Imam Ebu Bekr Muhammed bin el-Husajn el-Axhurri (v. 360)
Përmbledhje nga libri “esh-Shari’ah”
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
317 – Ebu Derda (radijAllahu anhu) tregoi se i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
”Nuk ka asgjë që peshon aq rëndë në peshoren e besimtarit në Ditën e Gjykimit, sikurse morali i bukur.” 1
318 – Selmani (radijAllahu anhu) ka thënë:
“Në Ditën e Gjykimit ura (e siratit) do të vihet përpara. Ajo do të jetë aq e hollë sa një brisk rroje. Pastaj sillet peshorja. Në qoftë se qiejt dhe ajo që ata mbajnë dhe toka dhe ajo që është në të do të ishin vendosur në të, do t’i zë që të gjitha. Engjëjt do të thonë: “O Zot, kë do ta peshosh në të?” Ai do të thotë: “Atë që Unë dua nga krijesat e Mia.” Atëherë ata do të thonë: “O Zot, ne nuk të kemi adhuruar Ty aq sa e meriton.”
319 – Ubejd bin Umejr ka thënë:
“Në Ditën e Gjykimit një burrë i gjatë dhe i madh do të vendoset në peshore. Megjithatë, pesha e tij nuk do të korrespondojë as sa pesha e krahut të mushkonjës.” Pastaj lexoi:
فَحَبِطَتْ أَعْمَالُهُمْ فَلَا نُقِيمُ لَهُمْ يَوْمَ الْقِيَامَةِ وَزْنًا
“Andaj veprat e tyre shkuan huq dhe Ne nuk do të vëmë kurrfarë peshe për ta (për veprat e tyre), në Ditën e Kiametit.” 2
320 – Sabra bin Fatik (radijAllahu anhu) transmeton se i dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“Peshorja është në dorën e Allahut (azze ue xhel); Ai i ngre disa njerëz dhe i ul disa njerëz.” 3
321 – Ibn-ul-Asbahani ka thënë: “Peshorja është në dorën e Zotit.”
322 – I dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
“Unë e pashë veten duke hyrë në xhenet. Një pjatë e peshores mu soll mua dhe unë u vendosa në të. Pastaj u sollën umeti im dhe ata u vendosën në pjatën tjetër të peshores. Së fundi, unë peshova më shumë se umeti im.”4
323 – Allahu na ruajt nga ata që e mohojnë peshoren.
1 Ebu Davudi (4799), Tirmidhi (2070), Ahmedi (6/446) dhe të tjerë. Tirmidhi ka thënë: Ky hadith është i mirë dhe autentik.
2 El-Kehf 18:105
3 Tabaraniu (6557) dhe Ebi Asim (550). Albani ka thënë: Hadithi është autentik. (Dhilal-ul-Xhennah, fq.254)
4 Ahmedi (5469). El-Hejthemi ka thënë: Transmetuesit e hadithit janë të besueshëm. (Mexhma-uz-Zaua’id (9/58)). Ahmed Shakir ka thënë: Zinxhiri i transmetimit është autentik. (Musned Imam Ahmed (5/77)).