Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

41.Lutja për çiftin e sapomartuar

Imam Muhamed Nasir-ud-Din el-Albani (v. 1420)
Edeb-uz-Zifaf
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Lutja për çiftin e sapomartuar bëhet që ata të kenë mirësi dhe begati. Janë disa hadithe për këtë.

Hadithi parë: Nga Xhabir bin Abdilah -radijAllahu anhuma- i cili ka thënë:

“Babai im u vra në luftë dhe la shtatë ose nëntë vajza. Unë u martova me një vejushë.

I dërguari i Allahut ﷺ më pyeti: “A u martove o Xhabir?”

Unë u përgjigja: “Po.”

Ai ﷺ tha: “Me virgjëreshë apo vejushë?”

Unë i thashë: “Me vejushë.”

Ai tha: “Përse nuk u martove me një virgjëreshë që të dëfrehesh me të dhe ajo të dëfrehet me ty, dhe të cilën mund ta bëje të qeshte dhe anasjelltas?” 

Unë thashë: “Abdullahu (babai im) u vra në luftë dhe la tij vajza dhe unë nuk pëlqeva që t’iu sjellja atyre një vajzë sa ato (në moshë), prandaj u martova me një grua që të kujdeset për to dhe t’i edukojë ato.

 Ai ﷺ tha:

بارك الله لك

“Allahu të begatoftë.” 

ose më tha: “Allahu të dhëntë mirësi.”

Transmeton Bukhari (5080) dhe Muslimi (715), teksti është i Bukharit ndërsa shtesa është e Muslimit.

Hadithi i dytë: Nga Burejdeh -radijAllahu anhu- i cili ka thënë:

“Një person prej Ensarëve i tha Aliut: “Ti ke Fatimen”.

Ai shkoi tek i dërguari i Allahut ﷺ dhe i dha selam atij.

Ai ﷺ i tha: “Për çfarë ke nevojë o i biri i Ebu Talibit?”

Aliu tha: “Mu kujtua Fatimja, vajza e të dërguarit të Allahut.”

Ai ﷺ i tha: “Mirë se erdhe, ndjehu si në shtëpinë tënde, dhe nuk tha gjë tjetër.”

Ali bin Ebi Talibi doli tek grupi i Ensarëve që e prisnin.

Ata thanë: “Çfarë ndodhi?”

Ai tha: “Nuk e di, vetëm se ai ﷺ më tha: “Mirë se erdhe, ndjehu si në shtëpinë tënde.”  

Ata thanë: “Mjafton që i dërguari i Allahut ﷺ të jep njërën prej këtyre dyjave; ose do të jep për bashkëshorte një grua prej farefisit të tij ose do të ofrojë mikpritje.”

Pasi e martoi Aliun, ai ﷺ tha: “O Ali! Duhet patjetër për nusen të përgatitet gosti.”

Sa’di tha: “Unë kam një dash.” Ensarët mblodhën disa enë me misër.

Natën e martesës, ai ﷺ i tha: “Mos bisedo asgjë derisa të më takosh!” 

I dërguari i Allahut ﷺ kërkoi ujë, mori abdes, dhe ujin e mbetur e derdhi mbi Aliun, pastaj ﷺ tha:

اللَّهُمَّ بارِك فيهما وبارِك لَهُما في بِنائِهما

“O Allah, begatoji ata të dy dhe begatoji pasardhësit e tyre.”

Transmeton Ibn Sa’di, Ibn Asakiri dhe Tabarani në “el-Mu’xhem el-Kebir” me një zinxhir të mirë transmetimi.

Tek Ahmedi thuhet:

“Duhet përgatitur gosti për martesë patjetër.”

Teksti i hadithit është përmendur i plotë më parë.

Hadithi tretë: Nga Aishah -radijAllahu anha- e cila ka thënë:

“Kur u martova me profetin ﷺ, nëna ime erdhi dhe më futi në shtëpi, aty ishin një grup prej grave të Ensarëve të cilat thanë:

على الخير و البركة، و على خير طائر

“Paçi mirësi, begati dhe fat të mirë.” 

Transmeton Bukhari, Muslimi dhe Bejhaki.

Hadithi tjetër nga Ebu Hurejrah -radijAllahu anhu- i cili ka thënë:

“Nëse profeti ﷺ e dëgjonte dikë që e uronte të porsamartuarin me shprehje të xhahilijetit, i thoshte:

بَارَكَ الله لكَ وَبَارَكَ الله عَلَيْكَ وَجَمَعَ بَيْنَكُمَا فِي خير

“Allahu të begatoftë ty dhe pasardhësit e tu dhe ju bashkoftë në mirësi.”

Transmeton Seid bin Mensur në “es-Sunen”, Ebu Daudi, Tirmidhi dhe Ebu Ali et-Tusi në “el-Mukhtasar” dhe e saktësoi atë, është transmetuar gjithashtu nga Darimi, Ibn Maxheh, Ahmedi, Ibn-us-Simak, Hakimi, Bejhaki dhe el-Khatabi në “Gharib-ul-Hadith”.

Hakimi tha: “Hadithi është i saktë sipas kushteve të Muslimit.”

Dhehebi u pajtua me këtë, dhe është ashtu siç thanë ata të dy. Hafidh Abdul-Hak el-Azdi tregoi vërtetësinë e tij në “el-Ahkam el-Kubra.”

Në një transmetim tjetër tek Ahmedi, në fund tha: “ala khajrin”

 علي خير 


Sqarim nga përkthyesi:  بَارَكَ الله لكَ“Allahu të begatoftë ty”, është përdorur lami tek لكَ- sepse tregon për një begati që i vjen njeriut, ndërsa tek shprehja tjetër është përdorur علي sepse kjo begati robit i ka zbritur prej qiellit, prandaj kjo shprehje ka ardhur në këto dy forma si përforcim dhe si përsosje e mënyrës së lutjes kur dihet që në lutje, si përforcimi dhe përsosja e mënyrës së lutjes janë të pranishme dhe Allahu i Lartësuar e di më së miri. (Hashijeh ale Ibn Maxheh i Sindit, vëll 3, fq. 345).

Shpërndaje: