Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

37.Besimtarët do ta shohin Allahun në ditën e gjykimit dhe në xhenet

Autor: Shejkhul Islam Ibnu Tejmijeh (v. 728)

Shpjegues i librit: Imam Abdul-Aziz bin Abdil-lah bin Baz (v. 1420)

Burimi: Sherh el-Akidah el-Uasitijeh, fq. 52-54

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Shejkh-ul-Islam Ibnu Tejmijeh (rahimehullah) ka thënë:

Allahu (te ala) ka thënë:

وُجُوهٌ يَوْمَئِذٍ نَّاضِرَةٌإِلَى رَبِّهَا نَاظِرَةٌ

“Atë ditë do të ketë fytyra të gëzuara; që Zotin e tyre e shikojnë.” 1

إِنَّ الْأَبْرَارَ لَفِي نَعِيمٍعَلَى الْأَرَائِكِ يَنظُرُونَ تَعْرِفُ فِي وُجُوهِهِمْ نَضْرَةَ النَّعِيمِ

“E s’ka dyshim se vepërmirët janë në përjetime e kënaqësi (në xhenet). Të mbështetur në kolltukë vështrojnë. Në fytyrat e tyre mund të kuptosh kënaqësinë e përjetimeve.” 2

لِّلَّذِينَ أَحْسَنُواْ الْحُسْنَى وَزِيَادَةٌ

“Atyre që bëjnë vepra të mira, u takon e mira (xheneti) edhe më tepër (e shohin Allahun).” 3

لَهُم مَّا يَشَاؤُونَ فِيهَا وَلَدَيْنَا مَزِيدٌ

“Ata aty kanë çka të dëshirojnë, e te Ne ka edhe më shumë.” 4

Këto ajetë janë të shumta në Librin e Allahut. Ai që mendon mbi Kuranin dhe kërkon udhëzim do të kuptojë rrugën e vërtetë.

Shpjegimi

Allahu (te ala) ka thënë:

وُجُوهٌ يَوْمَئِذٍ نَّاضِرَةٌ

“Atë ditë do të ketë fytyra të gëzuara.”

Do të thotë nga ngazëllimi dhe bukuria:

إِلَى رَبِّهَا نَاظِرَةٌ

Që Zotin e tyre e shikojnë.”

Do të thotë shikojnë. Po ashtu Allahu (xhele ue ala) ka thënë:

إِنَّ الْأَبْرَارَ لَفِي نَعِيمٍعَلَى الْأَرَائِكِ يَنظُرُونَ تَعْرِفُ فِي وُجُوهِهِمْ نَضْرَةَ النَّعِيمِ

“E s’ka dyshim se vepërmirët janë në përjetime e kënaqësi (në xhenet). Të mbështetur në kolltukë vështrojnë. Në fytyrat e tyre mund të kuptosh kënaqësinë e përjetimeve.”

لِّلَّذِينَ أَحْسَنُواْ الْحُسْنَى وَزِيَادَةٌ

“Atyre që bëjnë vepra të mira, u takon e mira (xheneti) edhe më tepër (e shohin Allahun).”

Fjala në këtë ajet “Edhe më tepër”, është shikimi i fytyrës së Allahut (xhela ue ala). E gjithë kjo është e vërtetë. Në ditën e gjykimit, edhe Allahu (subhanehu ue te ala) do t’i shikojë robërit e Tij edhe ata Atë. Gjithashtu në xhenet. E gjithë kjo është e vërtetë.

Këto argumente janë të shumta në Librin e Allahut dhe në sunnetin autentik. Ai që mendon mbi Kuranin dhe sunnetin e kupton se sa në mënyrë të qartë pohohen cilësitë e Allahut (azze ue xhel) në to; dija e Tij, fuqia, të folurit, qëndrimi lartë, kënaqësia, zemërimi, të qeshurit dhe të tjera. Është i detyrueshëm pohimi dhe besimi i tyre në një mënyrë që i përket Allahut (subhanehu ue te ala) dhe të kumtuarit e tyre fjalë për fjalë, pa i shtrembëruar, pa i mohuar, pa i imagjinuar dhe pa i krahasuar ato. Të gjitha cilësitë duhet të trajtohen në të njëjtën mënyrë sipas Ehl-us-Sunnetit dhe Xhematit. Është e saktë që të pohohen cilësitë; kuptimet e tyre janë të vërteta dhe ato janë të vërteta. Megjithatë, vetëm Allahu (subhanehu ue te ala) e di se si ato janë. Përveç kësaj, duhet ditur se cilësitë e Tij nuk janë sikurse cilësitë e krijesave:

لَيْسَ كَمِثْلِهِ شَيْءٌ وَهُوَ السَّمِيعُ البَصِيرُ

”Asgjë nuk i shëmbëllen Atij dhe Ai është Gjithëdëgjuesi, Gjithëshikuesi.”

As qenia e Tij (xhele ue ala) nuk i ngjan qenies së krijesave. Cilësitë e Tij nuk i ngjajnë cilësive të krijesave. Të gjithë emrat dhe cilësitë e Tij janë të vërteta. Është e detyrueshme për t’i pohuar dhe besuar ashtu siç i përket Allahut (subhanehu ue te ala). Kështu ka thënë Imam Maliku, Sufjan Eth-Theuri, Ibn Ujejneh, Imam Ahmed bin Hanbeli, Is’hak bin Rahojah, Imam Esh-Shafi’i dhe imamët e tjerë. Të gjithë kanë shkuar nga dera e vetme. Kjo çështje duhet të trajtohet në të njëjtën mënyrë; është e detyrueshme për t’i pohuar ajetet e Kuranit dhe hadithet në lidhje me cilësitë e Allahut fjalë për fjalë ashtu siç i përket Allahut (subhanehu ue te ala), pa i shtrembëruar, pa i mohuar, pa i imagjinuar dhe pa i krahasuar ato. Ato janë të vërteta dhe të pohuara në lidhje me Allahun (azze ue xhel) dhe ato nuk i ngjajnë cilësive të krijesave të Tij (subhanehu ue te ala).


1 El-Kijameh 75:22-23.

2 El-Mutaffifin 83:22-24.

3 Junus 10:26.

4 Kaf 50:35.

Shpërndaje: