“Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.” [Edh-Dharijat 51:56]

3.Cilat janë shtyllat e besimit lidhur me emrat dhe cilësitë e Allahut?

Autor: Imam Abdurr-Rrahman es-Sa’di (v. 1376)

Shpjegues i librit: Alameh Ahmed bin Jahja en Nexhmi (v. 1429)

Burimi: Fet’h Rabb-il-Berijjat ala Kitab Ahamm-il-Muhimmat, fq. 25-27

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Imam Abdurr-Rrahman es-Sa’di ka thënë:

Pyetja e tretë: Cilat janë shtyllat e besimit lidhur me emrat dhe cilësitë e Allahut?

Përgjigje: Ato janë tri.

1 – Besimi në të gjithë emrat e bukur të Allahut.

2 – Besimi në cilësitë e Allahut që emrat e Tij i vërtetojnë.

3 – Besimi në dispozitat e cilësive të Allahut dhe ato që kanë të bëjnë me cilësitë e Allahut.

Pra ne besojmë se Allahu është “El-Alim” (i Gjithëdijshmi) dhe se Ai e ka diturinë e plotë që përfshinë gjithçka.

Ne besojmë se Allahu është “El-Kadir” (i Plotëfuqishmi, i Aftë për të bërë çdo gjë) dhe posedon aftësi madhështore me të cilën ka mundësi të bëjë çdo gjë.

Ne besojmë se Allahu është “Er-Rahim” (Mëshirues) dhe “Er-Rahman” (i Gjithëmëshirshmi) dhe se Ai ka mëshirën e gjerë që Ai ia jep kujt të dojë.

E njëjta gjë vlen për të gjitha emrat e tjerë të bukur dhe cilësitë, dhe atë që ka të bëjë me to.

Shpjegimi

Shtyllat e besimit lidhur me emrat dhe cilësitë e Allahut janë tri:

1 – Besimi në të gjithë emrat e bukur. Duhet besuar në të gjitha emrat e bukur që janë përmendur në Kuran dhe në sunnet. Disa prej tyre janë El-Alim (i Gjithëdituri), El-Hakim (i Urti), Es-Semië (Gjithëdëgjuesi) dhe El-Basir (Gjithëshikuesi). Allahu ka shumë emra.

Profeti ﷺ ka thënë:

“Allahu ka nëntëdhjetë e nëntë emra, një më pak se njëqind. Ai që i numëron ata (i mëson dhe vepron me ta) hynë në xhenet.”1

Ka konsensus për vërtetësin e këtij hadithi. Sa për hadithin e Tirmidhiut që përmend të gjithë nëntëdhjetë e nëntë emrat, kështu që vërtetësia e tij prej profetit ﷺ mund të diskutohet [2]. Megjithatë, mund të ketë argumente për të gjithë emrat e përmendur. Ibn Mendeh përmend në librin e tij “Kitab-ut-Teuhid”, argumente për këta emra. Megjithatë, dihet se askush pos Allahut nuk i di të gjithë emrat e Tij (subhanehu ue te ala).

Prandaj, profeti ﷺ ka thënë:

“Unë të lutem Ty me çdo emër me të cilin Ti e ke quajtur veten Tënde, apo që ia ke mësuar dikujt prej krijesave të Tua apo që Ti e ke zbritur në librin Tënd apo që e ke mbajtur të fshehtë në dijen Tënde.” 3

Kjo dëshmon se emrat e Allahut janë të panumërt dhe se Ai ua mëson robërve të Tij disa prej tyre.

2 – Ne besojmë në të gjitha cilësitë që këta emra vërtetojnë. Emri “El-Alim” (i Gjithëdituri) vërteton dijen. Dijes së Allahut nuk mund t’i ikë asgjë dhe asgjë nuk mund t’i shpëtojë Atij.

Allahu (te ala) ka thënë:

مَا يَكُونُ مِن نَّجْوَى ثَلَاثَةٍ إِلَّا هُوَ رَابِعُهُمْ وَلَا خَمْسَةٍ إِلَّا هُوَ سَادِسُهُمْ

”Nuk bëhet bisedë e fshehtë mes tre vetave veçse Ai është i katërti; e as mes pesë vetave veçse Ai është i gjashti.” 4

وَعِندَهُ مَفَاتِحُ الْغَيْبِ لاَ يَعْلَمُهَا إِلاَّ هُوَ

“Çelësat e fshehtësive janë vetëm te Ai, atë (fshehtësinë) nuk e di kush pos Tij.” 5

E njëjta gjë vlen edhe për Emrin “El-Kadir” i Plotëfuqishmi, i Aftë për të bërë çdo gjë)”. Ne besojmë në aftësinë e Allahut (azze ue xhel) që është i Aftë për çdo gjë. E njëjta gjë vlen edhe për Emrin “Er-Rrahim” (i Gjithëmëshirshmi). Ne besojmë në mëshirën e Allahut që përfshin të gjitha krijesat.

3 – Besimi në cilësitë e Allahut që rrjedhin nga këta emra dhe kanë lidhje me ta.


1 Bukhari (2736) dhe Muslimi (2677).
2 I dobët sipas Albanit në ”Dha’if-ul-Xhami” (1945).
3 Ahmedi (3712), Ibn Hibani (972) dhe Tabarani (10352). Autentik sipas Albanit në ”es-Sahihah” (199).
4 El-Muxhadilah 58:7.
5 En-Aam 6:59.

Shpërndaje: