Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë. [Edh-Dharijat 51:56]

43.Obligimi i të gjithë muslimanëve

Autor: Shejkhul Islam Ibnu Tejmijeh (v. 728)

Shpjegues i librit: Imam Abdul-Aziz bin Abdil-lah bin Baz (v. 1420)

Burimi: Sherh el-Akidah el-Uasitijeh, fq. 63-65

Përktheu: Valdet Gashi

www.perlatmuslimane.com

Shejkh-ul-Islam Ibnu Tejmijeh (rahimehullah) ka thënë:

Profeti ﷺ ka thënë:

“Nuk ka asnjë prej jush vetëm se Zoti i tij do t’i flas pa ndërmjetësues mes tyre.”1

Si dhe fjala e profetit në rukjen ndaj të sëmurit: ”Zoti ynë është Allahu, i Cili është mbi qiell. Emri Yt është i pastër dhe urdhri Yt është në qiell dhe në tokë. Le të jetë mëshira Jote në tokë sikurse mëshira Jote është në qiell. Na fal për mëkatet tona. Ti je Zoti i të mirëve. Zbrit mëshirë nga mëshira Jote, zbrit shërim nga shërimi tek kjo dhimbje. ”I sëmuri do të shërohet.”2

Transmetuar nga Ebu Davudi dhe të tjerët.

Profeti ﷺ ka thënë:

”A nuk më besoni mua kur unë jam besuar nga Ai është mbi qiej? Mëngjes dhe mbrëmje më vjen shpallja nga Ai që është mbi qiej.”3

”Arshi është mbi ujë dhe Allahu është mbi arsh dhe Ai e di gjendjen tuaj.”

Hadithi është i mirë dhe transmetohet mes tjerash nga Ebu Davudi.

Profeti ﷺ i tha robëreshës:

”Ku është Allahu?” Ajo u përgjigj: ”Mbi qiell.” Ai e pyeti: ”Kush jam unë?” Ajo u përgjigj: ”Ti je i dërguari i Allahut.”  Profeti ﷺ tha: ”Liroje atë. Ajo vërtetë është besimtare.”4

Transmetuar nga Muslimi.

Profeti ﷺ ka thënë:

”Besimi më i mirë është që të dish se Allahu është me ty kudo që të jesh.”5

Hadithi është i mirë.

Profeti ﷺ ka thënë:

”Kur dikush prej jush ngrihet për të falur namazin, ai duhet të mos pështyjë para tij ose në të djathtën e tij sepse Allahu është përpara tij. Ai duhet të pështyjë në të majtë ose nën këmbët e tij.”6

Transmetuar nga Bukhari dhe Muslimi.

Shpjegimi:

Këto hadithe i përkasin haditheve që kanë të bëjnë me cilësitë e Allahut disa janë përmendur edhe më lartë. Qëllimi i autorit (rahimehullah) ishte për të përmendur shembullin e ajeteve dhe haditheve në lidhje me cilësitë e Allahut në mënyrë që muslimani ta di kuptimin e tyre. Ai dha shembuj të ajeteve dhe haditheve në lidhje me emrat dhe cilësitë e Allahut. Ehl-us-Sunneti dhe Xhemati i besojnë ato fjalë për fjalë dhe i kumtojnë ato fjalë për fjalë pa shtrembërim, pa mohim, pa imagjinim dhe pa krahasim. Ata nuk i mohojnë ato siç veprojnë Xhehmitë dhe Mutezilitë. Ata nuk i interpretojnë ato në krahasamin me Maturiditë, Esharitë dhe të tjerët. Ata i kumtojnë ato fjalë për fjalë, besojnë në to dhe i pranojnë ato. Ata i besojnë ato fjalë për fjalë dhe mohojnë se Allahu i ngjan krijesave të Tij. Pra, Ehl-us-Suneti braktisin mohimin dhe krahasimin. Ajetet dhe hadithet janë të konfirmuara dhe kuptimi i tyre është i saktë. Nuk ekziston krahasim e as përngjasim, e as mohim.

Ndër të tjera profeti ﷺ ka thënë:

“Nuk ka asnjë prej jush vetëm se Zoti i tij do t’i flas pa ndërmjetësues mes tyre.”

Kjo dëshmon të folurit e Allahut me fjalë në ditën e gjykimit dhe se kjo është e përgjithshme. Por Allahu do t’u flas të këqinjëve në një mënyrë që i dëmton ata, fjalë hidhëruese. Fjalët e Tij me të mirët do t’i gëzojnë ata.

Profeti ﷺ ka thënë:

”A nuk më besoni mua kur unë jam besuar nga Ai është mbi qiej? Mëngjes dhe mbrëmje më vjen shpallja nga Ai që është mbi qiej.”

”Zoti ynë Allahu që është mbi qiell.”

”Zbrit mëshirë nga mëshira Jote.”

Gjithë kjo dëshmon lartësimin.

Po ashtu, profeti ﷺ ka thënë në hadithin:

”Arshi është mbi ujë dhe Allahu është mbi arsh, dhe Ai e di gjendjen tuaj.”

Para kësaj fjalët e Tij (te ala):

الرَّحْمَنُ عَلَى الْعَرْشِ اسْتَوَى

”I Gjithëmëshirshmi u ngrit mbi arsh.”7

Profeti ﷺ gjithashtu ka thënë:

”Kur dikush prej jush ngrihet për të falur namazin, ai duhet të mos pështyjë para tij ose në të djathtën e tij sepse Allahu është përpara tij. Në vend të kësaj ai duhet të pështyjë në të majtë ose nën këmbët e tij.”

Allahu është mbi arsh, ndërsa Ai njëkohësisht është para namazliut. Kjo nuk është kontradiktore. Ai është me ne kudo që të jemi:

وَهُوَ مَعَكُمْ أَيْنَ مَا كُنتُمْ وَاللَّهُ بِمَا تَعْمَلُونَ بَصِيرٌ

”Ai është me ju kudo që të jeni, Allahu është Gjithëvëzhgues për gjithçka që ju punoni.”8

Profeti ﷺ ka thënë

”Besimi më i mirë është që ta dish se Allahu është me ty kudo që të jesh.”

Allahu është me të me dijen e Tij. Në të njëjtën kohë Allahu (xhele ue ala) është përmbi qiejt e Tij me qenien e Tij. Ai është me ne me diturinë dhe përfshirjen e Tij. Allahu (subhaneh) është mbi arsh dhe mbi të gjitha krijesat e tjera dhe dituria e Tij është kudo; asgjë nuk është e fshehur prej Tij. Ai është me krisat e detrave, me ata që janë në tokë dhe me të gjithë të tjerët. Asgjë nuk është e fshehur prej Tij. Allahu (xhele ue ala) ka treguar se profeti ﷺ i tha Ebu Bekr Es-Sidikut (radijAllahu anhu) në shpellë:

لاَ تَحْزَنْ إِنَّ اللّهَ مَعَنَا

”Mos u pikëllo – Allahu është me ne!”9

Ai i tha Musait dhe Harunit:

لَا تَخَافَا إِنَّنِي مَعَكُمَا أَسْمَعُ وَأَرَى

”Mos u frikësoni, se Unë (me ndihmën Time) jam me ju, dëgjoj dhe shoh.”10

وَاصْبِرُواْ إِنَّ اللّهَ مَعَ الصَّابِرِينَ

“Bëhuni të durueshëm se Allahu me të vërtetë është me të durueshmit.”11

Kjo është shoqëria e veçantë. Prej shoqërisë së përgjithshme është:

وَهُوَ مَعَكُمْ أَيْنَ مَا كُنتُمْ وَاللَّهُ بِمَا تَعْمَلُونَ بَصِيرٌ

Ai është me ju kudo që të jeni, Allahu është Gjithëvëzhgues për gjithçka që ju punoni.” 12

Muslimanët janë të obliguar ta dinë këtë dhe se Allahu është me robërit e Tij me diturinë e Tij dhe i përfshinë ata dhe se është me robërit e Tij besimtarë dhe të devotshëm me mbrojtjen e Tij dhe kujdesin e tij. Në të njëjtën kohë Allahu është mbi arsh dhe mbi të gjitha krijesat e tjera:

إِنَّ رَبَّكُمُ اللّهُ الَّذِي خَلَقَ السَّمَاوَاتِ وَالأَرْضَ فِي سِتَّةِ أَيَّامٍ ثُمَّ اسْتَوَى عَلَى الْعَرْشِ

”Vërtet, Zoti juaj, Allahu, është Ai që krijoi qiejt dhe tokën brenda gjashtë ditësh, e pastaj Ai u ngrit mbi arsh.”

Pra, Allahu (xhele ue ala) është mbi qiell ndërsa dituria e Tij (subhanehu ue te ala) është kudo. Të gjithë muslimanët që janë përgjegjës për veprimet e tyre janë të detyruar të besojnë sikurse Ehl-us-Sunneti dhe Xhemati në lidhje me lartësimin e Allahut dhe mbi ngritjen mbi arsh, dhe se asgjë nuk është e fshehur prej Tij dhe se dituria e Tij përfshinë robërit e Tij kudo që janë.


1 Bukhari (6539) dhe Muslimi (1016).

2 Ebu Davudi (3892), Nesai (10877) dhe Hakimi (1/344). I dobët sipas Albanit në ”Dha’if Sunen Ebi Davud” (3892).

Ibn Bazi tha: ”Ka dobësi në zinxhirin e transmetimit të hadithit. Megjithatë, ky hadith është transmetuar përmes një zinxhiri tjetër gjendjen e të cilit unë nuk e di. Me siguri Ebu Davudi e njihte atë. Në këtë rast, hadithi është i mirë nëpërmjet të tjerëve. Përndryshe zinxhiri tek Ebu Davudi është i dobët. Por edhe në qoftë se ai nuk është konfirmuar, kuptimi është i saktë. Me fjalë të tjera na mjaftojnë ajetet Kuranore dhe hadithet. ”(Sherh el-Akidah el-Uasitijeh, fq. 61)

3 Bukhari (3610, 3344, 4351 dhe 7433), Muslimi (1064) dhe Ebu Davudi (4764).

4 Muslimi (537), Ebu Davudi (930), Nesai (3/13), Maliku (2/776), Ebi Asim (479), El-Bejhaki, fq. 422, Ahmedi (5/447) dhe Ebu Davudi, et-Tajalisi (1105).

5 Tabarani në ”el-Mu’xhem el-Ausat” (8791).

6 Bukhari (405) dhe Muslimi (547).

7 Ta Ha 20:5.

8 El-Hadid 57:4.

9 Teube 9:40.

10 Ta Ha 20:46.

11 El-Enfal 8:46.

12 El-Hadid 57:4.

Shpërndaje: