Imam Muhammed Nasirudin el-Albani (v. 1420)
Burimi: Xhilbab el-Mar’ah el-Muslimeh, fq.92-94
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com
Sa bukur foli Ibn Hazmi kur tha:
Sa i përket dallimit midis grave të lira dhe atyre robëresha, feja e Allahut është një, krijesat janë njësoj dhe natyra e tyre është një. Pra dispozita është njësoj si tek gratë e lira dhe ato robëresha derisa të vërtetohet me tekst të qartë sheriatik e kundërta.”
Pastaj ai tha:
“Disa njerëz me kuptim të dobët u argumentuan dhe thanë për fjalët e Allahut (te ala):
يُدْنِينَ عَلَيْهِنَّ مِن جَلَابِيبِهِنَّ ذَلِكَ أَدْنَى أَن يُعْرَفْنَ فَلَا يُؤْذَيْنَ وَكَانَ اللَّهُ غَفُورًا رَّحِيمًا
”Të lëshojnë vellon (xhilbabin) e tyre mbi gjithë trupin e tyre. Kjo do të ishte më e mirë që ato të mund të dallohen (si gra të ndershme) që të mos i shqetësojë (e ngacmojë) askush.”
se arsyeja për të cilën Allahu (te ala) urdhëroi për këtë është vetëm sepse mëkatarët ngacmonin gratë besimtare. Si rezultat grave të lira u kërkohej të vishnin xhilbabin në mënyrë që mëkatarët të dinin se ishin gra të lira dhe kështu të mos i ngacmonin.1
Ne heqim dorë nga ky shpjegim i pabazë e i prishur që mund të vijë ose si pasojë e rrëshqitjes së një dijetari apo si pasojë e dobësisë në kuptim të një personi të mençur dhe të virtytshëm, ose si pasojë e ndonjë shpifjeje të një gënjeshtari mëkatar sepse sipas këtij kuptimi Allahu i lejon mëkatarët që të ngacmojnë gratë robëresha muslimane. Kjo është një fatkeqësi. Nuk ka mospajtim në mesin e muslimanëve që zinaja me robëreshën është sikurse zinaja me gratë e lira dhe se zinaqari dënohet në mënyrë të barabartë në të dy rastet. Nuk ka asnjë ndryshim në këtë çështje. Ngacmimi i robëreshave është gjynah si ngacmimi i grave të lira. Prandaj nuk mund të pranohet fjala e askujt përveç fjalës së të dërguarit të Allahut.” 2
1 Sipas këtij mendimi gruaja nuk ka nevojë të veshë xhilbabin nëse nuk ka mëkatarë ose robëresha dhe siç është rasti në kohën tonë, gruaja nuk duhet të veshë xhilbabin sepse shkaku (arsyeja) për veshjen e xhilbabit nuk ekziston më. Dhe nëse shkaku nuk ekziston më po ashtu dhe gjykimi që bazohet mbi atë shkak nuk vlen më. Dhe një gjë e tillë është thënë qartë nga një shkrimtar në ditët e sotme i cili tha:
“Vini re se transmetimet që kanë të bëjnë me ajetin në Suren “el-Ahzab” kanë të bëjnë me faktin që në atë kohë gratë e lira dhe gratë robëresha kishin të njëjtën veshje. Mëkatarët i ngacmonin gratë pa bërë dallim midis grave të lira dhe atyre robëresha. Pastaj zbriti ajeti që urdhëron veshjen e xhilbabit nga ana e grave të lira në mënyrë që të dalloheshin gratë e lira nga ato robëresha dhe kështu gratë e lira nuk do të mund të ngacmoheshin nga mëkatarët.” Dhe në një vend tjetër ky shkrimtar tha: ”Ky urdhër dhe kjo dispozitë ishte e domosdoshme vetëm për atë kohë.” (el-Kuran uel-Mar’ah, fq. 59).
Ky shkrimtar duket sikur do të thotë që veshja e jashtme e gruas, xhilbabi nuk është i nevojshëm sot sepse të gjitha gratë janë të lira pasi nuk ka më robëri (skllavëri). Shihni se si injoranca rreth dobësisë së disa transmetimeve mund të çojë në anulimin e urdhërave të Kuranit dhe sunnetit siç ka paraprirë në faqen 74 nga hadithi i Ummu Atijes.
2 el-Muhalla (3/218-219). Ai i referohet thënies së Umerit (radijAllahu anhu) në të cilën Umeri (radijAllahu anhu) bëri dallimin midis grave të lira dhe atyre robëresha kur bëhet fjalë për mbulesën. Ez-Zejla’i e përmendi atë në “Nasb-ur-Rajah” (1/300), po ashtu Ibn ebi Shejbe 2/28/1-2 dhe el-Bejhaki 2/226-227 nëpërmjet disa rrugëve të transmetimit, pastaj tha:
“Transmetimet nga Umer bin el-Khatabi (radijAllahu anhu) mbi këtë çështje janë autentike.”
Ibn Hazmi tregoi qartë se ai ishte në dijeni për këto transmetime të sakta nga Umeri (radijAllahu anhu) dhe tha:
“Por fjalët e askujt nuk përbëjnë dëshmi përveç fjalës së të dërguarit të Allahut ﷺ.” (el-Muhala (3/221))
Për këtë që ka thënë ai, ka dëshmi nga fjalët e Aishes (radijAllahu anha):
“Kur profeti ﷺ hyri tek ajo, një skllave u fsheh. Ai pyeti: “A e ka pasur periudhën menstruale?” Ata thanë: “Po”. Pastaj ai shqeu çallmën e tij në dy pjesë dhe tha: “Mbulohu me këtë.”
E ka transmetuar Ibn Ebi Shejbeh 2/27/2 dhe Ibn Maxheh me zinxhir transmetimi të dobët.