Imam Muhammed Nasirudin el-Albani (v. 1420)
Burimi: Xhilbab el-Mar’ah el-Muslimeh, fq.90
Përktheu: Valdet Gashi
Përveç kësaj, Allahu (te ala) e sqaroi urtësinë që qëndron pas veshjes së jashtme të gruas, xhilbabit kur Ai tha:
يَا أَيُّهَا النَّبِيُّ قُل لِّأَزْوَاجِكَ وَبَنَاتِكَ وَنِسَاء الْمُؤْمِنِينَ يُدْنِينَ عَلَيْهِنَّ مِن جَلَابِيبِهِنَّ ذَلِكَ أَدْنَى أَن يُعْرَفْنَ فَلَا يُؤْذَيْنَ وَكَانَ اللَّهُ غَفُورًا رَّحِيمًا
”O profet! Thuaju bashkëshorteve të tua dhe bijave të tua edhe bashkëshorteve të besimtarëve të lëshojnë vellon (xhilbabin) e tyre mbi gjithë trupin e tyre. Kjo do të ishte më e mirë që ato të mund të dallohen (si gra të ndershme) që të mos i shqetësojë (e ngacmojë) askush. Dhe Allahu është gjithnjë Falës i Madh, gjithnjë Mëshirëplotë.” 1
Me fjalë të tjera, kur një grua vesh rrobën e saj të jashtme ajo njihet si një grua e lirë, e dëlirë dhe e mirë. Si pasojë ajo nuk do të shqetësohet nga mëkatarët. Ndërsa nëse ajo nuk e bën këtë dhe del e veshur me rroba jo të sakta dhe e zbuluar, mëkatarët marrin shpresë për gra të tilla dhe prandaj shkaktohen ngacmimet dhe provokimet, gjë e cila është e njohur gjithmonë dhe kudo. Në mënyrë që gruaja të mos përjetojë gjëra të tilla, Allahu (te ala) urdhëroi të gjitha gratë besimtare të mbulohen me veshjen e rrobave të jashtme për ta mbyllur rrugën që shpie në këto të këqija.
1 33:59