Imam Muhammed Nasirudin el-Albani (v. 1420)
Burimi: Xhilbab el-Mar’ah el-Muslimeh, fq.82-83
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Pastaj Allahu (te ala) në ajetin e mëparshëm në Suren Nur, sqaroi se cilat prej bukurive të saj, gruaja muslimane e ka obligim të mos i shfaqë në prezencë të burrave të huaj dhe se cilat prej këtyre bukurive, asaj i lejohet t’i shfaqë në prezencë të tyre. Më pas në ajetin tjetër, Ai urdhëroi që gruaja muslimane kur të dalë nga shtëpia, të mbulojë rrobat dhe shaminë e saj me rrobat e jashtme (xhilbab). Veshja e jashtme mbulon më mirë dhe është më fisnike për moralin e saj gjë për të cilën tregon fjala e Allahut (te ala):
يَا أَيُّهَا النَّبِيُّ قُل لِّأَزْوَاجِكَ وَبَنَاتِكَ وَنِسَاء الْمُؤْمِنِينَ يُدْنِينَ عَلَيْهِنَّ مِن جَلَابِيبِهِنَّ ذَلِكَ أَدْنَى أَن يُعْرَفْنَ فَلَا يُؤْذَيْنَ وَكَانَ اللَّهُ غَفُورًا رَّحِيمًا
“O profet! Thuaju bashkëshorteve të tua dhe bijave të tua edhe bashkëshorteve të besimtarëve të lëshojnë vellon (xhilbabin) e tyre mbi gjithë trupin e tyre. Kjo do të ishte më e mirë që ato të mund të dallohen (si gra të ndershme) që të mos i shqetësojë (e ngacmojë) askush. Dhe Allahu është gjithnjë Falës i Madh, gjithnjë Mëshirëplotë.” 1
Kur zbriti ky ajet, gratë e Ensarëve dolën të mbuluara sikur të ishin ulur korbat mbi kokat e tyre2.
1 33:59
2 Transmeton Ebu Daudi (2/182) me një zinxhir autentik. Në ”ed-Durr” (5/221), transmetimi i atribuohet ”Abdurr-Razakut”, Abd bin Humejd, Ebu Daudi, Ibnul Mundhir, Ibn Ebi Hatim dhe Ibn Mardaui përmes Ummu Selemes e cila tha:
”Për shkak të rrobave të zeza që ato vishnin.”
Ato u krahasuan me korbat për shkak të veshjes së tyre të zezë.