tij13 dhe i tha personit që nuk kishte mundësi që ta mësojë atë përmendësh që të lexoj:

سبحان الله و الحمد لله ولا إله إلا الله والله أكبر ولا حول ولا قوة إلا بالله

”Hamdi dhe lavdërimi i takon Allahut. I pa të meta është Allahu. Nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Allahut. Allahu është më i Madhi. Nuk ka asnjë lëvizje apo forcë përveç nga Allahu.”14

Ai ﷺ i tha personit që u fal gabim:

”Nëse mund të lexosh Kuranin bëje këtë. Përndryshe, duhet të thuash: “ElhamduliLah”, “Allahu Ekber” dhe “La ilahe ilAllah.”15


1 Bukhari, Muslimi, Ebu Auaneh dhe Bejhaki. Hadithi përmendet në “El-Irua (302)”.

2 Darakutni i cili e shpalli hadithin autentik dhe Ibn Hibani në ”Es-Sahih”. Hadithi përmendet në referencën e kaluar.

3 Muslimi dhe Ebu Auaneh.

4 Do të thotë El-Fatihah.

5 1:2.

6 1:3.

7 1:4.

8 1:5.

9 1:6-7.

10 Muslimi, Ebu Auaneh dhe Maliku. Hadithi ka transmetime dëshumes tek Es-Sehmi në ”Tarikh Xhurxhan (144)” nga Xhabiri.

11 El-Baxhi ka thënë:

Ai kishte për qëllim fjalët e Allahut -te ala-:

”Na të kemi dhënë ty shtatë (ajetet) që shpesh përsëriten dhe Kuranin madhështor.” 15:87.

Ato quhen ”shtatë” sepse ato janë shtatë ajete dhe ”që shpesh përsëriten”, sepse ato përsëriten në çdo rekat. Ato quhen ”Kuranin madhështor” për tu dalluar pasi që i tërë Kurani është i madhërishëm. Gjithashtu qabja quhet ”Shtëpia e Allahut”, edhe pse të gjitha xhamitë janë shtëpi të Allahut. Thuhet kështu nga dallueshmëria dhe nderimi.”

12 Nesai dhe Hakimi i cili e shpalli autentik dhe Dhehebi u pajtua më të.

13 Bukhariu në “El-Kira’ah Khalf El-Imam” me një zinxhir të mirë transmetimi.

14 Ebu Daudi, Ibn Khuzejmeh (1/80/2), Hakimi, Tabarani dhe Ibn Hibani të cilët e shpallën autentik dhe Dhehebi u pajtua me ta.

15 Ebu Daudi dhe Tirmidhi i cili thotë se hadithi është i mirë. Zinxhiri i tij i transmetimit është i mirë. Shih “Sahih Ebi Daud (807)”.

Shpërndaje: