“Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.” [Edh-Dharijat 51:56]

26.Dëgjimi, shikimi, dituria dhe komploti i Allahut

Autor: Shejkhul Islam Ibnu Tejmijeh (v. 728)
Shpjegues i librit: Imam Abdul-Aziz bin Abdilah bin Baz (v. 1420)
Sherh El-Akide El-Uasitije
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Shejkh-ul-Islam Ibnu Tejmijeh (rahimehullah) ka thënë:

”Vërtet, Allahu dëgjoi fjalët e asaj e cila bisedoi me ty lidhur me burrin e vet, që u ankua te Allahu; prandaj Allahu e dëgjon bisedën tuaj, vërtet që Allahu është Gjithëdëgjues, Gjithëshikues.” El-Muxhadilah, 58:1

”Allahu ka dëgjuar fjalën e tyre që thanë: ”Allahu është i varfër e ne jemi të pasur!” Ali Imran, 3:181

”A mendojnë se Ne nuk dëgjojmë ndjenjën e fshehtë të tyre dhe bisedën midis tyre? Po, e dëgjojmë dhe të dërguarit tanë (engjëjt përcjellës) që janë pranë tyre, shkruajnë.” Ez-Zhukhruf, 43:80

”Ai (Allahu) tha: ”Mos u frikësoni, se Unë jam me ju, Unë dëgjoj dhe shoh.” Ta Ha, 20:46

”A nuk e di ai se Allahu sheh?” El-Alak, 96:14

“Dhe mbështetu në të Plotfuqishmin, Mëshiruesin. I Cili të sheh kur të ngrihesh në këmbë. E të sheh edhe lëvizjen tënde në mesin e atyre që falen. Në të vërtetë, Ai është Gjithëdëgjues, i Gjithëdituri.” Esh-Shuara, 26:217-220

”Dhe thuaj: ”Veproni, Allahu do ta shohë veprën tuaj, edhe i dërguari i Tij e besimtarët.” Teube, 9:105

”Ndërsa idhujtarët polemizojnë rreth Allahut, e Ai është ndëshkues i rreptë.” Er-Rad, 13:13

“Dhe ata thurën komplote të këqija. Edhe Allahu thuri komplote. Dhe Allahu është më i Miri i atyre që thurin komplote.” Ali Imran, 3:54

“Ata përgatitën një komplot. Por edhe Ne bëmë plan ndërsa ata nuk e merrnin vesh.” En-Neml, 27:50

”Ata thurin komplote, por edhe Unë thurë komplote.” Et-Tarik, 86:15-16

”Nëse publikoni ndonjë të mirë ose e fshihni atë, ose i falni ndonjë të keqe (dikujt), Allahu është kurdoherë Falës, i Gjithëpushtetshëm.” En-Nisa, 4:149

”Po le t’ua falin (gabimin) dhe mos t’ua zënë për të madhe. A nuk dëshironi që Allahu t’u falë ju? Allahu është gjithnjë Falës i Madhë, Mëshirëplotë.” En-Nur, 24:22

”Ndërsa e tërë fuqia i takon Allahut, të dërguarit të Tij dhe besimtarëve, por hipokritët këtë nuk e dinë.” El-Munafikun, 63:8

Allahu (tebareke ue te ala) tregoi se Iblisi tha:

”Ai tha: ”Pasha madhërinë Tënde, kam për t’i shmangur prej rrugës së drejtë që të gjithë.” Sad, 38:82

Allahu (subhaneh) tha:

”I lartësuar është emri i Zotit tënd, të madhëruar e të nderuar!” Er-Rahman, 55:78

”Pra Atë adhuroje, e në adhurimin ndaj Tij bëhu i qëndrueshëm. A di për Të ndonjë emnak (adash)?!” Merjem, 19:65

“Dhe askush nuk është i barabartë (as i krahasueshëm) me Atë!” El-Ihlas, 112:4

Shpjegimi

Komploti i Allahut ndodhë vetëm kur Ai ua kthen atyre në të njëjtën mënyrë.

Ai tha:

“Dhe ata thurën komplote të këqija. Edhe Allahu thuri komplote. Dhe Allahu është më i Miri i atyre që thurin komplote.”

”Ata thurin komplote, por edhe Unë thurë komplote.”

Ky është komplot i vërtetë ashtu sikurse i përket Allahut. Allahu nuk i ngjan krijesave kur Ai thur komplot dhe planifikon.

E njëjta gjë vlen edhe për dëgjimin e Tij.

Ai (te ala) ka thënë:

”Vërtet, Allahu dëgjoi fjalët e asaj e cila bisedoi me ty lidhur me burrin e vet, që u ankua te Allahu; prandaj Allahu e dëgjon bisedën tuaj, vërtet që Allahu është Gjithëdëgjues, Gjithëshikues.”

”Padyshim që Allahu është Gjithëdëgjues, i Gjithëditur.” El-Bekare, 2:181

”Padyshim që Allahu është Gjithëdëgjues, Gjithëshikues.” Haxh, 22:75

Ka shumë ajete të tjera në lidhje me dëgjimin, shikimin dhe diturinë e Allahut.

Gjithashtu, ka shumë ajete në lidhje me dashurinë e Allahut. Të gjitha këto cilësi janë të vërteta dhe duhet të besohen dhe pohohen në lidhje me Allahun ashtu sikurse i përket Atij:

”Pra Atë adhuroje, e në adhurimin ndaj Tij bëhu i qëndrueshëm. A di për Të ndonjë emnak (adash)?!”

”Dhe askush nuk është i barabartë (as i krahasueshëm) me Atë!”

”Pra, mos i përshkruani Allahut shembuj!” En-Nahl, 16:74

Të gjitha këto cilësi janë të vërteta dhe duhet të besohen në lidhje me Allahun (subhanehu ue te ala) sikurse i përket Atij, pa shtrembërim, pa mohim apo pa keqinterpretim. Ai dëgjon, por jo si krijesat. Ai sheh, por jo si krijesat. Ai ka sy, por jo si krijesat. Ai ka duar, por jo si krijesat. Ai ka këmbë, por jo si krijesat. E njëjta gjë duhet të thuhet për të gjitha cilësitë e tjera.

Ai (subhaneh) ka thënë:

”Asgjë nuk i shëmbëllen Atij dhe Ai është Gjithëdëgjuesi, Gjithëshikuesi.” Esh-Shura, 42:11

Pra cilësitë e Allahut janë të vërteta dhe i përkasin vetëm Atij. Ato nuk i ngjajnë cilësive të krijesave. Është e detyrueshme për t’i besuar ato ashtu sikurse i përket Atij, pa shtrembërim, pa mohim, pa imagjinim ose pa krahasim. Tek Ehl-us-Sunneti dhe Xhemati çdo gjë duhet të kuptohen në të njëjtën mënyrë. Ehl-us-Sunneti dhe Xhemati janë sahabët e profetit ﷺ dhe ata që i pasojnë ata me të drejtë deri në ditën e gjykimit.

Shpërndaje: