Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

39.Xheneti dhe xhehenemi u krijuan pra njeriut

Imam Ebu Bekr Muhammed bin el-Husajn el-Axhurri (v. 360)

Një përmbledhje nga libri “esh-Shari’ah”

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

324 – Dije Allahu na mëshiroftë neve dhe juve! Kurani thotë se Allahu (azze ue xhel) e krijoi xhenetin dhe xhehenemin para Ademit . Ai ka krijuar njerëz për xhenet dhe njerëz për xhehenem para se Ai ti sjell ata në tokë. Muslimanët dhe besimtarët janë të bashkuar në këtë. Argumentet për këtë janë në Kuran dhe Sunnet. Allahu na ruajt nga ata që e mohojnë këtë!

325 – Nëse dikush thotë se ne duhet t’ia shpjegojmë këtë atij, ne themi: A nuk e krijoi Allahu Ademin dhe Hauan dhe a nuk i vendosi që të jetojnë në xhenet? Allahu (azze ue xhel) ka thënë:

وَقُلْنَا يَا آدَمُ اسْكُنْ أَنتَ وَزَوْجُكَ الْجَنَّةَ وَكُلاَ مِنْهَا رَغَداً حَيْثُ شِئْتُمَا وَلاَ تَقْرَبَا هَـذِهِ الشَّجَرَةَ فَتَكُونَا مِنَ الْظَّالِمِينَ

“Dhe Ne thamë: “O Adem! Bano ti dhe bashkëshortja yte në Xhennet dhe hani të dy me kënaqësi dhe gëzim nga gjërat që ka atje ku të doni, por mos iu afroni kësaj peme, se përndryshe do të jeni prej dhalimunëve (prej keqbërësve).”1

يَا بَنِي آدَمَ لَا يَفْتِنَنَّكُمُ الشَّيْطَانُ كَمَا أَخْرَجَ أَبَوَيْكُمْ مِنَ الْجَنَّةِ

“O bijtë e Ademit, të mos ju mashtrojë kurrsesi shejtani sikurse i nxori prindërit tuaj nga xheneti.”2

Allahu (azze ue xhel) e dëboi Ademin dhe Hauan nga xheneti. Pastaj Ai i fali ata dhe u premtoi atyre se do t’i fusë ata përsëri në xhenet. Nga ana tjetër, Ai e dëboi edhe Iblisin nga xheneti dhe ia ndaloi atë përgjithmonë.

326 – Ibn Abasi ka thënë në lidhje me ajetin:

فَتَلَقَّىٰ آدَمُ مِنْ رَبِّهِ كَلِمَاتٍ فَتَابَ عَلَيْهِ ۚ إِنَّهُ هُوَ التَّوَّابُ الرَّحِيمُ

“Pastaj Ademi mori fjalë nga Zoti i tij. Dhe Allahu e fali atë (duke e pranuar pendimin e tij). Sigurisht që Allahu është Ai i Cili gjithnjë pranon pendimin (e robëve të Tij), Mëshirëploti.”3

326 – Ibn Abbasi tha në lidhje me fjalët:

“Pastaj Ademi mori fjalë nga Zoti i tij.”

“Ademi tha: “O Zot, A nuk më ke krijuar mua me dorën Tënde?” Allahu tha: “Po.” “Ademi tha: “O Zot, A nuk ke fryr tek unë një shpirt nga Ti?” Allahu tha: “Po.” Ademi tha: “O Zot, a nuk e ka tejkaluar mëshira Jote hidhërimin Tënd?” Allahu tha: “Po.” Ademi tha: “Zot, A nuk më ke lejuar që të jetojë në xhenetin Tënd?” Allahu tha: “Po.” Ademi tha: “O Zot , a më lejohen që të kthehem përsëri në xhenet në qoftë se pendohem dhe përmirësohem?” Allahu tha: “Po.”

327 – Hasan bin Atijjeh ka thënë:

“Ademi qau gjashtëdhjetë vjet kur u dëbua nga xheneti dhe ai qau dyzet vjet kur djali i tij u vra.”

328 – Jezid Er-Rukashi ka thënë:

“Pasiqë Ademi kishte qarë për një kohë të gjatë për xhenetin, ai u pyet për arsyen. Ai tha: “Unë po qajë sepse unë nuk jam afër Zotit tim në një shtëpi toka e së cilës është e këndshme dhe në të cilin i dëgjoj zërat e engjëjve.”

329 – Ebu Hurejra (radijAllahu anhu) ka transmetuar se profeti ka thënë:

”Pasi që Allahu (azze ue xhel) e kishte krijuar xhenetin dhe xhehenemin, Ai e dërgoi Xhibrilin ﷺ në xhenet dhe i tha: ”Shko  shikoje xhenetin dhe atë që kam përgatitur për banorët e tij!” Xhibrili ﷺ shikoi në të, u kthye dhe tha: ”Pasha fuqinë Tënde! Askush nuk do të dëgjojë për të, vetëm se ata do të hyjnë në të.” Pastaj Allahu urdhëroi që xheneti të rrethohet me vështirësi. Pastaj Ai i tha Xhibrilit ﷺ: ”Shko dhe shiko në të!” Atëherë Xhibrili tha: ”Pasha fuqinë Tënde! Unë kam frikë se askush nuk do të hyjë në të.” Allahu i tha: ”Shko dhe shikoje xhehenemin dhe çfarë Unë kam përgatitur për banorët e tij! ”Ai ﷺ shikoi në të, u kthye dhe tha: ”Pasha fuqinë Tënde! Askush nuk do të dëgjojë për të dhe pastaj të hyjë në të. ”Pastaj Allahu urdhëroi që ai të rrethohet me epshe. Pastaj Ai i tha: ”Shko dhe shiko në të!” Atëherë Xhibrili ﷺ tha: ”Pasha fuqinë Tënde! Unë kam frikë se askush nuk do të mbetet pa hyrë në të.” 4

330 – Ibn Abbbasi (radijAllahu anhu) ka transmetuar se profeti ka thënë:

“E pashë zjarrin dhe pashë se shumica në të ishin gra. E pashë xhenetin dhe e pashë se shumica në të ishin të varfërit.” 5

331 – Ebu Hurejre (radijAllahu anhu) ka transmetuar se profeti ka thënë:

“Një herë debatuan xhehenemi dhe xheneti. Njëri prej tyre tha: “Tek unë do të jenë shtypësit dhe mendjemëdhenjtë.” Tjetri tha: “Tek unë do të jenë të dobëtit dhe të varfrit.” Atëherë Allahu (azze ue xhel) i tha njërit: “Ti je dënimi Im. Me ty do të dënoj atë që Unë dua.” Pastaj i tha tjetrit: “Ti je mëshira Ime. Me ty e mëshirojë atë që Unë dua dhe që të dy do të mbusheni!” 6

332 – Enes bin Malik (radijAllahu anhu) ka transmetuar se profeti ka thënë:

“Nëse një person i lutet Allahut (azze ue xhel) t’ia dhurojë xhenetin tre herë, xheneti thotë: “O Allah, fute në xhenet.” Dhe në qoftë se një person i kërkon mbrojtje Allahut (azza ue xhel) kundër zjarrit tre herë, zjarri thotë: “O Allahu, mbroje atë prej zjarrit.” 7


1 El-Bekare 2:35.

2 El-A’raf 7:27.

3 El-Bekare 2:37.

4 Ebu Davudi (4744), Tirmidhi (2560), Nesai (7/3-4) dhe të tjerë. Albani ka thënë: Hadithi është i mirë dhe autentik. (Sahih Sunen Ebu Davud (3/162))

5 Ahmedi (1/234) dhe Tirmidhi (2602) i cili tha: Hadithi është i mirë dhe autentik.

6 Muslimi (2846), Humejdi (1137), Ibn Hibani (7477) dhe të tjerë.

7 Tirmidhiu (2572), Nesai (8/279), Ibn Maxheh (4340) dhe të tjerë.

Shpërndaje: