Imam Muhammed Nasirudin el-Albani (v. 1420)
Burimi: Xhilbab el-Mar’ah el-Muslimeh, fq. 88
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Ndërsa për sa i përket fjalës së të nderuarit, ustadh El-Maududit i cili ka thënë:
“Ajeti u shpall veçanërisht për mbulimin e fytyrës.”1
Me sa di unë asnjë dijetar nuk ka thënë kështu. Ai as nuk e bazon mendimin e tij në ndonjë dëshmi të vlefshme. Argumenti i vetëm në të cilin ndoshta mund të mbështetet është transmetimi i Ka’b el-Kuradhit. Dhe mundet që ky transmetim nga Ka’b el-Kuradhi, të jetë shpjegimi i tij i ajetit por zinxhiri i transmetimit është shumë i dobët dhe nuk lejohet që të përdoret për argumentim dhe dëshmi siç do të vijojë sqarimi i kësaj në libër in shaa Allah. Gjithashtu nuk saktësohet edhe transmetimi tjetër që ai përmendi sipas të cilit Ibn Abbasi ka thënë për ajetin se:
“Allahu i urdhëroi gratë besimtare që kur të dalin nga shtëpia, t’i mbulojnë fytyrat me rrobat e tyre të jashtme …”
Dhe ai nuk përmendi pjesën tjetër:
“… dhe të shfaqin vetëm një sy.” (Xhami-ul-Bejan)
Sikurse u tha, transmetimi i Ibn Abbasit nuk është autentik. Et-Tabari e ka transmetuar atë përmes Aliut nga Ibn Abbasi, dhe ky Aliu është Ali bin Ebu Talha siç e ka përmendur Ibn Kethiri. Për Ali bin Ebu Talha, disa prej imamëve kanë folur për të dhe ai nuk ka dëgjuar hadithe nga Ibn Abbasi, madje as nuk e ka parë Ibn Abbasin. Thuhet se Muxhahidi është transmetuesi midis Aliut dhe Ibn Abbasit dhe nëse vërtetohet kjo, në këtë rast zinxhiri i transmetimit është i lidhur. Por në zinxhirin e transmetimit ekziston Ebu Salih, emri i të cilit është Abdullah bin Salih në të cilin ka dobësi. Përveç kësaj, Ibn Xheriri ka transmetuar nga Ibn Abbasi një kuptim të kundërt nga transmetimi i mëparshëm por dhe ky zinxhir transmetimi është i dobët. Ndërsa për sa i përket transmetimit të fundit, unë kam gjetur një zinxhir tjetër autentik të transmetimit siç e kemi përmendur në faqen 59 dhe për këtë lavdërimi dhe falënderimi i përket Allahut.
1 El-Hixhab, fq. 366