Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

20.Është e ndaluar për kafirin të martohet me muslimane

Imam Muhamed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)
Hukm Tarik-is-Salah
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

6 – Është e ndaluar për kafirin të martohet me një grua muslimane

Ai është kafir dhe kafirit nuk i lejohet të martohet me një grua muslimane, e cila është konfirmuar në shpalljen dhe në konsensusin e dijetarëve.

Allahu -te ala- ka thënë:

“O ju që besuat, kur t’ju vijnë besimtaret e shpërngulura (prej Mekës), provoni besnikërinë e tyre, ndonëse Allahu di më së miri për besimin e tyre; nëse vërtetoni se ato janë besimtare, atëherë mos i ktheni ato te kufarët sepse as ato nuk janë të lejuara për ta e as ata nuk janë të lejuar për to.” 60:10

Ibn Kudameh ka thënë:

”Sa i përket kufarëve përveç ithtarëve të librit, dijetarët kanë konsensus se është e ndaluar të martohemi me gratë e tyre dhe që të hamë nga mishi që kanë therur ata.” el-Mughni (6/592)

Ai gjithashtu ka thënë:

”Është e ndaluar gjithashtu martesa me një femër që ka dalë nga feja pavarësisht në cilën fe ajo është konvertuar. Ajo nuk konsiderohet të ketë marrë të njëjtin gjykim si pasuesit e fesë në të cilën ajo është konvertuar, e lëre më që të jetë e ligjshme.”

Ai gjithashtu tha në kapitullin mbi daljen nga feja:

”Nëse ai martohet, martesa e tij është e pavlefshme për shkak se atij nuk i lejohet të qëndrojë i martuar në atë gjendje. Në qoftë se është e ndaluar të mbetesh i martuar në një gjendje të veçantë është gjithashtu e ndaluar të martohesh fillimisht në atë gjendje. Shembuj të kësaj janë martesa e kafirit me një grua muslimane.” 8/130.

Në librin e Hanefive ”Mexhma-ul-Enhar” thuhet:

”Sipas konsensusit të sahabëve -radijAllahu anhum- është e pavlefshme për t’u martuar me një grua që ka dalë nga feja.” 1/302.

Ti po e sheh se sa në mënyrë të qartë e thotë se është e ndaluar martesa me një femër që ka dalë nga feja dhe se është e pavlefshme për t’u martuar me një burrë të dalë nga feja.

Çka ndodh nëse dalja nga feja ndodh gjatë martesës?

Ibn Kudameh ka thënë:

”Nëse dikush nga bashkëshortët del nga feja para se të vetmohen, martesa anulohet menjëherë. Në këtë rast asnjëri nuk e trashëgon tjetrin. Dhe në qoftë se njëri del nga feja pasi të jenë vetmuar. Imam Ahmedi ka dy mendime. Njëri është se ndarja duhet të bëhet menjëherë ndërsa një tjetër është se ajo duhet t’i nënshtrohen periudhës së saj të pritjes.” el-Mughni (6/298).

Ai gjithashtu tha se shumica e dijetarëve mendojnë se dalja nga feja para se të vetmohen shkakton ndarjen menjëherë dhe përmendën dëshmi për këtë. Maliku dhe Ebu Hanife po ashtu besojnë se dalja nga feja pas vetmimit shkakton menjëherë ndarjen, ndërsa Shafiu beson se ajo duhet të pasojë periudhën e saj të pritjes. el-Mughni (6/639).

Kjo tregon se katër imamët janë të unanim se martesa anulohet nëse njëri prej bashkëshortëve del nga feja. Nëse dalja nga feja bëhet para se të vetmohen mes vete, martesa anulohet menjëherë. Dhe në qoftë se kjo ndodh pas vetmisë, Maliku dhe Ebu Hanife besojnë se martesa anulohet menjëherë, ndërsa Shafiu beson se ajo duhet të pasojë periudhën e saj të pritjes. Nga Ahmedi sikurse u tha që të dyja mendimet janë transmetuar.

Ibn Kudameh ka thënë:

”Nëse të dy bashkëshortët dalin nga feja së bashku, gjykimi i tyre është i njëjtë sikurse njëri prej tyre të ketë dalë nga feja; nëse dalja nga feja bëhet para vetmisë atëherë anulohet martesa menjëherë. A prishet ajo menjëherë nëse ajo ndodh pasi të jenë vetmuar apo ajo duhet t’i nënshtrohet një periudhe pritjeje? Ahmedi ka dy mendime në këtë çështje. Ky është mendimi i Shafi’iut.” el-Mughni (6/640).

Pastaj ai përmendi mendimin e Ebu Hanifes se martesa e tyre nuk anulohet për shkak se fetë e tyre nuk janë të ndryshme nga njëri-tjetri dhe kështu ata ngjajnë me bashkëshortët që konvertohen në Islam së bashku. Pastaj ai hodhi poshtë si analogjinë pohuese si dhe analogjinë mohuese.

Kur të jetë qartësuar se sipas Kuranit dhe sunnetit është e pavlefshme për një musliman që të martohet me një të dalë nga feja dhe se ai që nuk falet është kafir sipas Kuranit, sunnetit dhe sipas mendimit të shumicës së sahabëve, del në pah se është e pavlefshme për një burrë që nuk falet që të martohet me një grua muslimane. Ajo nuk bëhet e ligjshme për të me anë të martesës. Dhe nëse ai pendohet dhe konverton në Islam, ata duhet të martohen përsëri. I njëjti gjykim vlen edhe për gruan që nuk falet.

Ndërsa të tilla nuk janë martesat e kufarëve. Në qoftë se një burrë kafir martohet me një grua kafire e cila konverton në Islam para se të vetmohet me të, martesa anulohet. Dhe në qoftë se ajo hynë në Islam pasi të jenë vetmuar, ajo nuk anulohet. Ndërsa ajo duhet të presë. Nëse ai hynë në Islam para se periudha e saj e pritjes të mbaroj, ajo mbetet gruaja e tij. Dhe në qoftë se periudha e pritjes skadon para se ai të konvertohet në Islam, ai nuk ka më të drejtë në të. Kjo e bën të qartë se martesa anulohet me konvertimin e saj.

Në kohët e profetit ﷺ, kufarët e kishin zakon të konvertoheshin në Islam së bashku me bashkëshortet e tyre. Profeti ﷺ e pranoi martesën e tyre. Përjashtimi i vetëm është nëse ka një pengesë të mbetur në martesë dhe nëse bashkëshortët ishin mexhusë dhe të afërm. Nëse një çift i tillë konvertohet në Islam ata duhet të ndahen për shkak se ata ende janë të ndaluar për njëri tjetrin.

Kjo çështje nuk është sikurse ajo për muslimanin që del nga feja për shkak se nuk falet dhe pastaj martohet me një grua muslimane. Gruas muslimane nuk i lejohet që të martohet me një burrë kafir, e cila është siç thashë është pohuar nga shpallja dhe konsensusi edhe pse ai ishte pagan më parë dhe jo i dalë nga feja. Në qoftë se një burrë kafir martohet me një grua muslimane, martesa e tyre është e pavlefshme dhe ata duhet të ndahen. Nëse ai hynë në Islam dhe dëshiron të martohet me të, ata duhet të martohen përsëri.

Shpërndaje: