“Xhinët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë.” [Edh-Dharijat 51:56]

45.Varja e figurave dhe fotografive në mure

Imam Muhamed Nasir-ud-Din el-Albani (v. 1420)
Edeb-uz-Zifaf
Përktheu: Valdet Gashi
www.perlatmuslimane.com

Nuk lejohet që në dasma të ketë gjëra që bien në kundërshtim me sheriatin. Është obligim të shmanget çdo gjë që bie ndesh me fenë, veçanërisht ato gjëra të ndaluara të cilat janë bërë të zakonshme tek njerëzit në raste të ngjashme si këto saqë mendojnë shumë prej tyre se në to nuk ka ndonjë gjë të keqe për shkak të heshtjes së dijetarëve. Unë do doja të tërhiqja vëmendjen për disa gjëra dhe më të rëndësishmet prej tyre janë:

1 – Pikturat në mure

Nuk lejohet varja e pikturave (figurave, imazheve) të krijesave në mure, qofshin në formën e portreteve apo jo, me hije apo pa hije, të bëra me dorë ose të fotografuara. Nëse dikush nuk ka mundësi t’i grisë ato por ka mundësi t’i heqë, është obligim për të t’i heqë ato. Janë disa hadithe lidhur me këtë çështje ku njëri transmetohet nga Aishah -radijAllahu anha- e cila tha:

“Një herë profeti ﷺ hyri në dhomën time, unë kisha zbukuruar dhomën time me perde të cilat kishin figura1. Kur ai ﷺ i pa ato, fytyra e tij ndryshoi, i kapi ato dhe i grisi. Pastaj tha: o Aisheh! Njerëzit që do të kenë ndëshkimin më të ashpër në ditën e gjykimit janë ata që imitojnë në krijimin e Allahut2.” (Ne i premë ato dhe bëmë një ose dy jastëk prej tyre).” 3

1 Në një transmetim tjetër thuhet se figurat ishin: “kuaj me krahë”.

2 Në një transmetim tjetër thuhet se profeti ﷺ tha:

“Vërtet ata që i bëjnë këto figura do të ndëshkohen në ditën e gjykimit dhe do t’u thuhet atyre: “Jepuni jetë asaj që keni krijuar!” Pastaj tha: “Engjëjt nuk hynë në një shtëpi që ka figurë.”

3 Transmeton Bukhari, Muslimi dhe teksti është i tij, Beghaui në “Sherh-us-Sunneh”, eth-Thakafi në “eth-Thekefijet”, Abdurr-Rrazak në “el-Xhami” dhe Ahmedi tek i cili ka ardhur shtesa e fundit në tekstin e hadithit dhe zinxhiri i transmetimit është sipas kushteve të Muslimit.

Hadithi përmban dy dobi:

1 – Ndalohet varja e të gjitha llojeve të pikturave të krijesave apo dhe objekteve në të cilat ka piktura të krijesave.

2 – Ndalohet pikturimi i krijesave qofshin ato të konkretizuara si portrete apo jo, e thënë me fjalë të tjera, qofshin me hije apo pa hije, ky është mendimi i shumicës së dijetarëve.

En-Neueui tha: “Disa prej selefëve ndaluan vetëm ato që kanë hije (të konkretizuara si portrete), ndërsa ato që nuk kanë hije (por janë si skica), këto nuk janë të ndaluara. Ky mendim është i kotë sepse imazhet të cilat gjendeshin në perde, imazhe të cilat profeti ﷺ i urreu, ishin prej atyre imazheve që nuk kanë hije (por janë të skicuara) e megjithatë ai ﷺ urdhëroi që ato të hiqen.”

Një autor prej atyre që kanë shkruar në lidhje me këtë çështje sot, ka thënë se imazhet në hadithin e Aishes ishin joreale pasi që në realitet nuk ka kuaj me krahë. Sipas tij kjo ishte arsyeja pse profeti ﷺ i urreu këto imazhe!

Ky argument i tij është i kotë për disa arsye:

1 – Nuk ka asnjë tregues në hadith që tregon se arsyeja për të cilën profeti ﷺ i urreu ato imazhe ishte për shkak se ato imazhe binin në kundërshtim me realitetin! Përkundrazi hadithi thotë qartë duke na treguar dhe arsyen e ndalesës së këtyre imazheve:

“Engjëjt nuk hynë në një shtëpi që ka figurë.”

Ndalesa për pikturat e krijesave është e përgjithshme pa përjashtuar prej tyre ndonjë kategori të caktuar prandaj dhe profeti ﷺ e grisi perden dhe urdhëroi që këto imazhe të hiqen në mënyrë që engjëjt të mos pengoheshin nga hyrja. Kjo është mjaft e qartë.

2 – Nëse argumenti që solli autori i librit për të cilin po flasim, do të ishte i saktë, profeti ﷺ nuk do të kishte miratuar lodrat e Aishes në formën e kuajve me krahë siç do të përmendet në hadithin e pestë të çështjes me nr 40.

Shpërndaje: