Imam Muhammed Nasirudin el-Albani (v. 1420)
Burimi: Xhilbab el-Mar’ah el-Muslimeh, fq.90-92
Përktheu: Valdet Gashi
Ibn Sad tregoi: Muhammed bin Umer na informoi, nga Ibn Ebi Sabrah, nga Ebu Sakhr, nga Ibn Ka’b el-Kuradhi i cili tha:
“Ishte një munafik që e kishte zakon t’i shqetësonte gratë besimtare. Sa herë që i thuhej që të mos e bënte këtë, justifikimi i tij ishte se ai mendonte se ishin robëresha (skllave). Pastaj Allahu i urdhëroi ato që të mos vishen si robëreshat dhe në vend të kësaj të mbështillen mirë me rrobat e tyre të jashtme.” 1
Ky transmetim nuk është i saktë, përkundrazi është shumë i dobët për arsyet e mëposhtme:
1 – Ibn Ka’b el-Kuradhi, emri i të cilit është Muhamed, ishte tabiin dhe ai nuk ka jetuar në kohën e profetit ﷺ. Pra transmetimi është mursel.
2 – Ibn Ebi Sabrah, emri i të cilit është Ebu Bekr bin Abdil-Lah bin Muhammed bin ebi Sabrah, është transmetues shumë i dobët. Hafidh Ibn Haxheri në “Takrib” ka thënë:
“Ai akuzohej për gënjeshtar.” 2
3 –Dobësia (si transmetues) i Muhammed bin Umer, domethënë el-Uakidi, kështu është i njohur tek muhadithinët. Ai madje ishte i akuzuar për gënjeshtar.
Transmetime të ngjashme ka përmendur Sujuti ndërsa disa prej këtyre transmetimeve janë përmendur tek Ibn Xheriri dhe tek të tjerët, por të gjitha këto transmetime janë mursel, pra nuk janë të sakta, pasi të tëra këto transmetime përfundojnë tek Ebi Malik, Ebu Salih, el-Kelbi, Mu’auijeh bin Kurrah dhe el-Hasan el-Basri. Nuk ka ardhur asnjë transmetim në formën musned (me zinxhir transmetimi të pandërprerë), prandaj këto transmetime nuk përbëjnë argument, veçanërisht duke pasur parasysh që këto transmetime qartazi bien ndesh me legjislacionin sheriatik dhe logjikën e shëndoshë. Sipas këtyre transmetimeve, nënkuptohet që gratë robëresha muslimane sepse natyrisht që dhe në mesin e tyre kishte gra robëresha muslimane, pra ato nuk do të duhej të mbuloheshin me xhilbab për t’i shpëtuar ngacmimeve të munafikëve. Është e çuditshme se si disa prej komentuesve të Kuranit për shkak të këtyre transmetimeve të dobëta, e keqkuptuan këtë çështje dhe ata thanë se fjalët e Allahut (te ala):
وَنِسَاء الْمُؤْمِنِينَ
“…dhe grave besimtare…”
i referohet grave të lira besimtare dhe jo robëreshave. Ata thanë se gratë robëresha, nuk kanë nevojë të mbulojnë kokën dhe flokët, madje disa medhhebe shkuan deri aty sa që thanë se aureti i robëreshës është si aureti i burrit, nga kërthiza deri tek gjunjët. Përveç kësaj, ata thanë se burrave të huaj u lejohet që të shikojnë flokët, krahët, pulpat, kraharorin dhe gjoksin e robëreshës4. Ky mendim i tyre, jo vetëm që nuk ka argument nga Kurani dhe sunneti, por shkon gjithashtu kundër asaj që është përgjithsuar në fjalët e Allahut (te ala):
وَنِسَاء الْمُؤْمِنِينَ
“…dhe grave besimtare…”
Ky përgjithësim në ajetin e përmendur është si përgjithësimi në fjalët e Allahut (te ala):
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُواْ لاَ تَقْرَبُواْ الصَّلاَةَ وَأَنتُمْ سُكَارَى حَتَّىَ تَعْلَمُواْ مَا تَقُولُونَ وَلاَ جُنُبًا إِلاَّ عَابِرِي سَبِيلٍ حَتَّىَ تَغْتَسِلُواْ وَإِن كُنتُم مَّرْضَى أَوْ عَلَى سَفَرٍ أَوْ جَاء أَحَدٌ مِّنكُم مِّن الْغَآئِطِ أَوْ لاَمَسْتُمُ النِّسَاء فَلَمْ تَجِدُواْ مَاء فَتَيَمَّمُواْ صَعِيدًا طَيِّبًا فَامْسَحُواْ بِوُجُوهِكُمْ وَأَيْدِيكُمْ
“O ju që keni besuar, mos iu afroni namazit duke qenë të dehur, derisa të dini se ç’flitni, e as duke qenë xhunubë (të papastër), derisa të laheni, përpos kur jeni udhëtarë. Nëse jeni të sëmurë, jeni në ndonjë udhëtim, ose ndonjëri prej jush vjen nga ultësira (nevojtorja), ose keni prekur gratë (keni pasur marrëdhënie intime me to), e nuk gjeni ujë, atëherë mësyjeni dheun dhe fërkoni me të fytyrat dhe duart (duke marrë tejemum).” 5
Prandaj Ebu Hajjan el-Andalusi tha:
“Me sa duket fjalët e Tij:
وَنِسَاء الْمُؤْمِنِينَ
“… dhe grave besimtare …”
përfshijnë si gratë besimtare dhe robëreshat. Fitneja (sprova) nga robëreshat, për shkak të sjelljes dhe tërheqjes së vëmendjes prej tyre, është më e madhe në krahasim me gratë e lira. Për këtë arsye, për t’i përjashtuar ato nga obligimi i mbulimit me xhilbab pasi ky obligim supozohet se vlen vetëm për gratë e lira, për këtë duhet një argument i qartë.” 6
Të njëjtin mendim ka patur Hafidh Ibn-ul-Kattan7 dhe të tjerë përveç tij.
1 et-Tabakat el-Kubra (8/176).
2 et-Takrib.
3 Shih “ed-Durr el-Menthur”.
4 Ahkam-ul-Kuran (3/390) nga Ebu Bekr el-Xhesas.
5 4:43
6 el-Bahr el-Muhit (7/250).
7 Shih “Ahkam-ul-Kuran” (2/24 – dorëshkrim).