“Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.” [Edh-Dharijat 51:56]

30.Na janë lejuar dy lloje gjaku dhe dy lloje kafshësh të ngordhura

Autori i librit: Hafidh Ibn Haxher el-Askalani
Shpjegues: Imam Muhamed bin Salih bin Uthejmin (v. 1421)
Esh-Sherh El-Mukhtasar Ala Bulugh-il-Maram
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

15 – Ibn Umeri -radijAllahu anhuma- rrëfeu se i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:

“Na janë lejuar dy lloje gjaku dhe dy lloje kafshësh të ngordhura. Dy llojet e kafshëve të ngordhura janë peshqit dhe karkalecat, ndërsa dy llojet e gjakut janë gjaku i mëlçisë dhe ai i shpretkës.”

Transmetojnë Ahmedi (5723) dhe Ibn Maxheh (3314), dhe hadithi përmban dobësi.

Shpjegimi:

Autori -rahimehullah- ka përmendur hadithin e Ibn Umerit -radijAllahu anhuma- i cili rrëfeu se profeti ﷺ ka thënë:

“Na janë lejuar dy lloje gjaku dhe dy lloje kafshësh të ngordhura.”

Kjo do të thotë se Allahu na i ka lejuar ato. Pastaj profeti i sqaroi këto gjëra të lejuara dhe tha:

“Dy llojet e kafshëve të ngordhura janë peshqit dhe karkalecat, ndërsa dy llojet e gjakut janë gjaku i mëlçisë dhe ai i shpretkës.”

Por autori ka theksuar se hadithi ka dobësi. Kjo është e saktë sa i përket atribimit të këtyre fjalëve profetit ﷺ, por këto fjalë janë transmetuar në mënyrë autentike nga një sahabi. Është vërtetuar se edhe vetë Abdullah bin Umeri -radijAllahu anhuma- i ka thënë këto fjalë.

Kur një sahabi thotë se diçka “na është lejuar”, kjo ka të njëjtin gjykim sikur ta ketë thënë profeti ﷺ sepse vetëm Allahu dhe i dërguari i Tij kanë të drejtë të lejojnë ose të ndalojnë. Prandaj kur një sahabi thotë se diçka është lejuar për ne, ai ka për qëllim se këtë e ka lejuar i dërguari i Allahut ﷺ.

Shpërndaje: