Imam Muhammed Nasirudin el-Albani (v. 1420)
Burimi: Manasik-ul-Haxh uel-Umrah, fq. 43-45
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Rreziqet e bidateve ndryshojnë dhe ndahen në disa nivele. Ti do të shohësh se disa janë mosbesim (kufër) dhe idhujtari (shirk) i qartë. Të tjerat janë më të lehta. Megjithatë, është e detyrueshme të dihet se bidati më i vogël fetar është i ndaluar pasi të jetë sqaruar. Disa imagjinojnë se disa bidate janë vetëm të urryera. Kjo nuk është e saktë. Si të jetë e saktë kur i dërguari i Allahut (salAllahu alejhi ue selem) ka thënë:
“Ju paralajmëroj ndaj risive, sepse çdo risi është bidat dhe çdo bidat është devijim dhe çdo devijim është në zjarr.”
Do të thotë praktikuesi i tij.
Këtë çështje Imam esh-Shatibi (rahimehullah) e ka studiuar në mënyrë të përkryer në librin e tij madhështorë “el-I’tisam”. Kështu, çështja e bidatit është jashtëzakonisht serioze. Megjithatë sot është lënë pas dore nga shumica dhe vetëm një grup dijetarësh kanë njohuri rreth tij. Në mënyrë që ti ta dish se sa serioze është, të mjafton që të lexosh fjalët e profetit (salAllahu alejhi ue selem):
“Allahu e pengon bidatçiun nga pendimi deri sa ai ta braktisë bidatin e tij.”
Ky është transmetuar nga et-Tabarani, edh-Dhija në “el-Ahadith el-Mukhtarah” dhe të tjerët. Zinxhiri i tij i transmetimit është autentik dhe el-Mundhiri tha se është i mirë1.
Unë do t’i përfundoj këto fjalë me këshilla për lexuesit. Këshilla është nga një Imam i madh që ka jetuar në të kaluarën: Shejkh Hasan bin Ali el-Barbahari. Ai ishte një nga pasuesit e Imam Ahmedit (rahimehullah) dhe vdiq në vitin 329. Ai (rahimehullah) ka thënë:
“Kujdes nga risitë e vogla pasi që të gjitha bidatet e vogla rriten. Në fillim të umetit çdo bidat ishte i vogël dhe i ngjashëm me të vërtetën. Ai që hyri në të u mashtrua dhe si rezultat nuk mundi ta braktiste. Ai bidat u rrit dhe u bë një fe e pasuar. Kështu, personi e kundërshtonte rrugën e vërtetë dhe përjashtohej nga Islami.
Prandaj shqyrto – Allahu të mëshiroftë – të gjithë bashkëkohësit tuaj prej të cilëve dëgjon diçka. Mos u nxito dhe të futesh në diçka derisa të pyesësh dhe të bësh hulumtime. A fliste dikush nga sahabët e të dërguarit të Allahut (salAllahu alejhi ue selem) ose ndonjë dijetarë kështu? Nëse gjen transmetim relevant prej tyre, kapu për të. Mos e tejkalo atë për ndonjë gjë tjetër dhe mos e nënvlerëso atë në mënyrë që të mos biesh në zjarr.
Dije – Allahu të mëshiroftë – se islami i robit nuk mund të plotësohet derisa të pasojë, të besoj dhe të nënshtrohet. Ai që argumenton se ka diçka në Islam që sahabët e Muhammedit (salAallahu alejhi ue selem) nuk e kanë shpjeguar për ne, i ka përgënjeshtruar ata. Kjo është një dëshmi e mjaftueshme për sektarizëm dhe akuzë ndaj sahabëve. Ai është një bidatçi i devijuar që devijon të tjerët dhe shpikë në Islam gjëra që nuk i përkasin atij.”2
Allahu gjithashtu e mëshiroftë edhe Imam Malikun i cili tha:
“Gjeneratat e mëvonshme të këtij umeti mund të përmirësohen vetëm nëpërmjet asaj që e përmirësoi gjeneratën e saj të mëparshme. Ajo që nuk ishte fe atëherë nuk është fe sot.”
Selemat dhe slavatet e Allahut qofshin mbi profetin tonë që tha:
“Nuk ka asgjë që ju afron tek Allahu, vetëm se unë ju kam urdhëruar atë. Nuk ka asgjë që ju afron tek zjarri, vetët se ja kam ndaluar atë.”
1 Shih ”Silsilah el-Ahadith es-Sahihah” (1620).
2 Sherh-us-Sunnah (7-10).